Basha: Qytetarët janë të lodhur, në vend të sulmeve politike kundër opozitës, presim zgjidhje nga kryeministri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga studio e emisionit “Opinion” tha se, detyra kryesore e Kryeministrit dhe Qeverisë nuk është të shpenzojnë gjysmën e ditës duke sulmuar opozitën, por në qoftë se tek propozimet e opozitës shohin gjëra të arsyeshme, pa asnjë kompleks t’i adoptojnë.

Kreu i opozitës tha ndër të tjera se, sot në Has u infektuan me Covid-19 4 punonjës policie dhe nuk është bërë asnjë testim tek punonjësit e tjerë apo të afërmit e efiktivëve tëinfektuar.

Pyetje: “Hajde të kontribuojmë bashkërisht për të fituar këtë luftë”. Çfarë përgjigje keni për Ramën?

Lulzim Basha: E rëndësishme është që kryeministri të bëjë atë që thotë, jo të flasë ndryshe dhe të veprojë ndryshe. Interesi kryesor, fokusi numër një i imi, i Partisë Demokratike, është jeta, është shëndeti, është mirëqenia e të gjithë shqiptarëve.

Detyra kryesore e Kryeministrit dhe Qeverisë nuk është të shpenzojnë gjysmën e ditës duke sulmuar opozitën, por në qoftë se tek propozimet e opozitës shohin gjëra të arsyeshme, pa asnjë kompleks t’i adoptojnë. Dhe unë i kam premtuar dhe e kam mbajtur fjalën, sa herë i ka adoptuar propozimet tona, e kam përshëndetur publikisht dhe prapë do ta përshëndes. Nuk kemi kohë as për retorikë, as për t’u fshehur pas gishtit. Kam kërkuar testime të paktën në nivelin e Maqedonisë. Kam kërkuar transparencë për testimet.

Dhe vazhdoj të përsëris se me testimet që kemi sot, ne fshehim përmasat e vërteta të infeksionit, ne fshehim përmasat e vërteta të viktimave që shkakton infeksioni dhe ne vetëm sa zgjasim pasigurinë e njerëzve. Ndërsa me rritjen e testimeve do të kuptojmë më mirë dimensionet e infeksionit, do ta arrijmë ta izolojmë më mirë, do të arrijmë të veprojmë më mirë për të ndërprerë zinxhirin dhe në këtë mënyrë mund të arrijmë të shkurtojmë edhe kohën e karantinës dhe fillimin e hapjes së ekonomisë për të cilën kemi kaq shumë nevojë.

Asgjë përveç interesit të qytetarëve nuk më motivon as mua, as opozitën të bëjmë publike qëndrimet që bëjmë. Prandaj, nga kryeministri nuk pres as ironi, as batuta, as sulme, sepse njerëzit edhe më përpara kanë qenë ngopur me këto. Tani në këto kohë çdo moment i humbur me gjëra të tilla është i pafalshëm, sepse këto nuk sjellin as kite testimi për testimin e të infektuarve, nuk sjellin as bukë në tavolinën e shqiptarëve, nuk sjellin as të ardhura në xhepat e boshatisur të gjysmës së shqiptarëve për shkak të krizës.

Prandaj, edhe një herë i bëj thirrje kryeministrit të mos harxhojë asnjë sekondë kohë duke sulmuar opozitën, tek propozimet tona ka shumë gjëra të dobishme të cilat i ka adoptuar në letër. E kam përshëndetur dhe i kërkoj t’i zbatojë.

Basha: 4 policë në Has janë infektuar. Kolegët kërkojnë testimin, por askush nuk ua bën

Katër efektivë të Policisë së Shtetit në Has kanë rezultuar pozitivë me coronavirus. Ky është raportimi që na vjen sonte në darkë. Kanë qenë në detyrë gjatë gjithë këtyre ditëve, kanë qenë në kontakt me qytetarët , kanë qenë në kontakt me punonjësit e Policisë në Komisariatin e Policisë së Hasit. Shkoni dhe pyetini sot, të gjithë kolegët në Polici që kanë pasur kontakt me efektivët që kanë dalë pozitiv dhe që kanë pasur simptoma. Kërkojnë të bëjnë testin, sepse kanë familje, kanë fëmijë, kanë bashkëshortë, kanë prindër, nuk ua bën kush testin. Është normale kjo? Këtë po kërkojmë, kjo nuk është normale, kjo është kriminale. Prandaj kemi tre javë që kërkojmë testim sepse në qoftë se nuk bëjmë testime, nuk kontrollon dot.

Pyetje: Përse ia kërkoni kryeministrit këtë, përse nuk ia kërkoni specialistëve po ju pyes?

Lulzim Basha: Jo, jo kryeministri ka dalë para çdo specialisti dhe ka dhënë urdhra për gjithçka. Pasi kemi tre javë për rritjen e testimeve po lan duart dhe po thotë këtë e kanë ekspertët. Ekspertët po kërkojnë testime. Ju e kishit ekspertin në studio. A kërkoi testime eksperti? Po përse t’i biem vërdallë çështjes. Që nga ekspertët ndërkombëtarë e ekspertët kombëtare e çdokush tjetër kërkojnë testime. Por që të testosh, duhet që qeveria të sigurojë tampona. A e di ti se sa tampona ka Shqipëria sot?

Pyetje: Sa ka? Unë e kam pyetur ministren. Nuk më ka dhënë një shifër të saktë, më ka thënë kemi mjaftueshëm për sa kemi nevojë.

Lulzim Basha: Përse nuk bën transparencë? Ia kam kërkuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pothuajse 10 ditë më parë, bëj transparencë sa tampona ke.

Artikulli paraprakBasha: Nuk e izolojmë dot virusin pa testuar! Refuzoj të bëj politikë me jetën e shqiptarëve
Artikulli tjetërLajm i mirë! Bie numri i të infektuarve me Covid-19, vetëm 6 raste të reja në 24 orë, 15 të shëruar