Berisha: Dua të qëndroj te Atalanta

Etrit Berisha e bën të qartë se mbetet Atalanta zgjedhja e tij e parë edhe për sezonin e arshshëm. Portieri shqiptar kartonin e të cilit e zotëron Lazio, kërkon që klubi bergamask të vihet në lëvizje për ta blerë nga kryeqytetasit, pasi gjatë këtij sezoni ai ka shpërthyer përfundimisht me fanellën zikaltër. “E pranova Atalantën pasi fola me drejtorin Sartori dhe trajnerin Gasperini, të cilët më dhanë besim. Fjalët e tyre ishin shumë të rëndësishme për mua”, thekson Berisha në një intervistë për mediat italiane.
Në vijim të intervistës ai shton se bëri zgjedhjen e duhur për t’u larguar nga Lazio gjatë verës së shkuar sepse Atalanta ishte skuadra ideale për të nxjerrë në pah cilësitë e tij. “Ëndrra ime? Të luaj në Champions League sepse deri në këtë pikë të karrierës kam përjetuar vetëm fazën paraeliminatore të këtij kompeticioni. Gjithashtu shpresoj që në të ardhmen të jem pjesë e një skuadre të madhe në Itali ose në një kampionat tjetër. Nuk kam diskutuar ende me drejtuesit e Atalantës, por do të më pëlqente shumë nëse do ta vazhdoja aventurën me Atalantën”, thekson portieri shqiptar që gjatë këtij sezoni numëron 21 ndeshje si titullar në Serie A, duke e ndihmuar skuadrën të qëndrojë në vendin e 5 që siguron edhe biletën e fundit për në Europa League.

Artikulli paraprakMeta: Sjelljet diktatoriale ndaj opozitës, të gabuara
Artikulli tjetërTallja e gazetarit Rakipi me Ramën: Të kanë rënë qerpikët