Baza Trump është shumë më e madhe dhe më e fortë

Presidenti Donald Trump këmbëngul se mbështetja ndaj tij është më e fortë se kurrë, pavarësisht nga një njoftim se disa republikanë po shohin mundësitë që ai të mos kandidojë për zgjedhjet presidenciale të 2020.
Në një koment të tij në Twitter sot herët në mëngjes, presidenti shkruante se, “baza Trump është shumë më e madhe dhe më e fortë se kurrë më parë, pavarësisht nga sondazhet e mediave të rreme”, siç shkruan ai. Zoti Trump kritikonte në mënyrë specifike atë që e cilësonte “dështim i gazetës “Nee York Times”.
Në një shkrim të kësaj gazete, përshkruhen përpjekjet që sipas saj që po bëhen nga disa republikanë për garën presideciale të 2020-ës, duke përfshirë dhe një kandidim të nënpresidentit Mike Pence. Vetë zoti Pence e hodhi poshtë lajmin si të pavërtetë.
Nëpërmjet një deklarate zoti Pence tha se, “lajmi i publikuar në “Nee York Times” sipas të cilit ai po zhvillon një “fushatë në hije” është i turpshëm dhe fyes”.
Ligjvënësit amerikanë si dhe Presidenti Donald Trump janë larguar nga Uashingtoni për disa javë për pushimet e verës, por hetimi ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane vazhdon. Siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Michael Boeman, para se Senati të mbyllte punën javën e kaluar, u paraqit një projektligj dypartiak për të mbrojtur prokurorin e posaçëm për hetimin e Rusisë, Robert Mueller, në rast se presidenti kërkon ta shkarkojë atë.
Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për pushime, Presidenti Trump foli për një mori lajmesh të mira ekonomike:
“Niveli i papunësisë është më i ulti në 16 vjet, rritja e PBB-së për tremujorin e fundit shkoi në 2.6 për qind. Prosperiteti po kthehet përsëri pasi ne, po e vendosim prioritetin tek punëtorët dhe familjet amerikane”.
Por hetimi për Rusinë vazhdon të jetë një irritim i përhershëm për një president që e ka etiketuar atë disa herë si gjueti shtrigash. Trump ka shkarkuar tashmë personin që dikur drejtonte hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje në Departamentin e Drejtësisë, ish-drejtorin e FBI-së James Comey.
“FBI-ja do të jetë mirë pa mua. Misioni i FBI-së do të vazhdojë pa ndërprerje”, tha ish-drejtori i FBI-së James Comey.
A mund të shkarkojë tani Presidenti Prokurorin e Posaçëm, Robert Mueller? Shtëpia e Bardhë po e minimizon, por nuk po e përjashton këtë mundësi.
“Presidenti as që e ka diskutuar këtë. Presidenti nuk ka diskutuar shkarkimin e zotit Mueller”, thotë Kellyanne Conway, këshilltare e Presidentit.
Është propozuar një legjislacion që do ta bënte të vështirë shkarkimin e zotit Mueller apo çdo hetuesi të pavarur në të ardhmen.
“Legjislacioni i jep presidentit mundësinë të këshillohet me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Departamentin e Drejtësisë për shkarkimin e një prokurori të posaçëm, por kërkon gjithashtu që rasti të shqyrtohet në Gjykatë në mënyrë që të sigurohemi se kjo bëhet për arsyen e duhur”, thotë senatori republikan Thom Tillis.
Presidenti e ka kritikuar vazhdimisht hetimin për Rusinë, por zoti Mueller vazhdon të gëzojë një reputacion të mirë në Kongres.
“Bob Mueller është një nga zyrtarët më të respektuar të zbatimit të ligjit në historinë moderne të Amerikës. Kujtoj se ai është një republikan që u emërua nga një republikan…Është në interesin e Presidentit Trump, është në interesin e mbrojtjes së rendit, që Bob Mueller të lejohet të vazhdojë hetimin deri në fund”, thotë Chris Coons, senator demokrat.
Ndërkohë, aleatët e Presidentit argumentojnë se hetimi prej disa muajsh nuk ka zbuluar pothuajse asgjë.
“Na u premtuan prova të drejtpërdrejta për ndërhyrje dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve… nuk ka asgjë të tillë”.
Javën e kaluar, Mueller njoftohet se ka ngritur një juri të madhe për të shqyrtuar provat dhe dëshmitë e mbledhura në hetim, një masë që mund të çojë ose jo, në ngritjen e akuzave.

Artikulli paraprakKorea e Veriut nuk e ndal projektin bërthamor
Artikulli tjetërDebati në Iran për fotot me Mogherinin