Bie leku, ngrihen euro dhe dollari

Monedha vendase e ka nisur me humbje këtë vit, duke humbur pikë kundrejt të gjitha valutave. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 135.47 lekë, duke u rritur me 0.24 lekë ndaj fundit të vitit të kaluar. Më i fortë zhvlerësimi ka qenë ndaj dollarit, ku monedha e gjelbër u këmbye me 129.75 lekë, me rritje prej 1.58 lekë në raport me ditën e fundit të vitit të kaluar.
Edhe ndaj paundit britanik e frangës zvicerane leku ka humbur pikë, me përkatësisht 1.45 dhe 0.39 lekë. Aktorët e tregut pohojnë se kjo është një tendencë sezonale, ku gjithmonë në ditët e para të vitit monedha vendase humb pikë, ndryshe nga dhjetori ku përgjithësisht ajo vlerësohet për shkak të prurjeve të emigrantëve. Monedha vendase e mbylli vitin 2016 në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a.
Për gjithë vitin 2016, kursi mesatar i këmbimit euro-lekë ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë në vitin e mëparshëm, duke rënë me 1.6%. Kjo është mesatarja më e ulët që nga viti 2009, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë. Prej gati 5 vitesh, euro në tregun e brendshëm ishte luhatur në kuotat e 139-140 lekëve.
Përgjatë vitit 2016, dollari është luhatur mes 122 dhe 129 lekëve, për ta mbyllur vitin në kuotën e 129 lekëve, në nivele më të ulëta se viti i mëparshëm, kur arriti në 132 lekë.
Në bursat ndërkombëtare dollari u tërhoq nga niveli më i lartë i 14 viteve të fundit kundrejt një shporte monedhash të mërkurën, me investitorët që u treguan të kujdesshëm rreth pritshmërive për ekonominë amerikane dhe kohën kur do të rriten normat e interesit.
Monedha e gjelbër arriti në nivelet më të larta që nga fundi i vitit 2002 të martën, pasi të dhënat e prodhimit në SHBA i tejkaluan pritshmëritë, duke kërcënuar sërish për të arritur barazinë me euron, që arriti në nivelin më të ulët të 14 viteve në $1.0340.
Të mërkurën, monedha e vetme u rrit me 0.3%, për të arritur në $1.0435, pothuajse një cent mbi nivelin e ulët të arritur të martën.

Artikulli paraprakRritet me 20% çmimi i gazit për familjarët
Artikulli tjetërQeveria rimburson vetëm ilaçet e lira