Basha reagon për largimin e kreut të SHISH: Presione për raportet e drogës, Tahiri do të arrestohet

Kryetari i PD, Basha reagoi sot pas largimit të kreut të SHISH Visho Ajazi nga detyra. Basha tha se ishte në dijeni të informacioneve se kreu i SHISH kishte presione nga klanet mafioze në qeveri për shkak të raporteve që ky institucion ka bërë për drogën. Basha tha se opozita po bashkëpunon me aleatët Perëndimore për të mos lejuar që vendi të kthehet në një shtet të dështuar peng i mafias. Ai tha se Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë dhe se do të arrestohet. Basha parlajëmroi edhe një sërë skandalesh të tjera ku janë të përfshirë qeveritarë.

Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Grupit Parlamentar

Pyetje: Z.Basha çfarë vendosi Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike sot?

Basha: Në qendër të aksionit politik të opozitës, të Partisë Demokratike dhe të grupit parlamentar do të mbetet skandali Tahiri-Rama-Habilaj. Qëndrimet që ne nuk patëm mundësi t’i mbajmë të mërkurën e kaluar, në raport me këtë çështje, do të vazhdojnë të shpalosen në çdo fragment të hapësirës parlamentare, në komisione dhe në seancë plenare.
Kërkesa jonë e pandryshuar, e cila sot ka mbështetjen e gjithë botës perëndimore është që Edi Rama të mos ushtrojë presion ndaj Prokurorisë dhe të mos përdorë imunitetin parlamentar për të mbrojtur Tahirin nga kërkesat e drejta të Prokurorisë.
Saimir Tahiri duhet të arrestohet. Përdorimi i imunitetit parlamentar për të ndalur arrestin e Saimir Tahirit bëhet vetëm për të mbrojtur atë dhe bashkëpunëtorët e tij, duke përfshirë Edi Ramën.

Pyetje: Z.Basha sot është dorëhequr një zyrtar mjaft i lartë dhe i rëndësishëm për sa i përket hetimeve, kryetari i SHISH. Keni informacion nëse është vendim personal apo ka patur presione?

Basha: Edhe unë kam konstatuar të njëjtën gjë, mundësinë e presioneve ndaj kreut të dorëhequr të SHISH-it. Natyrisht nuk kam informacione konkrete. Por një gjë është e sigurt; një Shërbim Informativ i cili harton raporte për përfshirjen e Policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vitesh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës.Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveçse presionit politik.
Kjo tregon që narko-shteti është në panik total dhe po bën gjithçka për të mbyllur aferën e Samir Tahirit. Por e kundërta do të ndodhë. Kësaj afere do t’i shkohet deri në fund. Saimir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Kjo është e sigurt.
Bota perëndimore nuk do ta lerë Shqipërinë vetëm në këtë betejë jetike për të përmbysur kupolën mafioze në pushtet. Nuk do të lejojë që Shqipëria në zemër të Europës të kthehet në një narko-shtet, në një shtet të dështuar të drejtuar dhe sunduar, nga bandat me lidhje direkte politike me Kryeministrin dhe politikanët e tjerë të korruptuar. Ndaj jo vetëm kjo çështje nuk do të mbyllet, por të tjera do të hapen në ditët në vijim.

Artikulli paraprakMafia me Ramën kërkon kapjen e Shërbimit Sekret për të mbyllur aferat kriminale
Artikulli tjetërDokumentat përvëluese të Visho Ajazit për Ramën