Bashkia e Korçës, fushatë për PS me furgonin me targa false

Administrata e Bashkisë së Korçës bën fushatë për Partinë Socialiste, duke përdorur një furgon me targa false. Administrata e Bashkisë bën fushatë për çdo ditë në orarin e punës, ndërsa furgoni i mbushur me posterat e “Rilindjes”, figuron me targa false. Targat e tij i përkasin një mjeti tjetër tip “Audi”.
Sipas dokumentit origjinal, bëhet fjalë për një automjet tip “Audi” me targa KO 9410B me ngjyrë gri për të cilin është lëshuar figuracioni sot më 22 qershor 2016. Por, ndërkohë këto targa i janë vendosur furgonit që përdoret për fushatën e PS-së në Korçë nga administrata e Bashkisë.
Vetëm “rilindasit” i lejojnë vetes të qarkullojnë me makinë me targa false dhe të bëjnë propagandë elektorale në kundërshtim me ligjin. Bashkia e Korçës drejtohet nga Sotiraq Filo, post që më parë është mbajtur nga ish-zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili aktualisht është kandidat i Partisë Socialiste për Qarkun e Korçës.

Bënë fushatë, pezullohet drejtori i spitalit Librazhd dhe Tepelenë

Dy drejtorë spitalesh janë pezulluar nga detyra me urdhër të ministrit të Shëndetësisë për përfshirje në fushatë elektorale. Bëhet e ditur se, janë pezulluar Drejtori i Shërbimit Spitalor Librazhd; Drejtori i Shërbimit Spitalor Tepelenë dhe Kryeinfermieri i Shërbimit Spitalor, Kolonjë.
Në njoftimin për shtyp thuhet se, pezullimi i tyre është bërë në zbatim të VKM-së, nr. 473, datë 01.06.2017, pika 4, për mospërfshirjen e administratës publike në fushatë elektorale. Ministria e Shëndetësisë sjell në vëmendjen e gjithë administratës VKM-n nr. 473, datë 01.06.2017 duke rikujtuar se monitorimi do të jetë i pandërprerë dhe masat do të merren pa mëdyshje ndaj çdo shkelje të ligjit deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
Po ditën e djeshme u shkarkuan nga detyra dy punonjës të OSHEE në Gjirokastër për pjesëmarrje në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin. Administratori i OSHEE, Haki Mustafa, ka shkarkuar nga detyra 2 punonjës të kompanisë. Të shkarkuar janë Ilir Halaj, shef agjencie Koplik dhe Ziso Nasho, shef sektori teknik në Njësinë Sarandë. Nuk jepet një aryse për shkarkimin e dy punonjësve të këtij institucioni.

Përdorën makinën e bashkisë për fushatë, paditen 3 drejtorë

Ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit me iniciale A. C. 50 vjeç, drejtor në Bashkinë e Kuçovës. Shkak i nisjes së procedimit penal nga ana e Sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar është bërë një kallëzim penal nga një shtetas.
Dyshohet se A. C. ka vënë në shërbim të një subjekti politik makinën e Bashkisë së Kuçovës, për ta shfrytëzuar në mitingun e zhvilluar nga ky subjekt. Mbi të rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “Përdorimi i funksionit publik, për veprimtari politike ose zgjedhje”.
Gjithashtu iu referuan materialet për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, në ngarkim të shtetasve K.Ll. 34 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë drejtor në Bashkinë Kuçovë, L.Ç. 52 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor në Bashkinë Kuçovë, F.B. 56 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë Administrator i një Njësie Administrative.
Për ta ka patur një kallëzim dhe dyshohet se kanë ushtruar presion psikologjik ndaj simpatizantëve të një subjekti politik. Gjithashtu dyshohet se shtetasi F.B. ka përdorur shuma parash për blerjen e votës.

Artikulli paraprakKryetari i FRESSH: Hajde në miting se do marrësh veten në qafë
Artikulli tjetërKërcënimi: Po nuk votove për PS-në do të pushohesh nga puna