Basti i fituar i Jahmir Hykës

Jahmir Hyka është padyshim një ndër bastet e shumta të fituara nga Gianni de Biasi. Jashtë ekipit kuqezi për afro dy vjet e gjysmë, zgjedhje që kanë krijuar jo pak diskutime, në momentin kur trajneri vendosi ta rikthente në kombëtare për kualifikueset e Botërorit 2018, kishte nga ata që e panë zgjedhjen me skepticizëm.
Por, mesfushori shtatshkurtër u kthye menjëherë në titullar në radhët e Shqipërisë. Fillimisht në miqësoren me Marokun, më pas në ndeshjen e parë të Grupit G ndaj Maqedonisë dhe së fundmi në suksesin 2-0 në Lihtenshtejn.
Teknik dhe shpërthyes, vertikalizime dhe inkursione. 28-vjeçari i garanton një impuls të ri lojës së kombëtares dhe De Biasi nuk ka ndërmend të privohet. Hyka e shpërbleu në golin e parë të kuqezinjve në Vaduz. Edhe pse UEFA ia hoqi autorësinë e rrjetës, në fund mesfushori u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
Pikërisht përballë këtij Lihtenshtejni, në miqësoren e fituar me shifrat 2-0 në gusht të vitit 2008, lojtari konsolidoi pozicionin e tij në skuadër, duke shënuar pas 46 sekondave lojë. Goli i parë në përfaqësuese dhe më i shpejti në histori për skuadrën kuqezi. Në distancën e tetë vjetëve, sërish përballë Lihtenshtejnit, Jahmir Hyka dha garancitë që të gjithë kërkonin, për të qenë pjesë e rëndësishme e Shqipërisë në ëndrrën drejt Botërorit 2018.

Artikulli paraprakShqipëria “e freskët” ndaj Spanjës
Artikulli tjetërMediat ndërkombëtare vlerësojnë Shqipërinë