Belgjika: Shqipëria jo vend i sigurtë, rrezikojmë rikthimin e vizave?

Belgjika ka vendosur ta shpallë Shqipërinë si një vend jo më të sigurtë. Vendimi është një shuplakë e fortë për qeverinë, dhe është një paralajmërim i keq për rikthimin në rend të ditës të Europës të heqjes së vizave për shqiptarët. Një nga kriteret kryesore që Shqipëria plotësoi në heqjen e vizave ishte pikërisht klasifikimi si një vend i sigurtë. Tani që kryeqyteti i Evropës, Brukseli zyrtar e ka shpallur Shqipërinë si një vend jo të sigurtë, rreziqet rriten më shumë për lëvizjen e lirë.
“Lajmet e këqija për Shqipërinë nuk kanë të sosur. Në kulmin e sezonit turistik dhe në prag të diskutimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Belgjika ka vendosur ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta”, tha Ristani.
Sipas tij, lufta kundër krimit dhe trafiqeve bëri që në vitin 2012, Belgjika ta fusë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta. Ky vendim i rëndësishëm i parapriu vendimit për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Schengen. Por, prej tre vitesh, nën qeverisjen e Edi Ramës, standardet e sigurisë kanë shkuar në zero dhe janë ngritur në maksimum lehtësitë e mbështetja për krimin, për trafiqet, për drogën që ka mbuluar çdo pëllëmbë të vendit, për trafikun e armëve, për grabitjet me maska”, tha Ristani.
“Asnjë vend i Bashkimit Europian, asnjë vend demokratik nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku me urdhër të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, fshihet urdhër-arresti ndërkombetar i INTERPOL, siç ndodhi në rastin e Mark Frrokut, apo ku policia ndihmon në arratisjen e Arben Frrokut të dënuar përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend, ku kryeministri zëvendëson ligjin me sundimin e bandave, ku krimi është veshur me pushtet dhe pushteti me krim; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend ku trafikantë droge, tutorë prostitucioni e përdhunues, bëhen deputetë, kryetarë bashkish, e drejtues të lartë të administratës dhe Policisë së Shtetit; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend që, me bekimin e kryeministrit dhe nën mbrojtjen e ministrit të Brendshëm, është kthyer në hambar droge, kufijtë janë bërë inekzistent përballë trafikut dhe deti është pushtuar nga skafet që transportojnë drogë; asnjë vend i Bashkimit Europian nuk mund të pranojë si të sigurtë një vend, ku në një pikë të rëndësishme të sigurisë kombëtare si Aeroporti, grabiten me armë miliona euro, policia refuzon të bëjë detyrën dhe pastaj gënjen, dhe kryeministri hesht, ndonëse njerëzit e tij më të ngushtë si Eno Bushi, avokati i tij, janë aksionerë të firmës së sigurisë”, shtoi Ristani.
“Heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta mund të sjellë ndëshkim të qytetarëve shqiptarë, mund të verë në lëvizje mekanizmin e rikthimit të vizave, dhe kjo për fajin e një personi. Për fajin e Edi Ramës dhe lidhjeve të tij të tmerrshme kriminale. Për faj të Edi Ramës që hesht prej 5 ditësh pas rënies së Aeroportit të Rinasit. Hesht, sepse është i kapur. Për turpin e tij, ministri i Brendshëm është angazhuar ta heqë përgjegjësinë nga vetja, por sot u faktua ajo çfarë Partia Demokratike e denoncoi që të shtunën. Përfaqësuesja e Aeroportit saktësoi sot se policia është njoftuar në kohë rekord për ngjarjen dhe se policia ishte vetëm pak metra larg vendngjarjes, por nuk reagoi. Heqja e Shqipërisë nga lista e vendeve të sigurta është një vendim dramatik, pasi mund të rikthejë regjimin e vizave, është një kambanë alarmi, pasi mund të ketë ndikim dhe në vende të tjera të BE. Edhe më i rëndë bëhet ky vendim, kur mësohet se në listën e vendeve të sigurta janë të gjithë shtetet e rajonit, Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia. Eshtë përjashtuar pra vetëm Shqipëria. Ky është realiteti i hidhur, ku është futur Shqipëria nën drejtimin e Edi Rames. Largimi i tij është emergjencë kombëtare, pasi izolimi i vendit për faj të tij sapo ka nisur”, mbylli deklaratën e tij Ristani.

Si do të ndikojë vendimi i Belgjikës

Vendimi parashtron se një vend është i sigurtë vetëm në rastet, kur provohet se shtetasit e atij vendi nuk persekutohen. Belgjika nuk është sot e bindur se në Shqipëri qytetarët e saj nuk persekutohen nga qeveria. Kjo ka ardhur pas një sërë denoncimesh. Mijëra qytetarë që kanë kërkuar strehim në Belgjikë kanë paraqitur prova nga më të ndryshmet në shkeljen e të drejtave të njeriut. Ata kërkojnë azil dhe të mos rikthehen në Shqipëri. Shkelja e të Drejtave të Njeriut provon farsën e demokracisë sot në Shqipëri. Pasiguria, papunësia, varfëria e shoqëruar me një qeverisje të inkriminuar janë të mjaftueshme për një vend si Belgjika që ta klasifiojë Shqipërinë si të sigurtë. Në vendime të tilla është e rëndësishëm të kuptohet se jo vetëm vendi, por edhe qytetarët e atij vendi nuk janë të sigurtë. Për Belgjikën një tjetër tregues i kësaj situate është edhe numri i madh i emigrantëve që janë larguar nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. A do të pasohet ky vendim nga vendet e tjera të Bashkimit Europian? Kjo mbetet për t’u parë gjatë javëve të ardhshme. Ndër kriteret që Shqipëria duhet të plotësonte për liberalizimin e vizave, siguria ishte prioritare. Jo vetëm siguria e kufijve, por deri edhe tek siguria e doganave. Pasaportat biometrike ishin një tjetër kriter i forcimit të masave të sigurisë që u ndërmorr në ato kohë. Në të gjithë kompleksitetin e vet procesi i liberalizimit të vizave kishte si themel të saj sigurinë, kur kjo kolonë po rrëzohet atëherë vihet në pikëpyetje edhe lëvizja e lirë.

Artikulli paraprak4800 shqiptarë ikën me ambasadat në ’90, 300 mijë plotësuan dokumentat në 2015
Artikulli tjetërNuk janë qen Çani janë larva