Biznes mes armiqsh

Ulrich Schmid

Për shumë prej vendeve myslimane, Izraeli është më e keqja e të këqijave. Megjithatë, shteti hebraik ka raporte tregtare pothuajse me të gjithë fqinjët e tij: ka bërë gjithmonë biznes me ta, bën akoma sot dhe do të bëjë edhe në të ardhmen. Zyrtarisht, shkëmbimet tregtare janë të ndaluara vetëm me Iranin, Libanin dhe Sirinë. Me vendet e tjera myslimane është e lejuar të bëjë biznes dhe Izraeli i bën në mënyrë mjaft eksplicite ose gjithsesi, me më pak bezdi nga sa bëjnë homologët e tij arabë, që nuk e deklarojnë hapur se bëjnë tregti me “entitetin sionist” nga frika se mos ngjallin zemërimin dhe indinjatën e opinionit publik. Midis vendeve myslimane të zonës Irani zë një pozicion special, pasi është me shumicë shiite. Ka një traditë të gjatë shkëmbimesh tregtare me Izraelin, që vazhdojnë edhe sot pavarësisht ambicieve bërthamore të Teheranit dhe kërcënimeve të tij për ta zhdukur Izraelin nga faqja e dheut. Në kohën e Shahut, Irani eksportonte në Izrael naftë, farëra dhe shqemë, duke i rënë rreth e përqark Gadishullit Arabik. Më pas, më 1979, Ajatollah Khomeini solli në Teheran revolucionin islamik dhe marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve u ndërprenë. Por në shtator të 1980, kur shpërtheu lufta me Irakun, Irani u ngut që t’i rilidhë, në formë klandestine, raportet me Izraelin. Dhe nga momenti që diktatori iraken Saddam Hussein përfaqësonte një rrezik shumë më të rëndë sesa Republika Revolucionare shiite, në këtë periudhë Izraeli e furnizoi Teheranin me armë, që kishin një vlerë prej gjysmë miliardi dollarësh.
Në atë kohë, Irani kishte një nevojë të madhe për armë dhe e ktheu favorin duke ndarë me Izraelin atë që dinte për programin bërthamor iraken. Kështu, më 1981, pasi prej muajsh bombarduesit iranianë tentonin më kot të shkatërronin dy reaktorë bërthamorë irakenë, këtë e arriti aviacioni izraelian. Qeveria e Tel Avivit u kritikua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa iranianët qenë mjaft të kënaqur nga ndihma e marrë prej “Satanait të vogël”. Eksportet e naftës iraniane drejt Izraelit vazhduan edhe nën Ajatollah Khomeinin: me to merrej Marc Rich, një biznesmen i diskutueshëm i specializuar në tregtinë e lëndëve të para. Në mesin e viteve tetëdhjetë, kur shpërtheu skandali Iran-Contras (funksionarë të ndryshëm të administratës amerikane të drejtuar nga Ronald Reagan u akuzuan për trafik ilegal armësh me Iranin, pavarësisht embargos), Izraeli jo vetëm që u dërgoi furnizime ushtarake amerikane mullahëve iranianë, por u shiti atyre edhe armë të prodhimit të tij. Një zgjedhje që iu bë bumerang: në luftën e Libanit të 1982, disa ushtarë izraelianë u vranë nga bombat e prodhuara nga vetë vendi i tyre.
Shumica e vendeve arabe që ka raporte tregtare me Izraelin nuk e njeh si shtet. Qysh gjatë Luftës së Pavarësisë së Izraelit (1947–1948), Lidhja Arabe vendosi një bojkotim total që teorikisht është i vlefshëm akoma sot. Por Egjipti (më 1979), Autoriteti Kombëtar palestinez (më 1993) dhe Jordania (më 1994) kanë nënshkruar me Izraelin marrëveshje të veçuara paqeje që e kanë anuluar bllokimin tregtar. Në realitet, embargoja nuk ka qenë ndonjëherë kushedi sesa efikase: ndoshta e ka dëmtuar Izraelin në vitet e para, por sigurisht që as nuk e ka gjunjëzuar, as nuk e ka penguar t’i japë jetë një ekonomie dinamike, më produktivja dhe më efikasja e rajonit. Nga ana e vendeve arabe, bojkotimi është dobësuar me kalimin e kohës dhe sot është praktikisht hiç. Të gjithë veprojnë me diskrecion maksimal, në fakt shumë shkëmbime tregtare u shpëtojnë statistikave zyrtare dhe nuk mundësojnë që të bëhen vlerësime të besueshme. Por është gjithsesi e mundur të guxohet me ndonjë shifër.
