“Beteja” në Parlament me sytë nga SPAK-u/ Me leje të Edi Ramës, deputetët e Berishës vijojnë të përdorin emrin e PD-së

Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga koha kur Partia Demokratike i ka dërguar shkresë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për të reflektuar ndryshimet në Grupin Parlamentar të kësaj partie, sipas vendimeve të Kuvendit Kombëtar të datës 2 shtator.

Pavarësisht kësaj, një gjë e tillë, nuk ka ndodhur, çka vijon të shkaktojë konfuzion në zhvillimin normal të seancave plenare.

Edi Rama, nëpërmjet Lindita Nikollës, vijon të njohë si kryetar të Grupit Parlamentar dikë që, me vendim të kryesisë së PD-së, nuk është as anëtar i kësaj force politike.

Kjo situatë i shërben, më së pari, Edi Ramës, që dëshiron të largojë vëmendjen nga skandalet dhe aferat korruptive dhe, së dyti, Sali Berishës, i cili, duke qenë në hall të madh pas trokitjes së SPAK-ut në derën e familjes biologjike, i intereson ta keqpërdorë deri në fund ‘familjen’ politike.

Kjo lojë e shëmtuar me regji të Edi Ramës, skenar të Sali Berishës dhe realizim të një grupi deputetësh që kanë vendosur të ndjekin verbazi Sali Berishën në greminën e tij politike, duhet të marrë fund.

Së pari, kemi të bëjmë me nëpërkëmbje të kushtetuetshmërisë, pasi partitë politike janë etnitet kushtetues.

Në “biblën” e shtetit ligjor ka disa nene për partitë që janë baza e pluralizmit, kurse grupet parlamentare as që përmenden, sepse janë vetëm rrjedhojë e këtyre etniteteve kushtetuese. Në këtë rast, Partisë Demokratike.

Së dyti, Rregullorja e Kuvendit në Nenin 15 (Formimi i Grupeve Parlamentare), pika 2, në mënyrë të qartë shprehet:

“Grupet parlamentare, sipas përkatësisë partiake, formohen mbi bazën e listës së partive që përfaqësohen në Kuvend…”

Ligji është eksplicit dhe referon te subjektet partiake. Lista e partive që përfaqësohet zyrtarisht me mandate nga KQZ-ja, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, është lehtësisht e verifikueshme nga Parlamenti.

Ajo është Partia Demokratike.

Pavarësisht sa më sipër, në Kuvendin e Shqipërisë vijon cirku i përjavshëm, ku disa deputetë bëjnë ‘betejë’ sikur zihen dhe krijojnë tensione, mazhoranca i dënon dhe i përjashton, pastaj sërish i falë për t’i lejuar të realizojnë të njëjtën gjë në seancën e radhës.

Kjo, tashmë, është një lojë e njohur që bëhet për hallin e politikanëve si Edi Rama, Sali Berisha dhe ndonjë tjetër, të cilët duan ta mbajnë peng Shqipërinë.

Në kohën kur foltorja e Kuvendit duhet të ishte ‘arenë’ diskutimesh për projekt-buxhetin e vitit 2024, ajo është shndërruar në një ‘arenë’ gladiatorësh, të cilët herë të keqpërdorur, herë me vetëdije, janë duke mbajtur peng jo vetëm futjen e jetës politike në shinat e normalitetit, por, mbi të gjitha, me veprimet e tyre janë kthyer në tub oksigjeni për qeverisjen e korruptuar të Edi Ramës, duke mos lejuar të ndodhë ndryshimi i madh dhe i shumëpritur./ nl

 

Artikulli paraprakSi të përdorni kosin për infeksionet e mykut?
Artikulli tjetër“Në atë parlament ndodhin gjëra më të turpshme”, çfarë deklaroi deputeti Nallbati pasi doli nga SPAK