Berisha paralajmëron Edvin Shullazin: Mos luaj me kokë!

Me urdhër të Ramës, Emiljano Shullazi ka kërcënuar pak ditë më parë Akademikun Mynyr Koni, duke i kërkuar atij tërheqjen nga gara për postin e Rektorit të Universitetit të Ramës, pasi në të kundërt do t’i rrëmbente atij djalin. Përballë Konit, kandidon Klodeta Dibra, këshilltare e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak, e mbështetur fuqimisht nga Rama. Ditët e fundit, kur gara për zgjedhjet në Universitet po bëhet edhe më e fortë, mbështetja e kandidates së Ramës sa vjen dhe bie. Këtë të enjte, Profesor Mynyr Koni ka marrë një kërcënim nga Emiljano Shullazi, i cili në zbatim të porosive të Ramës, i ka kërkuar akademikut të nderuar të tërhiqet urgjent nga gara përndryshe banda e tij do t’i rrëmbente djalin. Shullazi i ka kërkuar Profesor Konit që për të mos vënë jetën e tij në rrezik, të mos denoncojë e flasë për kërcënimin. Por kërcënimi s’ka mbetur me kaq. Po me porosi të Ramës, një ditë pasi kërcënoi Profesor Konin, Shullazi bashkë me bandën e tij, ka ndaluar me makina të blinduara tek Sheshi “Nënë Tereza” Rektorin aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kulen, duke i kërkuar të heqë dorë në mënyrë kategorike nga çdo mbështetje ndaj akademikut Koni, përndryshe familja dhe jeta e tij do të vihen nën shënjestrën e bandës. Denoncimi i kësaj ngjarjeje të rëndë u bë dje nga ish-Kryeministri Berisha në një konferencë të posaçme për shtyp. “Para tre orësh informohem se Edi Rama, për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës ka ngarkuar Emiljano Shullazin, për të përcaktuar se kush duhet të jetë rektor i Universitetit të Tiranës. Në zbatim të porosive të Edi Ramës, Emiljano Shullazi ditën e enjte ndalon njërin nga kandidatët, se nuk e di sa janë, akademikun e nderuar, Profesor Mynyr Koni, i cili është tek Shkencat e Natyrës, por nuk e di cila është fusha e Mynyr Konit. Një gjë dua të siguroj shqiptarët, që në memorien time ky person nuk ka pasur kurrë një lidhje me Partinë Demokratike. Kryebanditi Emiljano Shullazi i kërkon Profesor Mynyr Konit të tërhiqet nga gara ose do t’i rrëmbehet djali dhe i thotë se po fole ke kokën. Dje, profesori i nderuar Mynyr Koni ka paraqitur në mënyrë të papritur dorëheqjen. Po dje, banda e Emiljano Shullazit me tri makina të blinduara, se sot në Shqipëri qarkullojnë me makina të blinduara vetëm Edvin Shullazi dhe Emil Shullazi, se makinat e blinduara përveçse në raste shumë të veçanta janë të ndaluara, por Emili ka tre, ka ndaluar në mes të Sheshit “Nënë Tereza”, me tri makina, rektorin aktual të universitetit, i cili e dorëzon detyrën, Profesorin e nderuar Dhori Kule dhe i kanë kërkuar në mënyrë kërcënuese, ultimative, që t’i heqë çdo mbështetje Mynyr Konit”, tha Berisha. Ish-Kryeministri ka paralajmëruar Ramën, se në rast se një qime floku, pëson akademiku Koni, ose djali i tij, akademiku Kule ose familjarët e tij, në mënyrë absolute ta marrë si ultimatum, do të përgjigjet ai personalisht dhe as Gregu dhe askush tjetër. Ai i bëri thirrje akademikut Koni për të mos u tërhequr nga gara si dhe Profesor Dhori Kules të injorojë kërcënimet, ndërsa u bëri thirrje njëkohësisht qytetarëve që të ngrihen kundër bandës në pushtet.  “Së pari, për të paralajmëruar Edi Ramën, se në rast se një qime floku, pëson akademiku Mynyr Koni ose djali i tij, akademiku Dhori Kule ose familjarët e tij, ose cilido akademik në garë, në mënyrë absolute ta marrë si ultimatum, do të përgjigjet ai personalisht dhe as Gregu dhe askush tjetër. Do të përgjigjet në mënyrë personale, në proporcion absolut me atë që do të pësojë akademiku, sepse kjo kështu siç ecën, ky këtë kërkon. Ky bandit. Po çfarë t’i thuash këtij? Ju ndërsen bandat e tij akademikëve! Atëherë ata do të kenë një mbrojtje të plotë nga qytetarët e Tiranës. Së dyti, i bëj thirrje Profesor Mynyr Konit të mos tërhiqet nga gara. Unë nuk e njoh, por tërheqja nga gara është një përkulje para krimit. Unë i kuptoj shumë mirë rrethanat e tmerrshme që e kanë detyruar atë dje që të japë dorëheqjen, por të rikonsiderojë edhe një herë si qytetar vendimin e tij për të vazhduar garën. I bëj thirrje dhe kam besim të plotë në integritetin e Profesor Dhori Kules, që të tejkalojë këto kërcënime me integritet dhe dinjitet të plotë. Në rast se vjen puna që Edi Rama t’i zgjidhë në këtë mënyrë emërimet në universitet, ju bëj thirrje shqiptarët të ngrihen në mënyrën më të fuqishme, kundër këtij banditi që s’ka normë, s’ka ligj, s’ka moral, s’ka shtet, ka një bandë që terrorizon institucionet dhe qytetin”, u shpreh Berisha.

