BE heton Romanën, 11 pyetjet e Komisionit në PE që e rëndojnë

Çështja “Vlahutin” mbërrin në Bruksel. Kryetarja e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentin Europian, Inberborg Graessle është shprehur e shqetësuar për lajmet e publikuara në Shqipëri se, shefja e delegacionit të BE në Tiranë, Romana Vlahutin ka blerë një vilë 1.6 milionë euro. Përmes një letre dërguar Federica Mogherinit ajo kërkon të verifikohen procedurat e ndjekura për blerjen e kësaj vile.
Në letër shkruhet: Zyra e Veprimit të Jashtëm në BE bleu një rezidencë në zonën e Rolling Hills, në Tiranë. Jemi bërë me dije se çmimi i vilës prej 345 m2 ishte 1.65 ml euro që do të korrespondonin me vlerën 4780 euro për m2.
Pas publikimit në mediat e Tiranës së një kontrate ku delegacioni i Bashkimit Europian ka blerë një vilë 1.6 milionë euro në një zonë rezidenciale, zyrtarët e Brukselit kanë nisur të shqetësohen.
Inberborg Graessle, kryetare e Komisionit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentin Europian i ka kërkuar llogari shefes së Shërbimit të Jashtëm në BE, Federica Mogherini.
Letra e eurodeputetes është nisur më 15 shkurt dhe përmban një listë me 11 pyetje të detajuara. Ajo që bie në sy është pyetja numër 9 mbi punësimin nga Vlahutin në delegacionin e BE-së për kushërinjtë e ministrave të qeverisë Rama.

11 pyetjet

A mundet Komisioni t’i konfirmojë këto shifra sa më lart?
Nëse po, cila ishte arsyeja për atë çmim për m2 meqenëse çmimi mesatar për pronë në të njëjtën kategori dhe në të njëjtën zonë, Rolling Hills, duket se varion 1000-2000 euro për m2?
Cila ishte arsyeja e blerjes së pronës së shtrenjtë në vend që të merrej ajo pronë ose një tjetër me qira?
A është nisur një procedurë prokurimi publik? Sa oferta janë marrë?
A mund të na informoni mbi datën ekzakte të fillimit të negociatave për pronën e re dhe datën në të cilën është firmosur kontrata e blerjes?
Kush i drejtoi këto negociata?
A ka ndonjë hetim të OLAF në proces?
A mundet ju lutem të listoni numrin e stafit (lëvizjet në staf) nga koha e nisjes (jo zyrtare) të negociatave deri në firmosjen e kontratës së blerjes?
A është Zyra e Veprimit të Jashtëm në BE në dijeni mbi ndonjë të afërm të anëtarëve të qeverisë shqiptare që punojnë në delegacion?
Në publik, shohim akuza për korrupsion ndaj një zyrtari të lartë të delegacionit. A mundet të na konfirmoni ndonjë hetim?
A heton Zyra e Veprimit të Jashtëm të BE bashkë me Komisionin procedurat e rekrutimit?

Historia e vilës 1.6 milionë euro e Vlahutin

Gazeta “Dita” përmes një artikulli të botuar më 25 janar të këtij viti akuzoi ambasadoren e BE në Tiranë për blerjen e një banese në fshatin më luksoz të Shqipërisë, Rolling Hills, të një vile me sipërfaqe ndërtimi 345 metra katrorë për një çmim stratosferik prej 1 milion e 649 mijë euro. Media në fjalë është shumë e afërt me rilindjen dhe botuesi i saj shumë i afërt me mazhorancën. Ai quhet Alban Dabulla, biznesmen në fushën e ndërtimit dhe është djali i deputetes Arta Dade. Gazeta e Dades hidhte hije dyshimi mbi një marrëveshje korruptive, kur thoshte se çmimi e ka kaluar disa herë vlerën reale të kësaj vile. Dhe vërtet, vila më e shtrenjtë në këtë kompleks nuk e kalon vlerën e 850 mijë eurove, por nëpër faqet e internetit ka vila të tjera që variojnë nga 350 deri në 500 mijë euro që gjithsesi nuk janë shifra të vogla. I çuditshëm është fakti se në lidhje me këtë çështje, tentoi të fliste në janar të vitit të shkuar dhe rrjeti investigativ “BIRN” (rrjet i sponsorizuar nga Fondacioni Soros), por çështja u mbyll shpejt. “BIRN” kish lajmëruar se do të paraqiste dokumente, të cilat hidhnin dritë mbi këtë aferë, por nuk i publikoi kurrë ato. Madje, lajmi për blerjen e vilës që lançoi asokohe “BIRN”, nuk gjendet as në sitin zyrtar të saj, është zhdukur sikur nuk ka ekzistuar kurrë.

Ambasadorja pagoi dhe 96 mijë euro të tjera për qiranë

Ndërsa ambasadorja e delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin është në epiqendër të skandalit për blerjen e vilës luksoze të delegacionit të BE-së në shumën e 1.6 milionë eurove, një tjetër kontratë komprometuese ekspozohet.
Në fillim të vitit 2015, biznesmeni Laert Duro dhe Vlahutin kanë rënë dakord për një kontratë qiraje me vlerë të këstit 8 mijë euro në muaj. Kjo kontratë parashikonte që delegacioni i BE-së do të paguante 8 mijë euro çdo muaj për shfrytëzimin e vilës, ndërsa delegacioni kishte kohë 1 vit që ta blinte vilën.
Sipas kësaj kontrate qiraje, nëse ndodhte që delegacioni nuk do e blinte vilën për një vit, atëherë kishte detyrimin që të shfrytëzonte për 8 vite me qira vilën. Detyrimi vjetor i qirasë llogaritet në 96 mijë euro.
Kontrata-tip u ekspozua nga kandidati për Avokat të Popullit, Altin Goxhaj, i cili u shpreh për “Hashtag.al” se: “Kjo kontratë-tip është siguruar me USB nga burime të BE-së, nga zyrtarë korrektë që kanë interes në zbardhjen e kësaj afere”.
Kontrata e qirasë rëndon edhe më tepër historinë e blerjes së kësaj rezidence. Kontrata e qirasë zbardh detyrimin e kripur që delegacioni i BE-së kishte marrë përsipër ndaj biznesmenit që shiste vilën në rast të mosblerjes.
Pse kjo këmbëngulje për të gjetur rezidencë vetëm tek kjo vilë? Cilat ishin opsionet e tjera? Pikërisht këtu duket se është dhe problemi kyç i kësaj historie, sepse delegacioni i BE-së nuk e ka praktikë blerjen e rezidencave të banimit. Nga ana tjetër, çmimi i vilës i zbardhur në kontratën e shitjes prej 1.6 milionë euro është afro dyfish më i lartë se vlera e tregut. Por dhe çmimi i qirasë i nënshkruar prej zonjës Vlahutin rezulton dyfish më i lartë nga mesatarja e tregut në bllokun rezidencial Rolling Hills.

Artikulli paraprakManjani: KQZ, vendim në diktaturën e proletariatit
Artikulli tjetërRama kepqërdor bibat e KQZ-së kundër ‘Libra’