Basha: Protesta me të gjitha format

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha dje, gjatë një interviste në “TV Klan” se, protestat duke filluar nga muaji janar do të intensifikohen akoma më shumë. Basha tha se po synohet të mblidhen rreth kauzës për rrëzimin e qeverisë të gjitha grupet e qytetarëve, pasi kauza për shpëtimin e Shqipërisë, nuk është vetëm e Partisë Demokratike, por e të gjithë shqiptarëve. I pyetur nëse ka një plan protestash duke filluar nga janari i këtij viti Basha tha: “Rruga për të ndryshuar Shqipërinë është bashkimi i gjithë qytetarëve të ndershëm rreth një kauze dhe kauza nuk është vetëm e një partie politike, por e një Shqipërie për të gjithë. Si do ta ndërtojmë? Kjo kërkon një platformë të detajuar, një vizion se ku do të shkojmë dhe çfarë do të bëjmë. Protestat do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen”.
Basha theksoi se është pro hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE. Sipas tij, Partia Demokratike ka lindur si një parti pro Europës dhe ka lindur me sloganin ta bëjmë “Shqipërinë si Europa”, ka dhënë kontributin e saj si në qeverisje dhe si tani në opozitë dhe qëndrimi i PD-së, si dhe “qëndrimi im personal, nëse do të ishte në dorën time, do të ishte firmosja për hapjen e negociatave. Më tej, ai theksoi se hapja e negociatave nuk është në dorën e tij, po është në dorën e vendeve të anëtarëve të BE-së. “Nuk ka pasur asnjë entuziazëm. Shqetësim dhe turpërim. Pas gjithë këtyre viteve përpjekje, me zig-zaget e tyre, jemi kthyer në një pikë ekzistenciale të futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ka të bëjë me problemet reale që ka të bëjë Shqipëria. Diskutimi i vërtetë sot është, do apo nuk do, PD-ja për hapjen e negociatave. Ajo e ka dëshiruar, e ka kërkuar dhe ka lobuar për këtë. Por diskutimi i vërtetë është se çfarë po e pengon hapjen e negociatave dhe çfarë duhet të bëjmë që Shqipëria të ecë përpara”. Sipas tij pengesa nuk është vetëm Vetting-u, por edhe shumë probleme të tjera reale si droga, krimi dhe korrupsioni. “Ka pasur probleme me ligjet që duhet të buronin nga Kushtetuta e rënë dakord me konsensus unanim”, tha kryetari i PD-së Basha, që ka theksuar edhe një herë rekomandimet e kancelares Angela Merkel, se përveç pesë kushteve duhet të bëhet progres edhe në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe zgjedhje të ndershme. “Opozita nuk ka pushtetin për të krijuar një realitet që e beson Merkel”. Basha ka thënë se nëse do të ishte në dorën e tij do të kishte firmosur hapjen e negociatave që sot. “Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme me drogën, krimin dhe korrupsionin a mendoni se opozita do të ishte në gjendje të bllokonte negociatat për anëtarësimin në BE?”, ka thënë Basha duke shtuar se kjo histori është një alibi e krijuar nga Rama. Sipas tij Partia Demokratike ka një parim të hershëm “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!”. Sipas tij burimet që kanë komunikuar me qeverinë, kanë njoftuar edhe opozitën një ditë para ardhjes së Gunther Krichbaum në Shqipëri. “Zotit Bushati i është komunikuar zyrtarisht se nuk do të ketë hapje negociatash me Shqipërinë. Shfrimi i Ramës ndaj Krichbaum tregon një gjë. Ai ka shpresuar deri ditën e fundit për ndryshimin e qëndrimit”, ka arsyetuar Basha fjalimet e Kryeministrit. Basha ka theksuar se nuk është PD-ja kundër hapjes së negociatave, por vendet anëtare të BE-së, po ashtu si shumica e shqiptarëve, e shohin me shqetësim një Shqipëri të mbytur nga droga, një politikë të deportuar nga krimi, korrupsion në nivele të larta dhe të gjitha këto, drejtpërdrejt, kanë shkatërruar standardin europian në jetën e çdo shqiptari. Ndër të tjera, ai, bëri me dije se në këto kushte BE, pavarësisht prej dëshirës tonë që të përdorë hapjen e negociatave si presion shtesë ndaj qeverisë, duket se po shkon drejt një vendimi negativ me aq sa kemi dëgjuar.