Ngjarje të tilla nuk ndodhën as gjatë diktaturës hoxhiste

Berisha i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm ose “të aktivizojë Prokurorinë e Tiranës ose rolin e petritit ta marrë Emiljano Shullazi, se kështu vendi nuk mund të ecë. Kështu në këtë vend nuk mund të ecet në këtë mënyrë”. Gjithashtu, ai i bëri thirrje Presidentit të Republikës, “të përdorë ato kompetenca që ka për t’u informuar saktësisht ndaj këtij akti të shëmtuar, ndaj këtij akti që tejkalon çdo lloj imagjinate”. “Këtu para jush kam denoncuar rastet, kur Emili i Partisë ka kapur me kthetra për fyti biznesmenë dhe ju ka thënë se duhet t’i dorëzojnë ndërmarrjen dhe ai ka shkuar dhe e ka denoncuar tek Edi Rama. Edi Rama u është përgjigjur: – hë mo se nuk është në gjendje të mirë, se çfarë ka këto ditë. Është bërë i qartë denoncimi që i ka bërë përfaqësuesi i Presidentit Barak Obama në Tiranë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, kurse ai kalon nga një akt kriminal në një akt tjetër kriminal. Atëherë vendi po shkon buzë greminës, por absolutisht faturën, njeriu që do të paguajë më shtrenjtë mbi tokë do të jetë Edi Rama, sepse këto veprime, nuk mund të tolerohen më tutje. Kjo është një situatë e rëndë, imagjinoni ju në detyra të tjera se çfarë bëhet. Unë mendoj se ky përbën një nga aktet më të rënda në historinë e vendit dhe shqiptarët, pavarësisht se nuk kanë të bëjnë me rektorin dhe as me atë që dorëzon detyrën, por duhet të vendosin vetë se cila është e ardhmja e tyre. A mund të jetohet në këtë mënyrë? Ky është veprim selektiv i Edi Ramës, poshtërues, kriminal, për t’i thënë botës akademike, se jo tek unë, por nën thundrën e Emilit jeni”. Ish-Kyeministri Berisha theksoi se ndërhyrja politike përmes bandave në zgjedhjet e universitetit është e paprecedent, e madje nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit komunist.  “Nuk e di nëse i kanë kërkuar apo jo më shumë se kaq, për arsye se unë, para se të vij këtu, nuk jam lidhur as me Profesor Mynyr Konin dhe as me Profesor Dhori Kulen, burimi është 100% i sigurt, se përndryshe unë nuk do të isha sot këtu para jush dhe as ju nuk do të ishit në zyrën time. Në këto rrethana, besoj unike në planet, ngjarje e tilla nuk ka ndodhur në mënyrë absolute as në ditët më të zeza të diktaturës hoxhiste, sepse pavarësisht se çfarë terrori ushtronte, të paktën në sipërfaqe diktatura përpiqej të përfaqësohej me personalitete. Nuk kam lexuar kurrë në jetën time në libra të përshkruhet një ndërhyrje e tillë në zgjedhjet e akademikëve, kurrë. Para kësaj situate dola këtu para shqiptarëve”.

