Bejlegu i 8 janarit

Tregon At Zef Pllumi tek libri “Histori kurr e shkrueme”

Dy vetë në malsi andej, para 100 vitesh, kërkonin ta zgjidhnin konfliktin me bejleg. Bejleg quhet dueli tek për tek, deri në vrasje. Kush e vret tjetrin, quhet fitues.

Kishte ndërhyrë prifti, kishte kërkuar që për hatrin e Zotit, dueli të mos ndodhte. Kishte thënë se kjo është kundër Zotit dhe traditë barbare e kohëve të shkuara. Kishin ndërhyrë edhe burra të nderuar për ta parandaluar atë mizori.

Siç e shohim, edhe para 100 vitesh në popullsi më të militarizuar se sot, kjo quhej mizori dhe barbari. Kërkohej që konflikti të zgjidhej me gjyq.

Sot në një epokë më civile, më pak të militarizuar dhe në tentativë për të qenë sa më pak barbarë, kthehet bejlegu. Më dil tek për tek në duel dhe ta shohim cili është më i egër e më i rreptë. Po ndërhyri ndonjë autoritet për ta ndaluar konfliktin dhe gjakderdhjen, nuk janë burra njëra palë. Drejtësia përcaktohet nga kapaciteti për dhunë. Errësirë mendore dmth.

Pse ndodh kjo? Pse njerëz të cilët janë mbajtur për të paqtë dhe të arsyeshëm, pēr shkollarë dhe të urtë, papritur katandisen tek mendësia e bejlegut?

Psikanaliza frojdjane thotë se njeriu lind lakuriq. Me kalimin e kohës i mvishen kultura, morali, tabutë dhe turpi. Mirëpo në shumë raste këto janë veshje e hollë dhe grisen shpejt. Në momentin kur grisen, njeriu mbetet prapë lakuriq dhe hyjnë në veprim ato instiktet të cilat kultura e morali ia mbajnë nën kontroll.

Ato instikte janë gjaksore ose ato që i quajmë perversione. Çdo luftë, çdo vjedhje e grabitje, çdo perversion dhe përdhunim, është zhveshje e hedhje tej e kulturës, moralit dhe vetëpërmbajtjes në emër të qytetërimit.

Çdo bejleg gjithashtu; zhvlerëson autoritetet që japin drejtësi, zhvlerëson të gjitha instancat dhe të gjitha gjykimet racionale dhe kërkon që forca ta përcaktojë cili ka të drejtë. Kërkon që poshtërimi i tjetrit t’i japë të drejtë e ta legjitimojë poshtëruesin.

Pse nuk u prit një vendim gjykate dhe një verifikim i proceseve në emër të të cilave u nis tentativa për nxjerrje me zor nga selia? Sepse ishte grisur dhe ishte hedhur tej veshja e moralit, kulturës dhe racionalitetit që përmban njeriun dhe kishte ndodhur kthimi tek instiktet bazë. Tek instiktet gjaksore, instiktet për imponim, dominim dhe poshtërim të tjetrit.

Gjithmonë në çdo shoqëri ku ndodhin zhveshje të tilla është një person apo një grupim i cili i bind e i nxit njerëzit për tu zhveshur nga rroba e cila kufizon dhe menaxhon instiktet. Po fundja njerëzimi i tillë problem është.

Artikulli paraprakShteti europian do të nisë vaksinimin me dozën e katërt anticovid
Artikulli tjetërPallate te fusha e sportit, Andi Lila letër të hapur për tjetërsimin e pronës publike