Berisha i bind të gjithë

Etrit Berisha është njeriu i momentit te Atalanta. Falë paraqitjeve fantastike të gardianit kuqezi, i cili i ka vendosur kyçin portës, skuadra bergamaske po fluturon në tabelën e klasifikimit. Falë formës së shfaqur gjatë kësaj periudhe, Berisha ka arritur të ulë përfundimisht në stol Marco Sportiellon, i cili cilësohej si një nga portierët më të talentuar të Serisë A, deri në ditën që 27-vjeçari nga Prishtina u bë pjesë e skuadrës zikaltër. Në 6 javët e fundit të kampionatit, Etrit Berisha ka pësuar vetëm 2 gola me Atalantën e Gianpiero Gasperinit që ka arritur të grumbullojë plot 16 pikë duke koleksionuar 5 fitore dhe një barazim dhe duke bërë më mirë edhe se vetë Juventusi që kryeson klasifikimin.
Në Atleti Azurri D’Italia, Etrit Berisha ka fituar zemrat e të gjithëve dhe drejtuesit e Atalantës pas paraqitjeve fantastike të portierit shqiptar kanë vendosur ta blejnë përfundimisht kartonin e tij. Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane “La Republica”, Lazio ka shfaqur interes për Alberto Paloschin, por për të lejuar largimin e sulmuesit italian në merkaton e janarit Atalanta kërkon që në marrëveshjen mes palëve të përfshihet kartoni i gardianit kuqezi. Igli Tare, drejtori sportiv i bardhekaltërve u ka bërë të qartë drejtuesve të Atalanës se kërkon 3.5 milionë euro për të lënë përfundimisht të lirë Berishën. Në krahun tjetër Atalanta kërkon 5,5 milionë euro për kartonin e Paloschit dhe në këtë kontekst, Lazio përveç se t’i japë kartonin e Berishës duhet të paguajë edhe 2 milionë euro në arkat e Atalantës që kjo marrëveshje të realizohet.

Artikulli paraprakZhgënjejnë Real Madrid dhe Juventus
Artikulli tjetërBalaj, Roshi dhe Berisha, në formacionin e javës në Rusi