Basha takon të përmbyturit: Bashkia na tha hipni në kodër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte dje në Laç dhe pa nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet. Banorët shprehën shqetësimin për mungesën e vëmendjes nga autoritetet shtetërore dhe pse brenda një viti janë përmbytur pesë herë. Njëri nga banorët, të cilit i janë përmbytur të gjitha orenditë dhe shtëpia është bërë e pabanueshme, tha se, askush nuk ka dënjuar t’i ndihmojë, madje një ditë më parë, zgjidhja që u kishin dhënë  zyrtarët e Prefekturës ishte  të hipnin mbi kodra që të mos mbyten.
Banore: Ju jeni të parët që keni ardhur, kjo është një farë ngushëllimi. Kam kontaktu personalisht me stafin e Bashkisë më kanë thënë hypni në kodër, sikur të ishim shpend. Kjo është banesa e tim vëllai. Kemi largu noj diçka që i përket familjes pjesa tjetër, ja. Ku ta çoj vëllain unë? Unë kam zgjidhje. Unë do t’ia mbaj fëmijët sa të kem mundësi po ku do të banojë, ku do shkojë? Boll me mashtrime e me rrena. Është përmbyt disa herë. Na thanë, diçka do bëjmë ne të Bashkisë së Laçit, jo e bëni një foto këtu, jo bëni diçka atje. Bujrum ku jemi. Na ka humb dhe durimi tani. Kam fëmijët e vëllait, kam nipërit dhe mbesat, kam dinjitetin tim. Nuk jemi nga një shtet afrikan e të jetojmë kështu ne tani. Mos të kemi një njëri që i kemi dhënë votën e kemi përkrah dum këtë, dum atë, nuk shfrytëzohet besimi kështu.
Basha: T’i lënë llafet, të lënë propagandën e të vijnë këtu të ndihmojnë njerëzit.
Banore: Në mënyrë absolute asgjë. Dhe po të them nuk do të trokas më në asnjë derë nga ky moment.
Banorët ankohen se e kanë të pamundur të përballojnë pasojat e kësaj përmbytjeje, e cila përsëritet sa herë bie shi. Deri më tani, asnjë ndihmë nuk është dhënë nga shteti. Një tjetër banore theksoi se kanalet kulluese janë të bllokuara dhe askush nuk i është përgjigjur shqetësimit tonë, qeveria na drejton te Bashkia dhe Bashkia te qeveria.
Banore: Mbrëmë ka qenë ngjarje e jashtëzakonshme. Veç këtë vit 4-5 herë jena përmbyt. Se si janë këto kanalet nuk i kuptoj. S’po diskutojmë kopshte e gja, po diskutojmë materialet e shpisë e fëmijët.
Basha: Dëmshpërblimin a keni marrë për herët më përpara?
Banorë: Kurrë noj herë. Pa punë jena 8 vetë. Unë jam pensioniste. Çunat t’u mundu ku të gjejnë një copë pune për me hangër një copë bukë.
Banore: Rreth 1 metër ujë më ka hy në tokë, ushqimi i bagëtive, lavatriçe e frigorifera janë myt. Se di ç’bëjnë këta veç 2 herë i kam bo letër ministrit dhe një prefektit këtu dhe më kanë thënë shko e merru vesh me Bashkinë. Shkoj te Bashkia më thonë shko te qeveria.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe investimet e luksit që mbushin xhepat e tyre dhe t’u vijë në ndihmë banorëve, të cilët i kanë lënë në mëshirë të fatit.
Basha: Asnjëri nuk funksionon se nuk e kanë mendjen tek njerëzit, e kanë mendjen tek xhepat e tyre. Investime nuk ka pasur, investimet shkojnë për fasada në vend që të shkojnë për të  ndihmuar njerëzit, se kjo është hera e tretë brenda dy viteve, që kemi këtë situatë në Laç e kemi në fushë ke ujë e kemi kudo tjetër. Lekët e investimeve shkojnë për të bërë zbukurime e fasada në vend që të vijnë me ndihmu njerëzit. Juve u kanë lënë në mëshirë të fatit, ju kanë braktis  dhe vijnë vetëm për t’u kërkuar votën. Kur vjen puna për t’iu gjend pranë në ditë të hallit zhduket qeveria. Kjo është situatë e papranueshme për ne. E para, prioritet duhet të jetë ruajtja e jetëve të njerëzve. E dyta, të evidentohen dëmet materiale dhe të vijnë t’u gjenden pranë me ndihmë, pasi u është shkatërruar dhe ushqimi i bagëtive për dimrin  dhe e treta, t’i mbajmë përgjegjës për këtë situatë, sepse lekët jepen për investime fasade, ndërsa njerëzit mbyten. 150 familje në Laç dhe dhjetëra familje në Fushë -Krujë kanë pasur përmbytje. Reshjet do të vazhdojnë si do t’ia dalin?

