Berisha deklaron: Kjo mazhorancë largohet para Dhjetorit

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi se mazhorancën nuk e zë dhjetori, ndërsa deklaroi se krimi i organizuar ka marrë përmasa akoma më të mëdha se në Elbasan në qytetin e Shkodrës. Berisha akuzoi Ramën si kryekumbarin e Shqipërisë, duke i kujtuar lidhjet me krimin e organizuar dhe mbushjen e Parlamentit me vrasës dhe kriminelë.
“Së pari, ftoj mediat që të fokusohen me të gjithë potencialin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar pasi, po del e qartë si drita e diellit çdo ditë, se Shqipëria është në darën e tmerrshme, në sundimin e plotë të qeveritarëve të drogës, qeveritarëve të krimit. Në këtë kontekst dua t’ju them se, ajo që shpërtheu në Elbasan, dy herë mos të them tre herë më agresive është në Shkodër, qytet nga i cili po ikin biznesmenët, po i dorëzojnë krimit bizneset, sepse serial-killerat dhe trafikantët në Shkodër bëjnë ligjin në çdo sekondë të 24 orëshit. Vlorën e patë vetë në çfarë katandisje është. Më pyetët për deklaratën. Deklarata është kjo: Shqipëria ka një krye të meduzës së krimit të organizuar, dhe kreu i meduzës së krimit të organizuar është Edi Rama, dhe çdo deklaratë që i devijon kësaj absolutisht nuk e ndihmon luftën ndaj krimit, por përkundrazi në një farë mënyre i jep strehë atij që është koka e meduzës”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se heqja e të drejtës së fjalës së opozitës në Parlament është një inkurajim për krimin e organizuar.
“Për mua, kryekumbara i Shqipërisë është Edi Rama, sepse kur ju kërkua të mos vendosë Artur Bushin e vendosi, është Edi Rama se shkoi dhe u tha shqiptarëve se burrë më të ndershëm se Elvis Rroshi nuk ka. Është Rama, që zhgërryhet ditë e natë me don Lalën, është Edi Rama që ka zonën e vetë elektorale Vlorën. Është Edi Rama që ato 5 vota që merr në Shkodër, i merr përmes bandave të krimit. Është Rama, që mbushi Parlamentin me vrasës, trafikantë, është Edi Rama, pasi familjarë të së cilit, i vëllai Olsi ka kaluar disa herë kufrin me makinën e famshme të kokainës që unë e denoncova në Parlament.
Nëse flasim për krimin duhet të flasim për Edi Ramën, nëse nuk flasim për Edi Ramën dhe krimin, ne atëherë mbrojmë Edi Ramën”, tha Berisha.

Paralajmërimi i Berishës për Ruçin dhe metodat hoxhiste

-Zoti Berisha, a mund të fokusohemi tek çështja e ditës që është Reforma Zgjedhore?

Faleminderit për pyetjen. Kjo shumicë po tregon, se dhjetorin, siç e ka nisur nga frika dhe tmerri, nuk e zë. Kanë frikë nga fjala. Çpo kërkon opozita? Po kërkon që ky komision, në dritën edhe të raportit të OSBE/ODIHR-it të mblidhen në diskutim, ndërkohë këta s’duan diskutim. Këta kanë frikë nga fjala. Gramoz Ruçi po fut në Parlament metodat e vjetra të Policisë Sekrete hoxhiste në drejtimin e saj. Dhe e paralajmëroj në mënyrën më serioze, të heqë dorë se janë absolutisht të patolerueshme.

-Votimi elektronik është i mundshëm?

Eshtë jetik për votën e emigrantëve, është jetik për votën e qetë të shqiptarëve, është plotësisht i mundshëm.

-Asnjë nga institucionet europiane nuk e kanë qejf, nuk e kanë konfirmuar…

Absolutisht e vërtetë kjo, që OSBE/ODIHR nuk e preferon shumë, nuk po i hyjë të shpjegoj se pse. Kjo është metodë që po vjen gjithnjë e duke u rritur, duke zënë vend më shumë. Aplikohet në një seri shtetesh si Anglia, Britania e Madhe.

-Një koment për platformën e Lëvizjes për Ringritjen e PD….

Unë nuk kam parë gjë, kam lexuar në media. Nëse është ajo origjinalja, i dorëzohet Kryesisë së PD, i dorëzohet PD dhe bëhen vlerësimet. Unë jam jashtë çdo funksioni nga PD siç e dini.

 

Artikulli paraprakBasha-Ramës e Ruçit: Keni lepurin në bark, s’dini nga t’ia mbani, jeni ilegjitim
Artikulli tjetërProteste në Lekaj kundër Landfillit