Aktualisht, vlera totale e eksporteve izraeliane është prej rreth 60 miliardë dollarësh. Prej këtyre, 29% merr rrugën e Shteteve të Bashkuara, 26% është absorbuar nga Bashkimi Europian dhe Azia dhe 19% nga “vende të tjera”. Për sa u përket importeve, më 2016 ato kanë arritur vlerën 63 miliardë dollarë. Një fetë e barabartë me 20% të ardhur nga “vende të treta”. Duke hipotezuar se më shumë se gjysma e këtij 20% janë importe të ardhura nga Australia dhe Amerika e Jugut, mund të konkludojmë me plot të drejtë se sot vendet arabe përfaqësojnë rreth 5% të shkëmbimeve tregtare të Izraelit. Atëherë si sillesh kur ekzistojnë qëllime që nuk mund të shprehen? Luhet me spond. Mallrat dërgohen në një vend të tretë, preferohet një zonë ekonomike e lirë apo një prej porteve të lira të panumërta. Ata më të përdorur janë Mersin në Turqi, Tangeri në Marok dhe portet italiane. Këtu mallrat ndryshojnë ambalazh dhe adresë për të maskuar prejardhjen. Domethënë ka tregti pas tregtie, në kuptimin që një blerës paguan dhe rishet mallrat, duke arkëtuar fitimin ose shërben si ndërmjetës për shitësin. Natyrisht që në këto raste është e mundur të tregohet në kontratë blerësi si destinacion final dhe t’i garantohet se mallrat i mbesin atij. Por përvoja demonstron se gjërat mund edhe të shkojnë ndryshe.
Në rastin e Jordanisë dhe të Egjiptit ka pak gjëra sekrete: çdo vit, Izraeli eksporton mallra në Jordani me një vlerë prej rreth 200 milionë dollarësh dhe importon 100 milionë dollarë. Izraeli synon që t’i shesë Jordanisë gazin natyror të ardhur nga rezervat e mëdha të vendburimit detar Leviathan. Midis të tjerash, qeveritë e Tel Avivit dhe të Amanit kanë nënshkruar një marrëveshje prej 10 miliardë dollarësh për furnizime ujore dhe më 2010 kanë nënshkruar edhe një traktat të tregtisë së lirë, në bazë të të cilit janë krijuar zona ekonomike speciale. Sipas autoriteteve jordaneze, zonat ekonomike speciale kanë krijuar nga 2010 rreth 361000 vende pune dhe përfaqësojnë motorin e vërtetë të rritjes ekonomike jordaneze. Por ambiciet e Kryeministrit izraelian, Benjamin Netanyahu shkojnë përtej: do të donte që Izraeli të bëhej porta hyrëse e tregtisë me botën arabe. Dhe në këtë projekt, Jordania luan një rol qendror. Qyteti izraelian i Haifas është tashmë një qendër e rëndësishme grumbullimi dhe shpërndarjeje e mallrave të drejtuara jo vetëm për në Jordani, por edhe më pranë, mbi të gjitha në Arabi Saudite. Për shkak të luftës, Siria nuk mund të jetë më një vend tranziti, në favor total të Izraelit. Dhe kështu nga 2011 numri i mauneve që nisen nga shteti hebraik drejt Jordanisë është më shumë se trifishuar. Sot kalojnë nëpër Izrael eksportet e ardhura nga Turqia, që më parë tranzitonin nga Siria.
