BB dënon dhunën ndaj biznesmenit Mitri

Tahseen Sayed, përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, dënoi dje dhunën e ushtruar ndaj biznesmenit amerikano-libanez Fadi Mitri.
“Incidenti me biznesmenin libanez është një ngjarje fatkeqe. Shqipëria duhet të marrë masa për të përmirësuar klimën e biznesit. Përmirësimi i klimës së investimeve dhe të biznesit është thelbësor për të zhvilluar konkurrencën”, deklaroi Tahseen Sayed, në konferencën për lejet elektronike të ndërtimit.
Kompania e biznesmenit Mitri do të investonte në Shqipëri 450 milionë dollarë për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit.
Rreth dy javë më parë, persona ende të paidentifikuar, ushtruan dhunë mbi të. Kjo solli tërheqjen e kompanisë jo vetëm nga investimi në Lalz, por dhe nga çdo investim tjetër në Shqipëri.
Ngjarja pritet të ketë ndikim në përkeqësimin e vlerësimeve dhe renditjen e Shqipërisë në raportet ndërkombëtare për klimën e biznesit. Vitet e fundit numri i investitorëve të huaj është ulur. Shumë prej investitorëve të huaj, që prej disa vitesh kanë investuar në Shqipëri, kanë paralajmëruar largimin nga vendi nëse nuk ka përmirësim të klimës së biznesit.

Artikulli paraprakBizneset vazhdojnë t’i shamngen fiskalizimit
Artikulli tjetërBankat fshijnë 230 milionë euro kredi të humbura