Berisha paralajmëron Ramën: Ik ose prit fund të tmerrshëm

Ish-Kryeministri Berisha i bëri thirrje dje Edi Ramës nga sheshi i lirisë të mos presë më, por të largohet sa më parë dhe t’i hapë rrugë krijimit të qeverisë, ndërsa paralajmëroi se durimi i shqiptarëve po soset e askush s’do të mund të shpëtojë Ramën nga verdikti dhe vullneti i lirë i qytetarëve. “Do e mbyll fjalën time duke paralajmëruar, se durimi i shqiptarëve po soset, se jo xhelati i diktaturës Fatmir Xhafa, por dhe dhe xhelatët e diktaturës Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kristaq Rama e dhjetëra të tjerë po të ngrihen nga varri nuk të shpëtojnë dot nga verdikti i qytetarëve shqiptarë. Largohu, shporru, qërohu sa më shpejt”, tha Berisha. Ai e cilësoi ngritjen e popullit shqiptar në protestë si dëshmi e urrejtjes ndaj Ramës dhe keqqeverisjes së tij. “Dua t’i them sot këtu nga ju Edi Maskës, se më 18 shkurt, pra 35 ditë më parë, në rrugët e Tiranës vërshuan qindra mijëra qytetarë, por vërshuan gjithashtu lumenj urrejtje kundra teje, urrejtje e cila nëse nuk do të dominohej do të të kapte ty edhe në strofullën e maleve të Sharrit ku ishe futur. Mbaje mend këtë”, tha Berisha. Duke iu drejtuar Ramës me nofkën “Edi Maska”, Berisha tha se gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes së tij, Rama zhvati paratë e shqiptarëve duke vjedhur bashkë me klikën pranë tij miliona euro përmes tenderave. Berisha kujtoi premtimet me të cilat Rama erdhi në pushtet dhe mashtrimet për çdo premtim të dhënë, ndërsa sot vendin e ka shndërruar në vendin më të pasigurtë ku mbizotëron e bën ligjin krimi dhe narkotrafiku. “Edi Maska, shqiptarët kanë krijuar një neveri dhe urrejtje të pakufishme ndaj teje, sepse në katër vite ti u pasurove për vete dhe klanin tënd, ti vodhe dhe stërvodhe koncesionet me neobllokmenët, vodhe tendera. Kjo është vlerësuar si qeveria më e korruptuar në 100 vite shtet shqiptar. Dhe përsëri çdo ditë vazhdon të vjedhësh  ndërkohë që qytetarët e tu i përze masivisht nga Shqipëria. Përveçse në vitin ’91 kur dolën nga diktatura si qeniet më të varfëra në botë, kurrë shqiptarët s’janë larguar nga Shqipëria sa katër vitet e qeverisjes tënde. Ndaj dhe ik! Ti përpiqesh të justifikohesh, por premtove 300 mijë vende pune, përzure 200 mijë shqiptarë. Ç’t’i bëj juristëve se keni juristë sa për gjithë Ballkanin thua. Po kujt ja shet ti këto marrëzira. Po ke të papunë, pa profesion, pa shkollë dhe dhjetëra e qindra mijëra shqiptarë. Po ti konfrontohesh çdo ditë e më shumë në sarajet e Surrelit, ti shton çdo ditë e më shumë kontot e tua bankare në parajsat financiare nëpërmjet bankës, në krye të së cilës në një akt unik emërove bashkëshorten tënde për të larë paratë e vjedhura të qytetarëve shqiptarë. Edi Maska duhet të ikësh sa më parë, se gjëmën që i bëre ti Shqipërisë me drogën ja ka bërë vetëm Enver Hoxha me diktaturën. Asgjë s’ka nxirë emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë sa diktatura e Enver Hoxhës në gjysmë shekulli. Po asgjë pas saj nuk ka nxirrë emrin e shqiptarit dhe Shqipërisë se sa shndërrimi i saj, i këtij dheu të bukur, në Kolumbi të Europës, në Kanabistan”, u shpreh Berisha.

