Basha: Partnerët do të nxjerrin provat e mbështetjes së krimit nga Rama dhe qeveritarët

Kryetari i PD, Basha paralajmëroi në një koferencë për shtyp të dhënat të reja nga partnerët e Shqipërisë që implikojnë direkt Ramën dhe qeverinë në mbështetjen ndaj krimit. Basha hezitoi të bëjë publike të dhëna nga këto hetime, por tha se do të ishte mirë që më parë provat duhen të dalin nga partnerët.

Edhe më parë se të shpërthente skandali për Tahirin, Basha e paralajmëroi atë në Parlament, por pa e specifikuar me emër. Basha i kërkoi sot Prokurorisë që të hetojë oficerët që arrestuan ish-oficerin e policisë Dritan Zagani. “Kjo u bë që ti mbyllej goja”, tha Basha.

Kryetari i PD deklaroi se  Rama po shkon nga një studio televizive në studion tjetër si avokat i krimit të organizuar. Ai deklaroi se opozita do të jetë e gatshme ndaj zhvillime që priten në ditët e ardhshme.

Deklarata e plotë e Bashës

Dritan Zagani nuk ka qenë kurrë i dënuar nga krimet e rënda.

Edi Rama dje gënjeu drejtpërdrejt para miliona shqiptarëve.

Tahiri e arrestoi Zaganin sepse ai nuk heshti por guxoi, ngriti zërin dhe hetoi lidhjet kriminale Tahiri-Habilaj. Sipas kodit mafioz të hakmarrjes kundër atij që flet, Edi Rama dhe Saimir Tahiri kërkuan ta bënin shembull Zaganin për t’i treguar çdo kujt se çfarë i pret nëse flasin.

Por akuzat qesharake të montuara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, një drejtori e Ministrisë së Brendshme nën urdhrat e Tahirit, nuk dhanë asnjë rezultat megjithë presionin e madh që Rama dhe Tahiri ushtruan.

Punonjësit e shërbimit të kontrollit të Ministrisë që arrestuan Zaganin duhet të hetohen dhe të merren të pandehur për montim akuzash dhe konspiracion në mbështetje të krimit. Këtë duhet të bënte Edi Rama, të çonte këta punonjës në prokurori.

Por Edi Rama nuk është më kryeministër. Tani ai është avokati mbrojtës i Tahirit dhe i Habiljave. Sic e shikoni ai merret vetëm me mbrojtjen e krimit dhe me asgjë tjetër. Bredh studio më studio, podium më podium e në çdo vend duke bërë avokatin mbrojtës të Tahirit. Sepse kështu mbron veten e tij.

Edi Rama dhe Saimir Tahiri ndiheshin të plotfuqishëm dhe të pamposhtur deri dje. Sot ata janë në dëshpërim, sepse po ndeshen me të vërtetën dhe sepse kanë humbur çdo kontroll.

Dhe ky është vetëm fillimi. Në ditët e ardhshme do ketë të reja të tjera që zbulojnë përfshirjen e qeveritarëve shqiptarë dhe të Ramës në mbështetje të krimit dhe të trafikantëve të drogës.

Edhe bota tashmë e ka kuptuar dhe nuk mund të lejojë më një shtet të kontrolluar nga krimi në mes të Europës. Dua të përshëndes me këtë rast deklaratën e djeshme të Grupit të Partisë Popullore Europiane, më të madhit dhe më të rëndësishmit në Europë ku drejtojnë shumicën e qeverive të kontinentit.

Tashmë qëndrimi amerikan dhe europian është i qartë: mbështetje për prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë lidhjet e politikës me krimin, dënim të sulmeve dhe ndikimeve politike ndaj drejtësisë, barazi para ligjit të çdokujt, përfshi edhe politikanët më të lartë.

 

Artikulli paraprakNostalgji për socializmin
Artikulli tjetër8 koncesionet e reja të Ramës me vlerë 157 miliardë lekë që do të paguajmë në 2018