Bëhen për në spital tre studentë tek Ekonomik nga persona të panjohur, policia nuk ndërhyn

Një sherr masiv ka ndodhur në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë. Rreth 20 persona të paidentifikuar kanë sulmuar studentët, duke lënë të plagosur rëndë 3 prej tyre.

Ndërkohë policia e Tiranës nuk ka marrë asnjë përgjegjësi dhe nuk ka nisur asnjë hetim në lidhje me këtë përleshje të ndodhur në ambientet universitare, duke ia hedhur fajin policisë private.

Sipas burimeve, në zhvillim e orarit të mësimit (rreth orës 19:00) në auditor kanë hyrë dy persona të paidentifikuar nga klasa, të cilët kanë marrë pjesë në mësim, duke thënë se ishin njerëz të dërguar nga dekani.

Pedagogia e lëndës nuk ka ndërhyrë duke lejuar që të hyjnë në mësim. Gjatë orës së mësimit dy djemtë kanë ngacmuar vajzat e klasës (edhe me fjalë banale) duke krijuar edhe sherre të vogla mes djemve  të klasës dhe dy personave të paidentifikuar.

Sërish pedagogia nuk ka ndërhyrë, por ka mbyllur leksionin. Kur studentët kanë dalë jashtë dhe aty janë përballur me një grup prej 20 vetash, të cilët i janë sulur të gjithë studentëve. Këta persona jo studentë kanë gjuajtur edhe vajzat.

Nga ky sherr janë plagosur rëndë 3 studentë, ndërsa ka edhe studente me lëndime të lehta. Disa nga personat e lënduar janë dërguar në urgjencën e Spitalit të Traumës.

Policia ka mbërritur në spitalin pasi janë thirrur nga familjarët e të plagosurve. Por policia e Tiranës është shprehur se, nuk është përgjegjësi e tyre, pasi Fakulteti ka polici private.

Ndërkohë që asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësi apo hapa të mëtejshëm për zbardhjen e ngjarjes, të lënduarit dhe studentët ndihen të pasigurtë për rikthimin në ambientet e auditorëve.

Artikulli paraprakÇfarë po ndodh në Shkodër…!
Artikulli tjetërArrestohet shoferi i FNSH, ishte në kërkim për dekonspirim të operacioneve të policisë