Bashkia Kamëz, projekt për rikuperimin dhe përmirësimin e mjedisit në qytet

Një nga hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Bashkia Kamëz për vitin 2016 është rikuperimi dhe përmirësimi mjedisor i qytetit, me qëllim përmirësimin e dukshëm të mjedisit dhe për rrjedhojë edhe të jetesës së qytetarëve. Përmirësimi mjedisor është një nga objektivat themelorë të punës së Bashkisë Kamëz për të arritur standarde të qyteteve me një mjedis të pastër si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Kështu, është përzgjedhur një zonë me shtrirje të konsiderueshme gjeografike për të zbatuar këtë vit një projekt-pilot për unazën e brendshme të qytetit të Kamzës.
Projekti për unazën e qytetit përfshin rrugët kryesore, rrugët dytësore si dhe një rikuperim të hapësirave publike për t’i kthyer në një mjedis të përshtatshëm për t’u frekuentuar. Zbatimi i këtij projekti-pilot do ta shndërrojë këtë zonë në një nga zonat më të frekuentuara, pasi do të kthehet në një shëtitore të vërtetë, jo vetëm për qytetarët që kanë afërsinë gjeografike me të, por edhe për cilindo që do të kishte dëshirën për të parë nga afër një nga ndryshimet e rëndësishme që do të pësojë infrastruktura dhe mjedisi në këtë zonë.
Kjo iniciativë e rregullimit urban, e cila do të diskutohet edhe me grupet e ndryshme të interesit, përfshin mbjelljen e pemëve dhe bimëve dekorative për të gjithë zonën; vendosjen e ndriçuesve në të gjitha segmentet rrugore; vendosjen e konteinerëve dhe koshave mbledhës të mbetjeve të ndryshme urbane. Gjithashtu do të ndërtohen rrugë për këmbësorët (pedonale), çezma uji dhe do të bëhet një rikuperim tërësor i mjedisit.
Kjo zonë pilot do të shërbejë si një nxitje për pjesën tjetër të zhvillimit të qytetit, ku do të tentohet për të harmonizuar në vijimësi raportin ndërtime urbane-gjelbërim mjedisor. Ky zhvillim sjell ndryshimet që pasqyrojnë punën që bëhet në Bashkinë Kamëz, duke ofruar kështu shërbime dhe investime me rëndësi jetike për banorët e qytetit.

Artikulli paraprakShifrat e pikiatës ekonomike në 2015
Artikulli tjetërGruaja e Komisionerit të BE në skandalin “Panama”