Droga dhe Vettingu

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, është ndalur edhe në lajmin e dhënë nga gjiganti mediatik, “BBC” që raportoi se Shqipëria është një nga vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në Europë. Basha tha se ky është një problem shumë i madh për shoqërinë shqiptare, madje kjo gjë, sipas tij duhet të na bashkojë të gjithëve dhe jo të na ndajë. Ai tha se është ky momenti që ne duhet të bashkohemi, pasi kjo gjë do ta përpijë të gjithë Shqipërinë dhe madje edhe po e përpin. Kreu i PD-së, Basha, duke vazhduar me fjalën e tij në “Opinion” është ndërprerë nga analisti Mentor Nazarko. Ky i fundit, i ka bërë me dije kreut të PD-së se, PD është kundër Vetting-ut. Më tej, Basha tha se më 22 korrik, PD votoi pro Vetting-ut. Ndërsa, Nazarko i ka kujtuar kreut demokrat se amerikanët erdhën nga Amerika për ta bindur që të votonin ligjin e Vetting-ut. Kryetari i PD-së, u përgjigj se nuk është Partia Demokratike që pengon Vetting-un, pasi ata e kanë votuar ligjin e Vetting-ut. Basha tha se ne e kemi votuar Vetting-un në Kushtetutë, por Edi Rama nuk e do ligjin e Vetting-ut. “Duke votuar Vetting-un me konsensus anonim, ne i kemi hapur rrugë që gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të hiqen nga sistemi. Çfarë ka bërë ky? Ky ka thënë dakord, por me ligj kompetencën që Kushtetuta ja ka dhënë komisionerëve të Vetting-ut, ky ja transferon drejtorëve të vet. Drejtorit të Arben Ahmetajt. Ne këtë e konsiderojmë antikushtetuese. Jemi të bindur se është antikushtetues”. “Vendet e Bashkimit Evropian ashtu si shumica e qytetarëve të ndershëm shohin me shqetësim një Shqipëri të mbytur nga droga, një politikë të depërtuar nga krimi, korrupsion të nivele të larta, dhe kjo nuk është vetëm dukuri, këto shkatërrojnë premisën për standardin evropian në jetën e çdo shqiptari”, ka thënë ai, duke treguar kështu se janë edhe vendet e tjera të BE që përbëjnë pengesë për hapjen e negociatave. Kryetar i Partisë Demokratike ka thënë edhe një herë se opozita është pro ligjit të Vettingut. Sipas tij ata kërkojnë që politikanët të përballen me drejtësinë. “Jemi shumë krenarë që kontribuam për një drejtësi që nuk është e kontrolluar nga Kryeministri”, ka thënë Basha për këmbënguljen e tij për amendamentet kushtetuese. Ai ka theksuar zotimin e Ramës për shtatë ligjet që do t’i bënte në konsensus me opozitën, por sipas tij ai e ka shkelur. Basha ka bërë një krahasim mes shkollimit të tij dhe disa prej deputetëve në Parlament. “Është absurde kjo që thoni! Lulzim Basha një jurist i diplomuar në Holandë kundër reformës e një tufë kriminelësh me katërvjeçare pro saj?!”, ka përfunduar ai duke krahasuar edhe disa deputetë të tjerë të PD me ata të qeverisë. Në lidhje me dekriminalizmin Basha tha se Edi Rama nuk ka vullnet për të zbatur ligjin, përveç se vullnetit politik të munguar. “Çfarë e pengon Edi Ramën, që e ka kompentencë ligjore ta shkarkojë me vendim të Këshillit të Ministrave Elvis Rroshin? Nuk e pengon asgjë ta shkarkojë, kur është konstatuar se ai është i dënuar në Itali për përdhunim në grup të një minoreneje, kur është dëbuar në Zvicër për trafik droge dhe ka gënjyer për të dyja në formularin e dekriminalizimit”.

