Berisha: Betejën do ta fitojmë me çdo çmim dhe me çdo kusht

Ish-Kryeministri deklaroi dje nga sheshi i protestës qytetare se shqiptarët do ta fitojnë betejën me qeverinë e krimit dhe të bandave me çdo kusht dhe me çdo çmim. “Kjo është një betejë, të cilën ne do ta fitojmë me çdo çmim, me çdo kusht.
Pra, kjo betejë është betejë për çdo të ri shqiptar. Pse ne jemi këtu? Ne jemi këtu për të nxjerrë Shqipërinë nga Kolumbi e Europës. Do u dërgoj një mesazh të gjithë atyre, të cilët verën që kaloi ose sot arritën të marrin para si punëtorë krahu në plantacionet e drogës. Vërtet që keni marrë një grusht para, por është e vërtetë që nesër a pasnesër dhe vitet që vijnë, do të detyroheni të shisni dhe lëkurën tuaj për të çdroguar fëmijët tuaj, sepse drogën, baronët e drogës po e fusin me shpejtësi në shkolla ndaj mos vrisni me drogë të ardhmen tuaj. Bashkohuni me ne, t’u japim vendin këtyre trafikantëve dhe banditëve që duan të helmojnë rininë me drogë, që duan të errësojnë të ardhmen e tyre”, tha Berisha.
Berisha tha se për të parën herë ai po zhvillonte një seancë parlamentare jo në sallën e Kuvendit, por me qytetarët. “Në karrierën time politike kjo është dita e parë e parlamentit me qytetarët dhe ju jap fjalën se ndihem 100 herë, në mos një mijë herë më i nderuar, më i lirë, më krenar sot këtu me ju se sa atje në atë sallë, me ata, të cilët e shndërruan Parlamentin në komunitetin e kriminelëve më të rrezikshëm të vendit”, tha Berisha.

Gazetat në Belgjikë: Mark Frroku, vrasës në Belgjikë, deputet në Shqipëri

Shndërrimi i Parlamentit në arenën e të inkriminuarve ishte një tjetër denoncim i ish-Kryeministri Berisha dje, i cili solli në vëmendje se mediat ndërkombëtare vijojnë të ngrejnë çështjen e deputetëve të inkriminuar në Parlamentin shqiptar. Berisha citoi artikullin e gazetës kryesore belge, e cila dje në një editorial të saj shkruante për Mark Frrokun, ndërsa në Belgjikë akuzohet për vrasje në Shqipëri mban mandatin e deputetit. Por rasti i Frrokut nuk është rasti i vetëm i një deputeti të inkriminuar në Parlament.
“Duke ardhur këtu më dërgon një qytetar një sms dhe unë do ja u tregoj se çfarë ishte. Gazeta kryesore e Belgjikës hapet sot në mëngjes përsëri me histori krimi të pushtetit shqiptar, ‘Mark Frroku, vrasës në Belgjikë dhe deputet në Shqipëri’. Artikulli thotë se prokurori në Shqipëri i kërkoi 16 vjet burg për vrasje, por artikulli sërish thotë, se kryeprokurori Rama po bën gjithçka për ta nxjerrë të pafajshëm. Artikulli thotë se i afërt dhe i mbrojtur nga pushteti, vrasësi deputet është i paprekshëm. Çdo herë që ulesha në Parlament dhe shihja këtë vrasës të shëmtuar në anën tjetër, ndjehesha në një vështirësi të jashtëzakonshme morale, në radhë të parë para jush të dashur qytetarë. Ktheja sytë në krahun tjetër, shikoja tjetrin kriminel, që në shkatërrim dhe shkelmim të plotë të traditës të tij familjare dhe të çdo tradite familjare shqiptare, kishte tregtuar vajzat e Lezhës, i kishte shtyrë ato drejt prostitucionit. Por nuk ishte i vetëm Ndoka aty. Aty ishin jo një apo dy, por mbi 19 si ky. Dhe ndonjëherë mendoja me vete, po të shkoj në një burg dhe të më nxjerrin përpara 140 të burgosur, a do të gjej kund dot 19 të burgosur më kriminelë se sa këta që kam sot në Parlament?! Dua t’u them se çështjen e krimit, PD dhe kryetari i saj, deputetët e saj e kapën në krye të radhës si një çështje jetike për ju dhe për vendin. Pikërisht se e kemi të tillë, dolëm jashtë Parlamentit. E bëmë çështjen e krimit në Shqipëri një çështje ndërkombëtare, çështje të Europës, çështja të Departamentit të Shtetit. Për herë të parë në memorien time, institucione të mëdha ndërkombëtare publikisht thanë se PD ka të drejtë që braktisi Parlamentin dhe ato iu imponuan kryebanditit”.

