Biznesi kërkon vetëkorrigjim në tatime, por merr gjobën 50 mijë lekë

Administrata tatimore u ka prerë hovin disa subjekteve të biznesit që janë vetdeklaruar për korrigjim, te cilët menjëherë janë përballuar me gjoba të inspektorëve tatimore, të cilët sipas Avokatit të Tatimpaguesit kanë vepruar në shkelje të hapur të ligjit.
Avokati i i tatimpaguesit referon se një shoqëri tregtare pasi ka konstatuar një deklarim të gabuar të librit të shitjes i është drejtuar drejtorisë rajonale tatimore, me një kërkesë për sistemim situate, brenda afatit prej 12 muaj nga data e deklaratës së parë.
Por pas dërgimit të kërkesës nga vetë tatimpaguesi (jo me iniciativë të drejtorisë rajonale tatimore), inspektori i sektorit të përpunimit e vlerësimit të deklaratave e dënon me një gjobë prej 50 000 lekë, bazuar në nenin 118 të ligjit nr.9920 datë 29.5.2008 ”Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Por bazuar në nenin 67 të ligjit të lart përmendur, tatimpaguesi mund të dorëzojë deklaratë të re tatimore, me ndryshime, në rastet kur deklarata tatimore fillestare është e pasaktë dhe me mangësi.
Avokati i tatimpaguesit është shprehur se, deklarata e ndryshuar mund dorëzohet brenda dymbëdhjetë muajve nga afati i dorëzimit të deklaratës fillestare. Gjithashtu,bazuar në Udhëzimin Nr. 24 datë 02.09.2008“Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, në pikën 118 , paragrafin e dytë (2) sqarohet rasti i aplikimit të gjobës për mosmbajtjen e librave, regjistrave apo dokumentacionit tatimor. Gabime jo materiale, që nuk cenojnë në thelb përmbajtjen e dokumentacionit dhe nuk kanë efekt në llogaritjen e saktë të detyrimeve tatimore, nuk dënohen me gjobën e mësipërme. Avokati i tatimpaguesit rekomandon që në rastin e dënimeve administrative, të cilat u janë vendosur tatimpaguesve, megjithëse ato kanë vepruar në përputhje me bazën ligjore në fuqi, drejtorive rajonale t’u jepet efektivisht mundësia, e përdorjes së rrugës së revokimit, pra vetëshfuqizimit apo vetëkorrigjimit, të akteve të kësaj natyre. “Një iniciativë e tillë, përveçse ul kostot administrative si të tatimpaguesve dhe të administratës, bën të mundur identifikimin dhe vlerësimin nga vetë ajo, të veprimeve të kryera apo nxitura me qëllim, nga pjesëtarë të saj, duke i shërbyer njëkohësisht edhe një fryme transparence e partneriteti midis palëve”, shprehet Avokati i Biznesit. Në ndryshimet e fundit të ligjit të procedurave tatimore, që pritet të kalojë në Kuvend, një ndër elemetët që pritet të përmirësohet është mundësia që u jepet bizneseve për t’u vetëkorrigjuar, si një përqasje e re e luftës kundër informalitetit.

Artikulli paraprakKonsumatorët braktisin blerjet e mëdha
Artikulli tjetërMisioni FMN në Tiranë për paketën fiskale