Zgjedhjet në PD dhe koalicionet

Për Lulzim Bashën ditët e sotme shpërblehet e keqja dhe ndëshkohet e mira. Ai ka pranuar se është Partia Demokratike ka një pjesë të fajit në këtë sistem që është krijuar. Ai ka treguar edhe një herë për propozimin e tij të ri lidhur me kufizimin e mandatit të kryetarit të partisë nga katër vjet në dy, në mënyrë që kushdo ka kundërshtime dhe mendime të ndryshme ta sfidojë atë dhe të garojnë si të barabartë. “Partia Demokratike është e hapur. Kushdo që do të garojë nesër për poste të ndryshme nuk do të ketë asnjë pengesë. Kështu funksionon në Perëndim”, ka treguar ai për vizionin e tij për Partinë Demokratike. Basha është ndalur edhe tek kufizimi i mandatit të kryetarit të partisë. Ai ka theksuar se kryetari i PD-së do të ketë mundësi të zgjidhet vetëm për dy mandate. Sipas tij, një kryetar mund të drejtojë partinë vetëm për 8 vjet. Kreu i PD-së, Basha është pyetur nëse partia opozitare më e madhe në vend do të hyjë në zgjedhje. Kryetari Basha deklaroi se PD-ja është e angazhuar për garantimin e zgjedhjeve të lira në vend dhe të ndershme. Ai tha se kjo është një betejë, të cilën ne e kemi nisur në të gjitha frontet, institucional, publik, diplomatik dhe do të vazhdojmë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Partia Demokratike do të përballet me një koalicion të gjerë, me harkun më të gjerë opozitar, me këtë të keqe që vendi përballet sot”. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike ka mohuar kategorikisht një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Basha theksoi se PD është e hapur për koalicion me çdo parti politike që i bashkohet kauzës për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por ka mohuar koalicion parazgjedhor me LSI nëse Ilir Meta i propozon demokratëve rrëzimin nga pushteti të Edi Ramës. “Çdo parti politike që bashkohet me kauzën e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, bashkëpunim me këdo. Koalicion parazgjedhor me LSI jo. Ilir Meta dhe LSI duhet të mbajnë peshën e tyre të keqqeverisjes”, tha Lulzim Basha. Basha është ndalur edhe tek deklarata e disa kohëve më parë, ku ka deklaruar një aleancë politike me LSI-në me qëllim për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai theksoi se kjo nuk duhet ngatërruar, sipas tij, është tjetër gjë koalicioni politik dhe krejt tjetër një marrëveshje politike për të hyrë në garë të barabartë dhe mbi të gjitha për të garantuar mostjetërsimin e votave të qytetarëve. “Partia Demokratike nuk do të jetë në koalicion me LSI-në”, e ka prerë shkurt Basha. Kreu i PD-së Basha tha se koalicionet do t’i bëjmë sipas programeve dhe vlerave të këtyre subjekteve politike, përgjatë këtyre tri viteve qeverisje, e përjashtojnë absolutisht një koalicion me LSI-në. I pyetur për rikandidimin e Presidentit Nishani për një mandat tjetër për këtë post, ai ka thënë se PD do të mbështesë këto personalitet që gëzon respektin e shqiptarëve. I pyetur nëse do të mund të bashkëpunonte me LSI për rizgjedhjen e Nishanit, Basha ka thënë se votat e PD natyrisht nuk janë të mjaftueshme dhe për këtë do të mund të bashkëpunojmë me këto. “Do të bashkëpunojmë me çdo parti, por vetëm me kushtin që Rama, Meta apo kushdo tjetër të mos e përdorin këtë për pazaret e tyre të brendshme, dhe jo për t’i dhënë qytetarëve presidentin e duhur”. Lidhur me pyetjen nëse Nishani nuk arrin të rizgjidhet President, Basha ka treguar se kushdo ndan vlerat dhe vizionet e asaj partie i ka dyert të hapura.