Shqiptarët po shohin të ardhmen tek Lulzim Basha

Opozita, programi i saj për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë nën drejtimin e Lulzim Bashës janë shndërruar sot në shpresën e vetme të shqiptarëve për të ardhmen e tyre. Berisha tha dje nga sheshi i lirisë se sot është mjerimi ai që i ka bërë shqiptarët të ngrihen e të kërkojnë largimin e Ramës dhe qeverisjes së tij. “Mirëpo çka ndodhur tani, pas 35 ditësh. Nëse shpresa është ngjallur më shumë se kurrë në mbarë Shqipërinë, në të katër anët e vendit, ty të shohin si një kufomë politike dhe të ardhmen e shohin tek opozita, tek Lulzim Basha. Problemi është se krahas shpresës dhe besimit, neveria dhe padurimi për të të qëruar nga pushteti po bëhen aq të mëdha saqë mos provo kurrë të presësh një tjetër 18 prill apo 18 maj se të vjen fundi yt i tmerrshëm. Edi Maska, asnjeri në historinë e lirisë nuk ka keqpërdorur pushtetin ndaj qytetarëve të tij siç e ke përdorur ti katër vite dhe kjo është e gjithë arsyeja. Në katër vite, sipas statistikave të tua ti ke rritur katër herë varfërinë ekstreme në këtë vend. Pra, nëse ishim 15 mijë shqiptarë që jetonin në mjerim, sot sipas statistikave janë mbi 70 mijë shqiptarë që qajnë çdo mëngjes me lotë mjerimi se nuk kanë kafshatën e gojës”, tha Berisha.

Të rinjtë me lecka do të të kërrejnë, jo nga zyra, por nga bunkeri

“Këta djem dhe vajza dhe me lecka do të të kërrejnë dhe jo nga zyra, por nga bunkeri, nga tuneli, kudo që do të ndodhesh, kudo që do të jesh”. Me këto fjalë Berisha paralajmëroi dje fundin e pashmangshëm të Ramës, ndërsa tha se zgjedhja e Ramës për të mbajtur me çdo kusht pushtetin duke përdorur krimin e paratë e drogës është një zgjedhje fatale. “Edi Maska, edhe një herë po të rikujtoj se, ka ekzistuar në Panama një si puna jotë, i quajtur Noriega, edhe ai e mbushi vendin me drogë. Një ditë marinsat amerikanë zbarkuan dhe e gjetën në bunkerin e shkretëtirës dhe i dhanë 101 vjet burg. Po të jap fjalën, ik shpejt, se nuk do të vijnë marinsat amerikanë, por do të vijnë rambot e demokracisë, këta djem dhe vajza dhe me lecka do të të kërrejnë dhe jo nga zyra, por nga bunkeri, nga tuneli, kudo që do të ndodhesh, kudo që do të jesh. Largohu më mirë se po të pret një fund i tmerrshëm që ti e meriton, por që ne kemi vendosur të të heqim me një qeveri teknike që do të çojë vendin në zgjedhje. Pse je ti një njeri i pangopur dhe kërkon eurot për parajsën tënde, pse je ti përdorues droge dhe i droguar, pse shkon ti nëpër studiot televizive i droguar, pse vjen ti në Parlament i droguar, kjo nuk do të thotë që fëmijët e shqiptarëve të drogohen, kjo nuk do të thotë që fëmijët e fshatarëve dhe qytetarëve shqiptarë duhet të drogohen pse drogohesh ti. Ndaj ik se jo vetëm do të të largojmë, por me detyrim do të të bëjmë dhe testin e drogës e t’u tregojmë shqiptarëve se çfarë narkomani je ti dhe se pse ti do të drogosh fëmijët e tyre”, u shpreh ish-Kryeministri. “Edi Maska, ti ke bërë një zgjedhje fatale, se kur të vjen fundi të humbet mendja ty. Zgjedhja jote për t’i shpëtuar krimit të shëmtuar që ke bërë me kanabizimin e Shqipërisë, zgjedhja jote për t’i shpëtuar krimit të shëmtuar që ke bërë me lirimin e bandave dhe rikthimin e tyre në pushtet, zgjedhja jote për të vjedhur në mënyrë të papërmbajtur shqiptarët, varfëruar dhe përzënë ata nga vendi, zgjedhja jote për të bërë gjithçka për të qëndruar në pushtet dhe së fundi për t’u marrë votën atyre është zgjedhje fatale për ty”, tha Berisha.

Artikulli paraprakOBSH: Në Shqipëri vdesin çdo ditë 13.5 vetë nga ndotja e ajrit
Artikulli tjetërHetuesi i torturave, Xhafa ministër me votat e PS-LSI