Basha uron Merkelin: Forcim bashkëpunimit mes PD-së dhe CDU-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar kancelaren gjermane Angela Merkel, pas fitores së saj të mandatit të katërt qeverisës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Basha shprehet se është “besimplotë për forcimin e bashkëpunimit mes PD-së dhe CDU-së”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është rizgjedhur për mandantin e katërt, derisa nacionalistët kanë shënuar rritje historike në zgjedhjet federale. Blloku konservator i Merkelit CDU/CSU ka fituar 33 për qind të votave, duke shënuar rezultatin më të keq në gati 70 vjet, por do të mbetet më i madhi në Parlament. Partneri aktual i koalicionit, SPD, tha se do të kalojë në opozitë, pas humbjes historike me 20.5 për qind të votave.
Pas fitores, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se nuk është e lehtë të jesh udhëheqëse për të katërtën herë radhazi.
Në fjalën e saj përpara mbështetësve, “zonja e hekurt” tha se, priste një rezultat më të mirë, “por kjo tani nuk ka rëndësi, do të forcojmë qeverinë”.
“Le ta themi hapur, natyrisht që do të kishim preferuar një rezultat më të mirë, kjo është plotësisht e qartë. Por të mos harrojmë se sapo kemi dalë nga një periudhë legjislative me shumë sfida. Kjo është arsyeja që ne së bashku jemi të lumtur që arritën objektivat tona strategjike të fushatës zgjedhore”, tha kancelarja Merkel.

Artikulli paraprakRaporti i auditimit: Qeveria s’ka asnjë studim për koncesionet
Artikulli tjetërKur arti është e vetmja administratë që ka mbetur