BERZH: Krimi dhe kostot e energjisë pengesë për bizneset

Konkurrenca e pandershme dhe kostot e larta për energjinë elektrike janë dy pengesat kryesore për sipërmarrësit shqiptarë për të zhvilluar biznesin e tyre. Ky përfundim u nxor pas një anketimi të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në anketim, që kishte për qëllim të nxirrte në pah vështirësitë e bizneseve në Ballkanin Perëndimor, u morën në pyetje 1 800 sipërmarrës nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia e Bosnje-Hercegovina.
Të gjitha pengesat me të cilat përballen bizneset në vendet e Ballkanit Perëndimor përkthehen në kosto të larta.
Studimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim “Studimi i Mjedisit për Biznesin dhe Performanca e Sipërmarrjes, (BEEPS) që ka marrë në vrojtim 1,800 pronarë biznesesh dhe menaxherë bën të ditur se katër janë çështjet që kanë ndikim më të fortë: krimi, çështjet energjetike, infrastruktura e dobët dhe korrupsioni.
Nga vrojtimet rezulton se mesatarisht firmat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin 13.2% të shitjeve të tyre vjetore për shkak të këtyre katër pengesave. Kjo është një shifër e lartë kundrejt 9.8% që llogaritet në 11 vendet e BE-së.
Nga shifra 13.2% e kostove, 5.9% vjen si pasojë e krimit, 5.8% për shkak të problemeve energjetike, 0.7% për shkak të infrastrukturës dhe 0.7% për shkak të korrupsionit direkt.
Shqipëria paraqitet e treta në grafikun e BEEPS pas Kosovës dhe Maqedonisë që i ka më të theksuara këto probleme. Për Shqipërinë krimi dhe problemet energjetike kanë ndikuar në rritjen e 4 kostove të biznesit.
Këto katër çështje përfaqësojnë një të katërtën e pengesave që janë paraqitur në studim. Pa dyshim çështja të tilla si “taksat e fshehura” apo edhe burimet e prodhimit për shkak të mjedisit jo të duhur të biznesit, ndikojnë gjithashtu në shtimin e kostove. Vrojtimi thekson se janë çështje që merren në konsideratë kur vjen puna te konkurrueshmëria dhe mjedisi i taksave.
E nëse këtyre iu shtojmë edhe kostot e burokracisë, përfshi edhe kohën e harxhuar për t’u njohur me rregullat që vendos qeveria situata bëhet edhe më dramatike.
Studimi tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë më shumë se një ditë në javë për t’u marrë vesh me rregullat e qeverisë.
Lajmi i mirë është se Shqipëria renditet më mirë kundrejt vendeve të tjera të rajonit sa i përket kohës së shpenzuar për t’u dakordësuar me ndryshimet që bën qeveria.
Tjetër vështirësi në Shqipëri, bizneset kanë hasur dhe në aksesin ndaj financave (12,9 për qind) dhe keqadministrimi i taksave dhe procedurat e komplikuara e të fryra tatimore (11,6 për qind). Sipërmarrësit shprehen se bankat shpeshherë i kanë refuzuar dhënien e kredive apo se kanë marrë kredi me interesa të larta. Po ashtu, sipërmarrësit, kryesisht ata të vegjël e të mesëm, duke qenë se nuk kanë mjaftueshëm staf të dedikuar për procedurat tatimore, hasin vështirësi të shumta në plotësimin e tyre.
Në rajon, treguesit të vlerësuar si penguesit kryesorë në të bërit biznes janë konkurrenca e pandershme, destabiliteti politik, aksesi i dobët në financa, nivelet e larta të taksave dhe korrupsioni.

Artikulli paraprakMaqedonia bum investimesh të huaja, tani edhe nga Shqipëria
Artikulli tjetërBrukseli pezulloi turpin e Bashkimit Europian në Shqipëri