Deri më 2011 mallrat europiane të destinuara për Lindjen e Mesme kalonin nëpër Siri dhe Egjipt. Por rrugët izraeliane që lidhin Haifan me Jordaninë, Irakun dhe Arabinë Saudite janë më të shkurtra dhe premtonin kështu që të kursehej kohë e para. E gjitha kjo funksionon edhe në kahje të kundërt: nga 2013 Jordania mund t’i dërgojë produktet e saj në Irak e në Turqi me kushte shumë më të avantazhuara nëpërmjet kalimeve kufitare përgjatë lumit Jordan. Nga aty mallrat arrijnë në Haifa dhe ngarkohen. Edhe tregtia me Egjiptin ecën në mënyrë mjaft të kënaqshme. Në bazë të marrëveshjes trilaterale të nënshkruar më 2014 nga Tel Avivi, Kajro dhe Uashingtoni, Izraeli eksporton sot në Egjipt mallra për rreth 100 milionë dollarë në vit. Shkëmbimet qenë intensive edhe kur qeveriste Hosni Mubarak, por janë rritur befasishëm me ardhjen në pushtet të Mohamed Morsi dhe sot me Gjeneralin Abdel Fattah al-Sisi po lulëzojnë. Sipas marrëveshjes, Egjipti mund të eksportojë në Shtetet e Bashkuara pa paguar taksa nëse të paktën 10.5% të komponentëve e asaj që shitet është e prodhuar në Izrael. Me pak fjalë, edhe pse Al-Sisi përpiqet ta fshehë kënaqësinë e tij, marrëveshja është fitimprurëse për të gjithë.
Ashtu si Izraeli, edhe Egjipti ka rezerva gazi. Ose të paktën në afërsitë e brigjeve të tij posedon një vendburim të pasur: atë të Zohr, ende jo i shfrytëzuar. Izraeli është një vend shumë i zhvilluar dhe ka kompetenca shumë të mëdha teknike për shfrytëzimin e vendburimeve, kështu që interesi i Egjiptit për gazin izraelian do të zgjasë akoma edhe për disa kohë. Në tetor të 2014, Tel Avivi ka nënshkruar me një kompani shtetërore egjiptiane një marrëveshje që parashikon shitjen e 2.5 miliardë metrave kub gaz në 7 vitet e ardhshme. Për Kajron, tregtia me “sionistët” është ende një çështje mjaft delikate. Urrejtja ndaj Izraelit është faktikisht shumë e rrënjosur në radhët e popullsisë egjiptiane, aq sa Tel Avivi ka kërcënuar kohët e fundit se do ta thërrasë në atdhe ambasadorin në Kajro prej frikës nga atentatet. As Arabia Saudite dhe Emiratet e Gjirit Persik nuk e njohin zyrtarisht shtetin e Izraelit, por nuk ia përtojnë tregtisë me “entitetin sionist”. Izraelianëve kjo u vjen për shtat: ekonomia saudite është pakrahasueshmërisht më e oksidentalizuar se ajo iraniane, për të cilën edhe shumë tregtarë janë entuziastë. Vendi disponon lëndë të para, ka miratuar ligje dhe standarde të pranueshme në nivel global dhe është i pajisur me infrastruktura të mira.
