Biseda e gjenive mes Ajshtajnit dhe Tagorës

Tagora: Sot po bisedoja me Dr. Mendel në lidhje me zbulimet e reja në matematikë sipas të cilave në botën e madhësive pambarimisht të vogla sjellja e atomeve i bindet rastësisë; me sa duket drama e ekzistencës nuk është aspak e paracaktuar në karakter.

Einstein: Faktet që e bëjnë shkencën të tentojë ndaj kësaj pikëpamje nuk do të thotë t’i lëmë lamtumirën parimit të shkakësisë.

Tagora: Ndoshta jo, megjithatë duket sikur ideja e shkakësisë nuk është në grimcat elementare, por që disa forca të tjera ndërtojnë me këto grimca një gjithësi të organizuar.

Einstein: Duhet përpjekje të kuptohet rregulli në një plan më të lartë. Rregulli është atje ku elementët e mëdha kombinohen dhe drejtojnë ekzistencën, por në grimcat shumë të vogla ky rregull nuk është i perceptueshëm.

Tagora: Kështu pra dualiteti është në thelb të ekzistencës, dmth është kontradikta e impulsit të lirë dhe vullnetit drejtues që realizon një skemë të rregullt të sendeve.

Einstein: Fizika moderne nuk do t’i quante që janë kontradiktore. Retë kur shihen nga larg duken si një objekt i vetëm, por kur i vrojton nga afër ato shfaqen si një grumbull i çrregullt pikash uji.

Tagora: Unë i gjej kësaj një paralele në psikologjinë njerëzore. Pasionet dhe dëshirat tona janë të çrregullta, por karakteri ynë i nënshtron këto elemente në një të tërë të harmonishme. A ka diçka të ngjashme me këtë në botën fizike? A nuk janë grimcat e vogla rebele, dinamike me një impuls individual? Dhe a ka një parim në botën fizike që i nënshtron ato duke i vendosur nën një organizim të rregullt?

Einstein: Edhe vetë grimcat elementare nuk janë pa një rregull statistikor; grimcat e radiumit do të ruajnë një rregull specifik të tyre, tani dhe përgjithmonë në të ardhmen, ashtu siç ka qenë vazhdimisht deri më sot. Ka pra një rregull statistikor për grimcat elementare.

Tagora: Përndryshe drama e ekzistencës do të ishte mjaft e paqëllimtë. Është harmonia e vazhdueshme e rastësisë dhe përcaktueshmërisë, e cila e bën atë përjetësisht të re dhe jetësore.
Einstein: Unë besoj se çfarëdo që të bëhet me ne ose ne bëjmë, ka shkakësinë e vet; është gjë e mirë sidoqoftë që ne nuk e perceptojmë dot.

Tagora: Ka një elasticitet gjithashtu në veprimet njerëzore, një farë lirie në rende të ulta që është për të shprehur personalitetin tonë. Është diçka e ngjashme me sistemin muzikor në Indi, i cili nuk është aq i ngurtë sa ç’është në muzikën perëndimore. Kompozitorët tanë japin një linjë të përcaktuar muzikore, një sistem melodik dhe arranxhim ritmik dhe ekzekutuesi i saj brenda disa kufijve mund të improvizojë mbi të. Ai duhet të ndjekë me besnikëri pjesën muzikore, por dhe të japë shprehje spontane të ndjeshmërisë së vet muzikore sipas disa rregullave të paracaktuara. Ne admirojmë kompozitorin për talentin e tij në krijimin e bazës dhe superstrukturës së melodisë, por ndërkaq presim nga interpretuesi, të shprehë aftësitë e tij, duke krijuar variacione me zbukurime melodike. Në krijimin, ne ndjekim ligjin themelor të ekzistencës, por nëse lejojmë edhe një shmangie nga ai, atëherë kemi një liri të mjaftueshme brenda kufijve të personalitetit tonë për shprehjen më të plotë të vetvetes.

Einstein: Kjo është e mundur vetëm kur ka një traditë muzikore të fuqishme që mund të orientojë njerëzit. Në Europë muzika ka shkuar tepër larg nga arti dhe ndjeshmëria popullore, është bërë si një farë arti i fshehtë me konvencionet dhe traditat e veta.

Tagora: Duhet të jesh absolutisht i bindur ndaj kësaj muzike kaq të ndërlikuar. Në Indi masa e lirisë së këngëtarit është në personalitetin e vet krijues. Ai mund ta interpretojë këngën e kompozitorit në mënyrën e vet nëse ka fuqinë krijuese të afirmojë vetveten në interpretimin e ligjit të përgjithshëm të melodisë që i është besuar.

Einstein: Kërkohet një nivel shumë i lartë artistik për të realizuar plotësisht idenë e madhe të muzikës origjinale, kështu që mund të bëhen edhe variacione mbi të. Tek ne variacionet shpesh janë të paravendosura.
Tagora: Nëse në sjelljen tonë ndjekim ligjin e virtytit, atëherë do të kemi një liri reale për shprehjen e vetvetes. Vërtetë është parimi i sjelljes, por karakteri që e bën atë të vërtetë dhe individual është në krijimin tonë. Në muzikën tonë ka një dualitet të lirisë dhe rregullit të paracaktuar.

