Basha: Rama po pengon zgjidhjen e krizës, gjithçka që vendi të mos jetë peng i korrupsionit

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shprehur angazhimin e opozitës së bashkuar për tejkalimin e krizës në vend në mënyrë që Shqipëria të mos penalizohet në çeljen e negociatave.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm austriak, në një prononcim të shkurtër për mediat Basha ka shtrirë sërish dorën për vijimin e bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës për Reformën Zgjedhore.

“Falenderova ministrin për mbështetjen që i jep negociatave për Shqipërinë, ndamë shqetësimin për shumë faktorë ndërkombëtarë. E sigurova që opozita e bashkuar dhe PD janë të vendosura për të dhënë të gjithë kontributin për të tejkaluar krizën.

Rruga që ka zgjedhur Edi Rama është e gabuar. Është rruga e njohur ndaj fajësimit të çdokujt tjetër për të hequr përgjegjësinë nga i vetmi njeri përgjegjës për këtë situatë. Edi Rama po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë.

Propozimi për Reformën Zgjedhore vazhdon të mbetet në tryezë. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit. Synimi ynë është që përmes zgjidhjes së krizën politike t’i japim shqiptarëve atë që meritojnë,”-tha Basha në fjalën e tij.

Në prononcimin e tij, Basha është pyetur edhe për Kosovën, nëse ka ndryshime në politikën e jashtme për njohjen e saj.
“Kosova njihet nga shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE dhe NATO-s. Zgjedhjet ishin një shembull edhe për Shqipërinë. Kosova është shtet i pavarur dhe i konsoliduar,”-u shpreh Basha.

Reforma Zgjedhore është prioriteti kryesor i ndërkombëtarëve aktualisht në Shqipëri, pas miratimit të Reformës në Drejtësi. Theksojmë se kjo reformë ishte edhe një nga nëntë kushtet e vendosura nga Gjermania për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Në tryezën e fundit të ndërmjetësuar nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, nga partitë opozitare morën pjesë vetëm përfaësuesit ligjore, të cilët sapo dhanë propozimet e tyre u larguan nga takimi.

Artikulli paraprakGabimi në formularin e KQZ-së, LDK kërkon rinumërim të votave
Artikulli tjetërKurdistani: Shteti që nuk është