BB: Shqipëria me vdekshmërisë foshnjore më të lartë në rajon

Banka Botërore e listoi Shqipërinë me nivelin më të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç në rang europian, por edhe në rajonin e Ballkanit. Pasi ka agreguar të dhënat nga agjenci të tilla si UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë, divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara dhe portali childmortality.org. raportoi se vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç në vitin 2016 ishte 14 për 100 lindje. Ky nivel ishte sa dyfishi i vdekjeve të fëmijëve në Serbi dhe Bosnjë dhe ishte tre herë më i lartë se në Malin e Zi. Pas Shqipërisë, nivel relativisht i lartë i vdekjes së fëmijëve nën pesë vjeç raportohet edhe në Maqedoni me prevalencë 12 për 1000 lindje. Por ka një diferencë shumë të madhe me ato që raporton Instituti Shqiptar i Statistikave. Për vitin e kaluar, vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç shënoi një rritje ne 10.2 për 1000 lindje nga 8.9 që kishte qenë ky tregues më 2015. Vitin e kaluar, rritje ka pësuar edhe vdekshmëria foshnjore nën një vjeç. Në rang global, vdekshmëria e fëmijëve ka pësuar ulje drastike në dekadat e fundit ndonëse mesatarja botërore vijon të jetë e lartë. Vitin e kaluar humbën jetën 40 foshnja për 100 lindje mesatarisht. Humbjet të mëdha i ka kontinenti afrikan me 78 vdekje fëmijësh për 100 lindje dhe Azia e Jugut me 48 për 1 mijë lindje. Banka Botërore shpjegon se burimet kryesore të të dhënave të vdekshmërisë janë sistemet vitale të regjistrimit dhe vlerësimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta bazuar në anketa. Por gjithashtu banka sqaron se, vlerësimet e vdekshmërisë neonatale, të foshnjave dhe të fëmijëve kanë tendencë të ndryshojnë sipas burimit dhe metodës për një kohë dhe një vend të dhënë. Metoda e Bankës Botërore përdor modele statistikore për të marrë një linjë të mirë trendesh vlerësuese, duke përshtatur modelin e regresionit të vendit për normat e vdekshmërisë ndaj datave të referencës së tyre. Ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri pohojnë se ka shumë pasaktësi në prevalencat e sëmundshmërisë dhe mortalitetit si në statistikat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Kjo vjen për shkak të shifrës së pasaktë të popullsisë. Në vitin 2011, kur bë censusi, u gjet se popullsia reale e vendit ishte pak më shumë se 2.8 milionë banorë, teksa prevalancat e sëmundjeve ishin të përllogaritura me një popullsi 3.2 milionë banorë. Për të shmangur këtë pasaktësi organizatat ndërkombëtare përdorin metodologji të tjera për treguesit e vitalitetit.

Lindjet, shuhen rrethet rritje vetëm Tirana

Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 112 lindje, me një rënie prej 42,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.271 lindje, të cilat shënojnë rënie me 18,5%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e tretë 2017, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve, gjatë kësaj periudhe, e paraqet Qarku i Gjirokastrës me 42,3% dhe Qarku i Vlorës me 32,6%. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.203 vdekje, me një rritje prej 7,8%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Kukësit, me 118 vdekje, me një rritje prej 20,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Rënia më e madhe e numrit të vdekjeve në krahasim me tremujorin e tretë 2016, është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës me 9,2%. Në tremujorin e tretë 2017, gjithashtu, me rënie të numrit të vdekjeve paraqitet Qarku i Vlorës me 4,5%, Qarku i Lezhës me 4,3%, Qarku i Durrësit me 3,7% dhe Qarku i Korçës me 2,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016.

 

Artikulli paraprakPërkeqësohen treguesit e popullsisë, shtesa natyrore bie me 47%
Artikulli tjetërMenaxhimi i riskut, KLSH: Ndikimi politik në përkeqësim