Policia nuk hapi hetim ndaj Ndokës për plagosjen

Bashkëpunimi i ngushtë i pushtetit me bandat u demonstrua edhe me ngjarjen e disa ditëve më parë në Lezhë, ku nipërit e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, i cili la mandatin për shkak të precedentëve kriminalë, dhunuan me armë ish-kreun e PS për këtë qark, por policia nuk regjistroi asnjë procedim penal ndaj tyre.
“Ka shumë njerëz që më thonë pse tregohesh kaq i ashpër, ju them se koha do e tregojë këtë. Shqipëria ka banditë dhe vrasës, por serial killer dhe kryebandit është ky këtu (Rama), sepse është ky që familjarisht është i lidhur me klanet e kokainës, është ky që çon të vëllain e tij shofer të Genc Xhixhës, bosit të kokainës së Xibrakës. Është ky ai që liron e mban në Parlament Mark Frrokun, është ky dhe jo ndonjë tjetër që përdor gjithë forcën e shtetit, madje edhe levat ndërkombëtare, për të mbrojtur një hajdut ordiner, një vrasës e kriminel si Armand Prenga, i cili shkon dhe qëllon në seli të komisariatit ata që shkuan e u ankuan për të”, tha Berisha.
Ai theksoi se është ky e jo ndonjë tjetër që liron Hakmarrjen për Drejtësi, të cilën e dënoi drejtësia kur socialistët ishin në pushtet. Berisha kujtoi se ish-ambasadori Jefrey bëri gjithçka që të bëhej drejtësia kur ekzekutuan pak metra prej nesh shoferin e prokurorit të Përgjithshëm. “Është ky kryebandit dhe vrasës serial, që Kostandinin e Luizës, pasi ekzekutoi 4 të rinj djem nënash në një mëngjes këtu në Tiranë, pasi kishte vrarë një tjetër të ri një vit më parë, e hoqi nga dënimi përjetë; dhe nxori në tapet të kuq nënën e tij si korbë e krimit, e cila në vend që të ndrydhej, të qante për krimin e shëmtuar të të birit, të qante për nënat që veshi në zi, dilte e rrihte gjoksin me një paranojak se po jepte dorëheqjen”, u shpreh ish-Kryeministri.
“Është ky dhe jo ndonjë tjetër, që mbante në zyra Shullazin dhe që e shtynte t’i thoshte rektorit tërhiqu se të marr djalin peng. Është ky ai i cili merr mesazhe nga Dritan Dajti, merr mesazhe nga Zani Çaushi, merr mesazhe nga vrasësit serialë dhe komunikon me ta si shok i tyre. Është ky dhe jo ndonjë tjetër, që pasi liroi Hakmarrjen për Drejtësi, ka dërguar Aldo Baren në gjykatë dhe u thotë gjyqtarëve  se me shpatën e Vettingut të drejtësisë do u presë kokën nëse nuk e lirojnë njeriun që preu koka njerëzish në Lushnjë dhe i përdorte si top futbolli.
Është ky kryebanditi, është ky serial killeri, është ky kryehajduti  i vendit, dhe derisa ne të mos bindim çdo shqiptar, përgjegjësia është e jona dhe jo e atyre që janë të pabindur. Duhet të ulemi një më një me çdo qytetar e t’i tregojmë se ja kush është ky që drejton sot ekzekutivin e vendit. A mundet ne të votojmë në këtë mënyrë?”, vijoi ish-Kryeministri.
“Çfarë ndodhi pardje në Lezhë? Nënprefektin e Lezhës, ish-kryetarin e PS, ish-deputetin e Lezhës, Agostin Marku i dalin banditët e drogës, nipat e Ndokës, e shtrijnë në mes të rrugës, i gjuajnë me revole dhe policia nuk guxon të hapë çështje, dhe vetëm pas reagimeve të fuqishme detyrohet ta bëjë. Por kur ata, për ish-kryetarin e tyre e bëjnë këtë, çfarë mendoni se do të bëjnë këta për votën tuaj, për fëmijët tuaj? Përkundrazi. Janë këta që shtypin si krimbat çdo qytetar që i nënshtrohet”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri theksoi se fundi i këtij pushteti që sot mbahet në këmbë nga bandat është i pashmangshëm.
“Ne, këtë betejë nuk e nisëm sot. Sot apo më 20 shkurt ne i vumë kurorën finale për të mos dalë kurrë nga kjo çadër të gjallë pa vendosur në vend ligjin, vullnetin tuaj, votën e lirë, të ardhmen e shqiptarëve.
Beteja me krimin është beteja më e vështirë, më e rrezishme, por absolutisht, me guximin e qytetarëve ai bëhet pluhur më shpejt se çdo gjë tjetër. Banditët me pushtet hiqen si trima, vrasin e presin, banditët nën presionin e ligjit gjejnë vrimat e miut për t’u futur dhe ata do t’i detyroni ju shumë shpejt t’i gjejnë”, tha Berisha.