Kërcënim me jetë akademikut Mynyr Koni dhe rektorit Dhori Kule

– Dy ditë më parë dekani tek Shkencat e Natyrës, i është mbyllur dera një kandidateje për rektorë, keni ndonjë koment, e kam fjalën për Klodeta Dibrën?
Absolutisht nuk kam asnjë dijeni. Po të them me sinqeritetin më të madh, por meqë po më pyet kam vetëm një koment, që në një nga fakultetet, më kanë dërguar një mesazh dhe do ta publikoj, ka vetëm një kandidat, që është kandidati i Lindita Nikollës dhe nuk ka të dytë, sesa është i vërtetë nuk e di, do ta verifikoj. Për këtë që thoni ju unë nuk kam asnjë dijeni dhe këtë që ju tregova këtu nuk bëj asnjë lidhje me asnjë kandidat, sepse ju garantoj se bandën e Shullazit e lëviz vetëm Edi Rama dhe t’i bie në qafë dikujt tjetër është shumë e gabuar.
– Ju thoni se Rama me anë të Shullazit po kërcënon kandidatët dhe nga ana tjetër ju i përgjigjeni Ramës me një tjetër kërcënim …?
Sepse Rama vetëm këtë gjuhë kupton. Rama që vepron në këtë mënyrë kupton vetëm këtë gjuhë dhe po të jetë e nevojshme absolutisht do ta demonstroj, pa asnjë hezitim, e di vetë ai. Kjo është shqip besoj.
– Hakmarrje?
Jo nuk është hakmarrje. Është përgjigje, është reagim. Asnjë hakmarrje. Po nëse ai i ndërsen njerëzit për t’i rrëmbyer djalin tjetrin, këtë nuk mund ta lëmë ne. Kjo është një shoqëri e qytetëruar. Përgjegjësia qytetare nuk pranon kurrë që kjo mund të tolerohet. Po Ramës po të mos i bëhej ky kërcënim që më thua ti mua, të nesërmen e 21 janarit e digjte Kryeministrinë, por kur e mori vesh se po të lëvizte bishtin do e merrte aty ku duhet, u tërhoq dhe nuk lëvizi vendit, veshi nja pesë palë antiplumba edhe iku. Do të thoni pse kjo gjuhë? Por mund të ndodhë në botë kjo. Ka njeri në botë që mund të imagjinojë t’i çosh akademikut, Shullazin për t’i rrëmbyer djalin, por Rama këtë gjuhë do. Atëherë jepi Çezarit atë që do.
– A shihni hapësirë për përfshirjen e ndërkombëtarëve për këtë?
Ndërkombëtarët nuk mund të zgjidhin dot këto punë. Çfarë mund të bëjnë ndërkombëtarët më shumë sesa në zërin e ambasadorit më të fuqishëm të botës në këtë vend, të deklarojnë se shëtit i lirë Emiljano Shullazi. Ai madje duhet të ruhet se mund ta kërcënojë Emili i Partisë.
– A keni kontaktuar ju vetë personalisht me dy akademikët dhe a keni ndonjë informacion se kush është pas kësaj?
Pas kësaj është vetëm Edi Rama.
– Po për personin që do e zëvendësojë pas dorëheqjes…?
Po të garantoj nuk kam asnjë informacion dhe as që jam marrë fare se kush po kandidon dhe kush nuk po garon. Nuk kam pasur asnjë interes për këtë proces.
– Pse duhet të përfshihet politika?
Sepse i duhet Kryeministrit. I duhet njeriu. Ky zotëria në jetën e tij në evidencat e PD nuk ekziston, por mbase është një akademik i pavarur. Kush e di pse. Kush ia marr vesh idetë Edi Ramës.
– Ju vetë nuk keni kontaktuar me akademikët?
Jo kurrë, me zotin Koni asnjëherë. Me zotin Kule, këto ditë jo, por dikur po. Po çfarë t’i thuash? Ka gjë më të turpshme. I dalin profesorit dhjetë banditë dhe e kërcënojnë mes sheshit “Nënë Tereza”. Çfarë t’i thuash atij?
– Nuk e dimë si do e marrë Edi Rama?
E kupton Edi. Le ta provojë të ndodhë. E kupton ai këtë gjuhë. Këtu ai është i kthjellët.
– Për vizitën e Ramës në Amerikë, ndonjë koment?
A mund të pyesni Shullazin për këtë punë…
– Kur thoni burim 100% i sigurt, çfarë është, qytetar dixhital, agjenci e zbatimit të ligjit?
Është personalitet i universitetit. Emrin nuk po ia bëj publik.

Artikulli paraprakBasha: Taksa e sheshtë do ulet në 9%, TVSH në 15%
Artikulli tjetërAkademiku Mynyr Koni: Nuk tërhiqem nga gara