BE: Reforma historike, të nisë zbatimi menjëherë

Përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian ka reaguar dje në lidhje me miratimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa kanë kërkuar nisjen e menjëhershme të zbatimit të kësaj reforme. Drejtuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini dhe Komisioneri europian për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, Johannes Hahn përshëndesin miratimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Ata vlerësojnë politikën për maturinë dhe kërkojnë të nisë menjëherë zbatimi i kësaj reforme historike. “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese, të cilat përbëjnë dispozitat për një reformë të thellë të sistemit gjyqësor. Ne urojmë popullin shqiptar, qeverinë dhe të gjitha forcat politike që treguan pjekurinë dhe përgjegjësinë për të bërë të mundur këtë vendim historik. Ky hap i paprecedent vjen pas një kërkese të gjatë nga shumica dërrmuese e qytetarëve për drejtësi të përgjegjshme, të pavarur dhe transparente. Reforma është gjithashtu një kontribut i madh për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto janë edhe prioritetet kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE”, thuhet në deklaratën e tyre. “Tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me qëllim që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem gjyqësor i bazuar në mënyrë të vendosur në standardet europiane”, theksohet më tej. Nga ana tjetër, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein në një intervistë për “News 24” vlerësoi miratimin unanim të Reformës në Drejtësi, ndërsa tha se pas këtij hapi mbetet zbatimi i saj me transparencë. Nga ana tjetër, ai theksoi se, “tani është momenti për një hap tjetër për Shqipërinë, atë të hapjes së negociatave me BE-në. Do t’i kërkojmë Këshillit Europian hapjen e negociatave, është momenti i duhur”. Fleckenstein theksoi ndër të tjera se, qëndrimet e tij dhe të komisionerit Hahn kanë qenë të njëjta dhe se nuk ka pasur asnjë keqkuptim mes tyre. “Unë kam folur me komisionerin Hahn, nuk kemi pasur ndarje, ne bashkëpunojmë ngushtë”, tha ai. Sa për rolin e ndërkombëtarëve në miratimin e reformës, Fleckenstein u shpreh: Një vend ka detyrë ta miratojë dhe zbatojë reformën, është momenti që ata të marrin këshilla nga komuniteti ndërkombëtar, por i takon Shqipërisë të përcaktojë çfarë dëshiron të vendosë. Jam i lumtur për këtë që bënë. Politikanët në Shqipëri janë mëse të përgatitur që të vazhdojnë rrugën e nisur, popullit, shoqërisë civile i takojnë të shikojë çfarë po bën politika, sa për komunitetin ndërkombëtar, ne duam më të mirën për Shqipërinë. Do të bëjmë gjithçka është e nevojshme për ta mbështetur. Po shikojmë vullnetin e të dyja palëve, na duhet durim për të parë zbatimin. Duhet transparencë, nëse është kështu do të shihni më të mirën për vendin tuaj”. Lidhur me negociatat me palët politike në Shqipëri raportuesi për Shqipërinë në PE nuk ngurroi të thoshte se e patën të vështirë. “E patëm të vështirë të gjenim një rrugë të përbashkët me partitë se përpiqeshin të gjenin fajin, por në fund e gjetën një mënyrë konstruktive. Të gjithë kanë kontribuar, arrritën ta menaxhonin situatën”. Miratimin me konsensus të Reformës në Drejtësi e ka përshëndetur edhe eurodeputeti Eduard Kukan. “Përshëndes miratimin unanim të paketës për Reformën në Drejtësi. Zbatimi i reformës është çelësi për drejtësi të pavarur dhe të përgjegjshme. Reforma i hap rrugë ambicies së shqiptarëve në procesin e integrimit”, shkruan eurodeputeti në Twitter.

Artikulli paraprakMediat e huaja jehonë miratimit të Reformës
Artikulli tjetër7 ligjet që pritet të miratohen