Einstein: Po fjalët e këngës a janë gjithashtu të lira? Dua të them a është i lirë këngëtari të shtojë fjalë të tijat në tekstin e këngës që këndon?

Tagora: Po. Në Bengal kemi një lloj kënge që e quajmë kirtan, e cila i jep liri këngëtarit të ndërfusë komente ndërmjetëse, fraza që nuk janë në këngën origjinale. Kjo shkakton entuziazëm të madh, sepse dëgjuesit janë vazhdimisht të emocionuar nga sentimente spontane të mrekullueshme, nga këngëtari.

Einstein: A është metrika tepër strikte?

Tagora: Po, krejtësisht. Nuk mund të kalohen kufijtë e vjershërimit; këngëtari në gjithë variacionet e veta duhet të mbajë ritmin dhe kohën, të cilat janë të fiksuara. Në muzikën europiane, ju keni një liri të krahasueshme për kohën, por jo për melodinë.

Einstein: Mund të ekzekutohet muzika indiane pa fjalë? Mund të kuptohet një këngë pa fjalë?

Tagora: Po, ne kemi këngë me fjalë të pakuptimta, tinguj që thjesht ndihmojnë në mbajtjen e notave. Në Indinë Veriore, muzika është një art i pavarur, jo një interpretim i fjalëve dhe mendimeve si në Bengal. Muzika është shumë e përpunuar dhe sugjestive dhe është një botë e tërë në vetë melodinë.

Einstein: Nuk është polifonike?

Tagora: Instrumentat përdoren, por jo për harmoninë, vetëm për të mbajtur kohën dhe për të shtuar volumin e thellësinë. A ka vuajtur melodia në muzikën tuaj nga imponimi i harmonisë?

Einstein: Ndodh nganjëherë që vuan vërtetë tepër. Nganjëherë harmonia gëlltit edhe vetë melodinë.
Tagora: Melodia dhe harmonia janë si linjat dhe ngjyrat në pikturë. Një vizatim mund të jetë i mrekullueshëm, ndërkohe që duke i shtuar edhe ngjyrat mund të bëhet i vagët dhe humbet forcën. Por ngjyra në kombinim me linjat krijon piktura të mëdha, sa kohë që nuk zhvlerëson apo shkatërron vlerën e vizatimit.

Einstein: Është një krahasim i bukur; vizatimi është gjithashtu shumë më i vjetër se ngjyra. Duket se melodia juaj është shumë më e pasur në strukturë se e jona. Muzika japoneze gjithashtu duket e tillë.

Tagora: Është e vështirë të analizosh efektin e muzikës të Lindjes dhe të Perëndimit në mendjet tona. Unë jam shumë i prekur nga muzika perëndimore; ndjej që është e lartë, e gjerë në strukturë dhe e madhe në kompozicion. Muzika jonë më prek më thellë, prej vokacionit të vet lirik themelor. Muzika europiane është epike në karakter, ka një sfond të gjerë dhe është gotike në strukturë.

Einstein: Është një pyetje që ne europianet nuk i përgjigjemi dot qartë, ne jemi shumë të përdorur nga muzika e jonë. Ne duam të dimë nëse muzika jonë është një ndjenjë konvencionale apo fondamentale, nëse është natyrale të ndjesh konsonancën dhe disonancën apo një konvencion që ne e pranojmë.

Tagora: S’di se si, por piano më ngatërron. Violina më pëlqen shumë më tepër.

Einstein: Do të ishte interesante të studioheshin efektet e muzikës europiane te një indian që nuk e ka dëgjuar kurrë atë që kur ka qenë i ri.

Tagora: Unë njëherë i kërkova një muzikanti anglez, të më analizonte disa pjesë të muzikës klasike dhe të më shpjegonte se çfarë elementësh e bëjnë të bukur një pjesë muzikore.

Einstein: Vështirësia është se muzikën vërtetë të bukur, lindore apo perëndimore qoftë, nuk mund ta analizosh dot.

Tagora: Po edhe ajo çka e prekë thellë dëgjuesin është diçka shumë personale për çdo individ.

Einstein: E njëjta pasiguri mbetet rreth çdo gjëje themelore në përvojën tonë, në reagimin tonë ndaj artit, kudo qoftë në Europë apo Azi. Madje edhe kjo lule e kuqe që shoh në tavolinën tuaj, mund të mos jetë e njëjtë për ty dhe për mua.

Tagora: E megjithatë është i pranishëm gjithmonë një proces pajtimi midis tyre, shija individuale që tenton të përputhet me standardin e përgjithshëm.

Viti 1930, Berlin

Artikulli paraprakChelsea
Artikulli tjetërSfidat e qyteteve nga ndryshimi i klimës