Për qeverinë izraeliane, Arabia Saudite hyn në grupin e vendeve arabe të moderuara pavarësisht wahabizmit (një formë jashtëzakonisht e ngurtë e islamit dominues në vend). Veç kësaj, të dy vendet janë të bashkuar nga një armik i përbashkët: Irani. Riadi importon nga Izraeli teknologji, impiante ujitëse dhe pajisje kopshtesh dhe në shkëmbim eksporton produkte bazë për industrinë izraeliane të plastikës, si polietileni dhe poliprobileni, të dy derivatë të naftës. Duket pastaj se Izraeli u ka ofruar sauditëve teknologjinë e mburojës antiraketore Iron Dome, për t’u mbrojtur nga goditjet e rebelëve shiitë Houthi të Jemenit. Akoma më joshëse se Arabia Saudite, edhe pse jo domosdoshmërisht në profilin financiar, janë Emiratet e Gjirit Persik. Klima e favorshme për tregti dhe progres që ekziston në Manama, Dubai dhe Abu Dabi është ideale për Izraelin. Veç kësaj, në vendet e Gjirit jetojnë financierë dhe tregtarë diamantesh hebrenj. Në mënyrë të veçantë, Bahreini mburret se ka si ambasador në Kombet e Bashkuara një hebreje, Houda Nonoo. Gjithashtu, i dërguari special i Katarit në Gaza, Muhammad al-Amadi, ka lavdëruar “marrëdhëniet e shkëlqyera me Izraelin”, nga ku Emirati importon prodhime farmaceutike e bujqësore, por edhe teknologji të lartë. Më 2011 Tel Avivi u ka shituar Emirateve të Bashkuara Arabe teknologji ushtarake për një vlerë prej 300 milionë dollarësh: i shërbenin Abu Dabit për të mbrojtur puset e veta të naftës.
Sipas statistikave zyrtare, më 2014 rreth 5% e eksporteve izraeliane ka marrë rrugën drejt Palestinës. Është një përqindje e konsiderueshme nëse kihet parasysh se Palestina është ndër përfituesit e parë në botë për ndihma ndërkombëtare dhe kjo e rrit ndjeshëm fuqinë blerëse dhe forcën tregtare të saj. Në fakt ndihmat, që gjatë viteve të fundit janë vërtitur midis 1.6 dhe 1.5 miliardë dollarëve, u shkojnë jo vetëm njerëzve dhe organizatave ndërkombëtare, por direkt edhe bilancit të Autoritetit Kombëtar palestinez. Sipas organizatës Aid Watch Palestine, 72% e ndihmave ndërkombëtare përfundon në Izrael. Për shembull, në tetor të 2016 Izraeli ka absorbuar 83.5% të eksporteve palestineze për një total prej 79 milionë dollarësh dhe ka qenë vendi i marrjes i 64.1% të importeve palestineze, që vlejnë pothuajse 400 milionë dollarë. Izraeli eksporton në Palestinë sidomos gazoil për ngrohje, benzinë, gaz natyror, çimento hidraulike, mermer dhe ujë mineral, ndërsa importon blloqe guri, skrap hekuri e çeliku dhe produkte farmaceutike. Janë shkëmbime tregtare të komplikuara, që kanë vështirësi për shkak të situatës politike, nga momenti që të gjitha eksportet dhe importet duhet të jenë të autorizuara nga autoritetet izraeliane.
Evolucioni i këtyre shkëmbimeve tregtare varet nga shumë faktorë, kjo e fundit se si do të jetë sjellja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Por skenari më i besueshëm është se tregtia midis Izraelit dhe vendeve arabe do të vazhdojë të ecë për mrekulli. Irani mbetet një kërcënim për botën arabe dhe për Izraelin dhe kjo bën që të lulëzojë tregtia midis izraelianëve dhe sunitëve. Për sa i përket Palestinës, do të jenë gjithnjë e më të paktë vendet arabe që do ta përdorin si motiv për të bojkotuar Izraelin. Veç kësaj, Tel Avivi do të jetë në gjendje që të shfrytëzojë rezervat e tij të gazit më me shpejtësi nga sa do të mund të bëjë Egjipti. Kështu që shteti hebraik do të bëhet furnizuesi me energji i të gjithë rajonit, pikërisht siç e imagjinon Netanyahu. Dhe blerësit nuk do të jenë vetëm grekët, turqit dhe europianoveriorët, por edhe arabët. Për më tepër, lufta në Siri do të vazhdojë akoma edhe për shumë kohë, duke i siguruar Izraelit një rol më qendror si vend tranzit dhe pikë aksesi tregtar për botën arabe.

“Neue Zürcher Zeitung”

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakSi të lexojmë dhe praktikojmë Aurat
Artikulli tjetërLufta e narkosve në Amazonë