Banorët: I kemi shkruar Ramës, nuk na u përgjigj

Bilanci i përmbytjeve rritet nga ora në orë. Janë mbi 150 familje që banesat e tyre i kanë nën ujë që nga mbrëmja e të hënës. Situata më kritike është në Laç dhe Milot. Banorët kanë rrëfyer se nata e së hënës ka qenë natë tmerri. Uji i përrenjve dhe lumenjve të fryrë prej reshjeve të shiut vërshoi në banesat e tokat e tyre. “Kam çuar fëmijët tek të afërmit. Mezi arritëm të dilnim mbrëmë”, rrëfen një banore.
Ndërsa një tjetër thotë se, këtu nuk jetohet më. “I gjithë dëmi na është shkaktuar nga ndërtimi i autostradës, pasi lumenjtë e vegjël apo kanalet që derdheshin në lumin Mat tani derdhen në shtëpitë tona”, shprehet banorja. Ajo thotë se banorët i kanë shkruar letër Kryeministrit Rama, por nuk kanë marrë përgjigje.
Ndërsa një banor tjetër tregon se si kanë arritur të shpëtojnë një të moshuar. “E dëgjuam zhurmën dhe e shpëtuam nga dera mbrapa. Pastaj e çuam në spital, se ambulanca këtu nuk vjen”, u shpreh ai. “Jam vet i tetë në familje dhe jemi përmbytur komplet. Shyqyr që kam nxjerrë fëmijët gjallë, por jemi të mbuluar nga uji deri në fyt”, tregon një banore tjetër.
Banorët e Milotit thonë se, uji ka arritur mbi 1 metër dhe se banesat tashmë të përmbytura rrezikojnë të shemben. Në fshatrat Gjorm, Fushë-Gjorm, Sanxhak dhe Shullaz janë qindra ha tokë nën ujë.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të shumta dhe në Fushë Kuqe, ku veç sipërfaqeve të tëra toke që janë mbuluar nga uji ka pasur dëme edhe tek bizneset e zonës.
Ndërsa në qytetin e Laçit vazhdon të jetë problematike lagjia “Kodra e Bushit”, ku janë të përmbytura 9 shtëpi dhe vërshimi i përrenjve ka shkaktuar dëmtime të bazës ushqimore të blektorisë.

Basha ngushëllon familjen e viktimës nga përmbytjet

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shkuar në qytetin e Laçit në familjen e Kol Mengës, 48 vjeç që humbi jetën mesnatën e të hënës si pasojë e përmbytjeve. Basha i shoqëruar edhe nga deputetët dhe përfaqësuesit lokalë ka ngushëlluar familjen e 48-vjeçarit, i cili humbi jetën në tentativë për të shpëtuar biznesin e tij nga uji i përmbytjeve. Basha bëri përgjegjës qeverinë qendrore e vendore që nuk u gjendet pranë banorëve, as duke u zgjidhur problematika të vogla që mund të ulnin dëmin e përmbytjeve.
Banorët i thanë Bashës se vetëm për këtë vit, shtëpitë e tokat u janë mbuluar me ujë 5 herë. E dinë se nga u vjen e keqja, por thonë se bashkia nuk ka ndërhyrë për zgjidhje.

Basha-Ramës: Lëri shfaqet në TV, shko në Laç përballu me qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me një album fotografik ku tregohet situata në Laç, i ka kërkuar Edi Ramës të lërë shfaqjet në televizion e t’u japë ndihmë familjeve të përmbytura.
“Edi Rama, sa rri në televizor e flet për investime imagjinare, të shkojë në Laç e të shikojë impaktin e “investimeve” të tij. Qindra familje janë në ujë e qindra të tjera në rrezik përmbytje. Asnjë ndihmë nga qeveria, asnjë mbështetje financiare dhe pse brenda një viti janë përmbytur pesë herë. Përballu me qytetarët që i ke lënë në mëshirë të fatit, mos u fshih pas regjisë qendrore me pseudo takime ku atyre që të thonë të vërtetën u mohon të drejtën e fjalës”, u shpreh Basha.
Laçi u përfshi nga reshje të dendura shiu mbrëmjen e së hënës ku humbi jetën edhe një qytetar për të shpëtuar biznesin e tij. Përroi doli nga shtrati duke përmbytur qytetin, katet e para të banesave, bizneseve, por edhe tokat bujqësore. Ndërkohë, situata vijon të ngelet problematike. Dje rreth mesditës drejtuesit e Partisë Demokratike mbërritën pranë familjeve të përmbytura në Laç.

Artikulli paraprakPërgjimet e dosjes së drogës të Xhafës
Artikulli tjetërKujt po i shërben PAMECA?