Vettingu me Drejtorë shkallmoi Kushtetutën

– Z. Basha kishte ndonjë entuziazëm nga opozita shqiptare, pas deklaratave të një deputeti gjerman, i cili ishte i ashpër në këtë drejtim?
Nuk ka pasur asnjë entuziazëm. Shqetësim dhe turpërim. Pas gjithë këtyre viteve përpjekje, me ecjet para me ndalesa, me zig-zaget e tyre, jemi kthyer në një pikë ekzistenciale të futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ka të bëjë me problemet reale që ka të bëjë Shqipëria. Diskutimi i vërtetë sot është, do apo nuk do, PD-ja për hapjen e negociatave. Ajo e ka dëshiruar, e ka kërkuar dhe ka lobuar për këtë. Por diskutimi i vërtetë është se çfarë po e pengon hapjen e negociatave dhe çfarë duhet të bëjmë që Shqipëria të ecë përpara, të hapë negociatat dhe të ecë përpara”.
– PD duhet të bëjë detyrën e saj, të kalojë ligjin e Vetting-ut, të fillojë Vetting-u i gjyqtarëve, është kushti i parë dhe i vetëm kryesor për të filluar negociata…
“Kjo nuk është e vërtetë, shqiptarët, por dhe bota mbanë e di fare mirë se pengesa e vërtetë ka të bëjë me problemet dhe kërkesat reale. Padyshim zbatimi i Reformës në Drejtësi është i rëndësishëm. Dhe në qoftë se ka diçka pozitive që ka ndodhur këto 4-5 muaj dhe që është treguar si diçka pozitive dhe partnerët tanë dhe Komisioni Evropian, është fakti që palët politike kaluan me konsensus unanim Reformën në Drejtësi në korrik, nuk ka ndodhur në këto 26 vite. Që nga ky moment nuk ka pasur zhvillime pozitive, por ka patur negative. Ka pasur zhvillime negative në veçanti sa i përket drogës, krimit, moszbatimit të Ligjit të Dekriminalizimi dhe probleme me ligjet që duhet të binin nga Kushtetuta e rënë dakord me konsensus unanim, ku zoti Rama në kundërshtim me angazhimin që kishte marrë para opozitës, para ambasadorëve të Amerikës dhe Bashkimit Evropian me shkrim të konfirmuar nga ata, vendosi të përjashtojë opozitën nga procesi i hartimit të ligjit të Vetting-ut dhe hartoi një ligj për procesin e identifikimit dhe largimit të gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë, të cilin Partia Demokratike dhe Lulzim Basha e mbështetën dhe e votuan më 22 korrik. Tashmë nuk do ta bëjë siç e votuam më 22 korrik përmes institucione të pavarura të Vetting-ut, por do ta drejtojë ai me drejtorët e tij”.
– Ju jeni pro integrimit, Rama gjithashtu. Përse nuk uleni me Ramën dhe të gjeni një platformë të përbashkët që mund të lehtësojë rrugën integruese të Shqipërisë? Znj. Bregu tha sot se procesi i integrimit është mbi partitë. Përse nuk e bëni ju këtë?
“Padyshim që është mbi partitë dhe nuk ka nevojë të biem dakord ne, sepse detyrat na i kanë shkruajtur. Na i kanë përsëritur. Ja përsëritën dhe zotit Rama. Këtu në Tiranë ia përsëriti i dërguari i grupit CDU-CSU, zoti Gunther Krichbaum dhe në Berlin ia përsëriti Kancelarja Merkel në konferencën e shkurtër për shtyp para takimit, e dëgjoi zoti Rama, e dëgjuan shqiptarët. Dhe tha fare qartë që përveç 5 kritereve, rol të veçantë ka dhe lufta kundër krimit, korrupsionin, garantimi i zgjedhjeve të lirë. Ajo që ndodhi pas kësaj është që zoti Rama, në radhë të parë retushoi, hoqi pjesë e zgjedhjeve nga citimi që i bëri znj. Merkel. Kjo erdhi pas një sulmi të paprecedentë që i bëri z. Krichbaum duke e konsideruar deri avokat apo lobist të Partisë Demokratike apo dhe mikun tim personal, duke mos e parë për atë që është. Njeriu më i rëndësishëm në partinë e Merkelit për çështjet e politikës së jashtme, për çështjet e politikës evropiane”.

– A do të hyjë Partia Demokratike në zgjedhje?
“Partia Demokratike është e angazhuar për garantimi e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo është një betejë që ne e kemi nisur në të gjitha frontet institucionale, publike, diplomatike dhe do ta vazhdojmë, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Patjetër që Partia Demokratike do të përballet me një koalicion, me një aleancë më të gjerë me këtë qeveri të dështuar, pa përfshirë LSI. PD nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim”.
– A ka realisht Partia Demokratike një plan protestash për t’u kthyer në janar?
“Padyshim që protesta është pjesë e përditshme e aksionit tonë opozitar. Ka pasur sot, para disa ditësh në Shkodër, në Fier. Protestat janë siç kanë qenë dhe gjithmonë pjesë e aksionit opozitar dhe do të vazhdojnë të jenë, si për raste të veçanta që kanë të bëjnë për padrejtësitë ndaj qytetarëve. Protesta me të gjitha format”.
– Ku bërë më shumë lajm protestat e Arlind Qorrit? Ku është produkti i protestave tuaja?
“Produkti i protestave është mbledhja e një numri të madh qytetarësh. Rruga për të ndryshuar Shqipërinë është bashkimi i gjithë qytetarëve të ndershëm rreth një kauze dhe kauza nuk është vetëm e një partie politike, por e një Shqipërie për të gjithë. Si do ta ndërtojmë? Kjo kërkon një platformë të detajuar, një vizion se ku do të shkojmë dhe çfarë dot të bëjmë. Protestat do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen”.

Enton DACI

Artikulli paraprakVallëzim me Putinin? Më parë do shkosh prapa diellit
Artikulli tjetërBinomi i hajdutëve Rama-Çela lë Tiranën në errësirë, anullohet derbi