Shqiptarët vranë frikën, 38 mijë të arrestuar më 2015

Prezenca masive e qytetarëve në protestën e 18 shkurtit dëshmoi se shqiptarët e kanë frikën dhe janë gati sot t’i japin fund regjimit të krimit në pushtet. Berisha kujtoi dje në bashkëbisedimin me protestuesit në çadrën e lirisë terrorin e ushtruar nga qeveria Rama përmes arrestimeve të pjesës më vulnerabël të shoqërisë, të varfërit e të pamundurit.
“A e dini ju se cili ka qenë mesazhi hyjnor që më ka ardhur mua nga 18 shkurti? Me qindra qytetarë më shkruanin ‘e vramë frikën sot dhe ne do të fitojmë’. Por a kishin të drejtë këta? Kishin, se bijtë e etërve xhelatë arrestuan sipas statistikave të tyre, në vitin 2015, 38 mijë qytetarë shqiptarë. Ata nuk ishin me imunitet si ne deputetët, nuk ishin të mëkëmbur, ata ishin të varfërit dhe hallexhinjtë e këtij vendi. Prej tyre, 22 mijë vetëm për llambën elektrike u futën në burg. Etërit e tyre ishin terroristë, etërit e tyre ishin kriminelët më të mëdhenj të historisë kombëtare, ata ekzekutuan me gjyq edhe pa gjyq me dhjetëra mijëra. Por në fushatën e arrestimeve në vitet ‘45-‘47 arrestuan 27 mijë shqiptarë, pra 10 mijë më pak se Edvin Kristaq Rama më 2017. Jam 100% i sigurt në fitore, kurrë në jetë nuk kam qenë më i sigurtë se sa sot në fitoren e kësaj beteje. Kam një thirrje. Këtu para jush, para se të mblidheshim një zonjë nga Durrësi lëshoi një kushtrim; i bëj thirrje intelektualëve të ngrihen, tha. Edhe unë u bëj thirrjen më miqësore intelektualëve të ngrihen. Ne intelektualët që kaluam vite e dekada në diktaturë e mbështetëm fuqishëm diktaturën qoftë me heshtjen tonë, duke qenë ne shumicë e heshtur diktatura jetoi nga viti në vit e nga dekada në dekadë, dhe kjo duhet të na shoqërojë gjithë jetën si një brejtje e madhe e ndërgjegjes. Dhe kjo duhet të jetë një thirrje e madhe që vjen nga thellësitë e ndërgjegjes tonë. Kurrë më të mos konformohemi, por të ngrihemi fuqishëm kundër të keqes çdo ditë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u bëri thirrje intelektualëve të mos heshtin ndaj situatës që sot ka përfshirë vendin.
“Intelektuale dhe intelektualë, edhe ju që nuk keni jetuar diktaturën, kujtoni një shprehje të Burkes, i cili thotë ‘e keqja nuk kërkon asgjë tjetër që të triumfojë përveç indiferencës së njerëzve të mirë’, përveç konformizmit të intelektualëve pra, përveç heshtjes së tyre. Mos u bëni bashkëfajtorë në këtë reagim kriminelësh, në këtë regjim banditësh, se ju që të gjithë mund të lexoni për politikën dhe do të gjeni se më i keqi i të gjitha regjimeve, më i keqi i të gjitha diktaturave dhe oligarkive është banditokracia. Ndaj të ngrihemi, frymëzohuni nga ata qindra e mijëra burra që vërshuan drejt Tiranës dhe erdhën këtu. Absolutisht të paktën 100 mijë prej tyre, erdhën me vullnetin e hekurt për ta fshirë nga faqja e dheut këtë ndërtesë dhe klikën e urryer. Por vendosën me përgjegjësi qytetare të qëndrojnë në fibrën e tyre qytetare, në guximin e tyre, të qëndrojnë të pamposhtur në këtë çadër, në çdo vend gjer në fitore”, u shpreh Berisha.

A.Shahini

Artikulli paraprakDrejtësia e falsifikuar, e kthyen Kushtetutën në një prostitutë
Artikulli tjetërMinatorët kërkojnë zbatimin e menjëhershëm të ligjit për Trepçën