Bitcoin, monedha virtuale hyn “ilegalisht” në Shqipëri! Kujdes nuk ju mbron askush

Që nga lashtësia, ku njerëzit paguanin mallin me mall, paraja ka ndryshuar në koncept dhe formë. Paraja lindi si nevojë për të njësuar këmbimin, por që nga ajo kohë, koncepti i parasë ka evoluar aq shumë, saqë shumë e parashikojnë të afërt fundin e monedhave dhe kartëmonedhave. Historia e evoluimit të parasë (mjetit të këmbimit), nga guaskat te monedhat, letrat me shenjë apo të dhënat elektronike e kanë zhvendosur gradualisht paranë nga origjina e saj, duke arritur deri në monedhën virtuale, një kod kompjuteri, që nuk ekziston fizikisht dhe që nuk kontrollohet prej bankave qendrore, si Bitcoin. Bitcoin, që funksionon si një kriptomonedhë dhe si një sistem dixhital pagese, i shpikur nga një programues i panjohur, u përhap për herë të parë nga një softuer me të dhëna të hapura në vitin 2009, ku vlera e një Bitcoin ishte 0.05 dollarë. Sot, në tregjet ndërkombëtare, vlera e një Bitcoin-i ka arritur shifra të larta mbi 2000 dollarë. Por si çdo investim me kthim të lartë, rreziqet shkojnë në përpjesëtim të drejtë. Kriptomonedha, e cila megjithëse ekziston prej 2009-s në treg, por vetëm kohët e fundit ka bërë bujë në tregjet ndërkombëtare, ka filluar që të tërheqë dhe investitorë nga Shqipëria.

Si po funksionon Bitcoin në Shqipëri?
Në Shqipëri është krijuar grupi i investimit në Bitcoin, me të cilët mund të vihesh në kontakt fare lehtë nëpërmjet rrjeteve sociale. Të interesuar për të investuar në Bitcoin, personi që administron grupin na jep dy mundësi operimi, përkundrejt pagesës cash ose duke bërë blerje direkte në internet. Sipas shpjegimit të tij, në Bitcoin ka dy lloje investimesh, pasiv dhe aktiv. Investimi si investitor pasiv, kishte të bënte me blerjen e kriptomonedhave Bitcoin dhe më pas i rishisje në një moment të dytë kur çmimi rritej në tregjet ndërkombëtare. Investimi aktiv në Bitcoin kryhet duke blerë një paketë, ku vlera më e vogël e një pakete ishte 500 dollarë dhe 99 dollarë anëtarësia. Më pas hardueri, në të cilin bëhesh pjesë pas blerjes së paketës, bën përllogaritjet e të gjitha transaksioneve që kryhen. Sipas administratorit, në rast se do të blije një paketë, çdo ditë do të ktheheshin një shumë x BTC nga ajo që kishe investuar fillimisht. Personi pas faqes Bitcoin Albania dërgon edhe video informuese për të shpjeguar mënyrën e funksionimit të kriptomonedhës. Në rast se do të operosh me cash, administratori të mundëson takim me një nga përfaqësuesit në Shqipëri, të cilit i jep shumën që ke vendosur për të investuar. I pyetur se çfarë sigurie ka investimi në Bitcoin, administratori përgjigjet se edhe ai vetë nuk ka siguri për investimin që ka kryer.

A është Bitcoin flluska e radhës?!
Administratori i Bitcoin Club Albania thotë se nuk kanë licencë operimi në Shqipëri, por vetëm në Zvicër, madje nuk kanë as zyra, por herë pas here organizojnë takime informuese. Takimi i radhës pritet të mbahet në muajin që do të vijë. Në Shqipëri, thotë ai, vijnë për t’iu dhënë mbështetje njerëzve me diçka të re. Cili është përfitimi i tyre?! Përfitimet rriten bazuar me një sistem pikësh dhe përqindjesh, të cilat ti i merr duke bërë pjesë sa më shumë investitorë të rinj në Bitcoin.

Banka e Shqipërisë dhe AMF, nuk kemi asnjë kompani të licencuar
E kontaktuar nga “Monitor”, Banka e Shqipërisë bën të ditur se nuk ekziston asnjë subjekt financiar i licencuar për tregtimin e monedhës virtuale Bitcoin në Shqipëri. Kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të zbatojë me rigorozitet funksionin e saj mbikëqyrës për subjektet financiare të licencuara prej saj, në zbatim të ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe Ligjit “Për bankat” në Republikën e Shqipërisë.
Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informon se nuk ka pasur asnjë kompani të licencuar për tregtimin e Bitcoin në Shqipëri.

Çfarë janë monedhat virtuale
Sipas Autoritetit Bankar europian, një monedhë virtuale është një formë e parregulluar e parave dixhitale, e paemetuar dhe e pagarantuar nga një bankë qendrore, e cila mund të veprojë si mjet pagese. Monedhat virtuale janë krijuar në shumë forma, duke filluar si monedha brenda mjedisit të lojërave online kompjuterike dhe rrjeteve sociale dhe duke u zhvilluar në mjete të pagesës të pranuar “offline” ose në “jetën reale”. Tashmë është gjithnjë e më shumë e mundur që të përdoren monedhat virtuale si një mjet për të paguar mallra dhe shërbime me tregtuesit me pakicë, restorante dhe vende argëtuese. Shpesh këto transaksione nuk kanë ndonjë tarifë ose pagesë dhe nuk përfshijnë ndonjë bankë. Kohët e fundit, monedha virtuale “Bitcoin” ka vendosur bazën për një gjeneratë të re të monedhave virtuale të decentralizuara – shpesh referuar edhe si kriptomonedha. Monedha virtuale mund të blihet në një platformë këmbimi duke përdorur monedhën konvencionale. Ata transferohen më pas në një llogari të personalizuar të njohur si “portofol dixhital”. Duke përdorur këtë portofol, konsumatorët mund t’i dërgojnë monedhat virtuale në internet tek të gjithë të tjerët, që janë të gatshëm për t’i pranuar ata ose të bëjnë konvertimin e tyre përsëri në një monedhë konvencionale (të tilla si euro, paund apo dollarë).

Artikulli paraprakKatër HEC-e të reja nga 2 MW, mes tyre edhe një kompani fason
Artikulli tjetërNis zyrtarisht procesi i Vettingut, nis kontrolli i pasurisë për gjyqtarë e prokurorë