Bashkia Kamëz, 60 investime me fondet e saj, asnjë lekë nga qeveria “Rama”

 

Bashkia Kamëz prioritet të saj ka kryerjen e sa më shumë investimeve në favor të komunitetit. Këto investime po kryhen me fondet e saj, duke ndeshur në veton qeveritare prej vitit 2013. Qeveria “Rama” nuk ka financuar asnjë nga 150 projektet që flenë në sirtarët e ministrive. Këtë vit në Kamëz dhe Paskuqan po kryhen mbi 60 investime me fondet e Bashkisë dhe për këtë kryebashkiaku Xhelal Mziu ka qenë i përkushtuar maksimalisht për të ndjekur nga afër personalisht ecurinë e tyre. Këtë verë Xhelal Mziu ka qenë thuajse çdo ditë në terren, duke parë nga afër ecurinë e punimeve të investimeve dhe cilësinë e tyre.
Veç punimeve që po kryhen në infrastrukturën rrugore dhe KUN, nuk ka munguar as financimi i atyre sportive, si palestra në Bathore dhe stadiumi i Kamzës, tashmë që edhe ekipi i qytetit gjendet në Superligë, në elitën e futbollit shqiptar. Kryebashkiaku Mziu thuajse çdo ditë ka parë nga afër punimet e kryera në stadium dhe së fundmi ishte edhe i shoqëruar nga përgjegjësi i Licencimit të Stadiumeve pranë FSHF-së, Eduart Gjini. Po i jepet dhe dora e fundit investimit për të pritur ndeshjen e parë të Kamzës në Superligë. Ndërkaq, palestra në Bathore do të jetë palestra më e mirë në Shqipëri. Ka përfunduar pothuajse parketi, i cili është totalisht i ri dhe shumë cilësor, me të gjithë parametrat dhe ajo do të jetë gati për sezonin sportiv që do të nisë.
Kryefjalë e kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, në 3 mandate ka qenë dhe është urbanizimi, sistemim-asfaltimi i të gjitha lagjeve të qytetit të Kamzës, si dhe Paskuqanit. Nga njëra lagje në tjetrën, të Kamzës dhe Paskuqanit, kryebashkiaku Xhelal Mziu inspekton punimet që po kryhen: në rrugët e Laknasit. Ka përfunduar investimi në rrugën “Peshkopia”, një rrugë e re me standarde bashkëkohore.
Kryebashkiaku Mziu ka ndjekur nga afër punimet e rrugës “Kingstoni”, në lagjen 4 Kamëz, si dhe një nga investimet që po shkon drejt përfundimit në lagjen 1 në Bathore, ndërtimi i rrugës “Elez Isufi”, projekt që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës urbane në lagjen 1 Bathore, pa harruar as inspektimin në rrugën “Abdi Bej Toptani” në Kamëz. Veç investimeve të sipërpërmendura në Kamëz, z. Mziu ka inspektuar nga afër edhe të tjera investime, por pa lënë sigurisht pas dore as Paskuqanin që dy vitet e fundit ka qenë prioritet i Bashkisë Kamëz.
Në Paskuqan kryebashkiaku Xhelal Mziu inspektoi punimet që po kryhen në rrugën “Leka i Madh” në lagjen Paskuqan 1 që kufizohet me rrugën “Lidhja e Prizrenit” dhe bën lidhjen e disa segmenteve të tjera rrugore, si dhe është inspektuar nisja e punimeve në rrugën “Ismail Qemali”, investim që do të ketë impakt të madh social tek banorët e kësaj lagje. Segmenti në të cilin po investohet është grup rrugësh siç janë, rruga “Isuf Xhelili” dhe rruga “Ejell Deda”. Në të tria rrugët e reja që po investon bashkia në Paskuqan, punimet po ecin me ritme të shpejta.
Mziu ka ndjekur nga afër asfaltimin e rrugës “Bule Naipi” në Paskuqan, ku fillimisht ka qenë i pranishëm gjatë aksionit të lirimit të hapësirave për ndërtimin e kësaj rruge, ashtu si edhe gjatë fazave të ndryshme të punimeve, duke i ndjekur nga afër. Zoti Mziu ka inspektuar përfundimin e punimeve të rrugës “Dile Marku”, në Paskuqan 2, e sigurisht është interesuar edhe për një nga investimet më të mëdha të Bashkisë, rrugës “Demokracia” në Paskuqan prej 7 km, për asfaltimin përfundimtar të saj.

Artikulli paraprakMiliona euro dëme nga zjarret, 700 mijë euro kushtuan vetëm helikopterët
Artikulli tjetërRomeo Kara paditet sërish për shpifje nga Shkëlzen Berisha