Basha: Opozita është e gatshme për zgjedhje të parakohshme…

Kryetari i PD, Lulzim Basha në një interviste për gazetën “Mapo” është pyetur edhe nëse opozita është e gatshme, që të hyjë në zgjedhje të parakohshme që ditën e nesërme.

Sipas Bashës, opozita është e gatshme për zgjedhje të parakohshme kurdo që të zhvillohen ato, por duke pasur të njëjtin kusht që është vënë që nga 16 shkurti i këtij viti kur, braktisën parlamentin.

‘Pjesëmarrja në farsën e 30 qershorit nuk kishte lidhje me gatishmërinë tonë për zgjedhje, por me standardet që i ofroheshin qytetarëve. Ne kemi qenë gati për të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato do të kishin garancitë minimale për të siguruar votën e lirë, të fshehtë, të pandikuar, të pakërcënuar e të pashantazhuar të qytetarëve shqiptarë.

Por, siç e tha dhe ODIHR, 30 qershori nuk kishte lidhje me qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre. Çdokush e pa se si edhe kur vetë kandiduan, vetë votuan, vetë numëruan, Edi Rama dhe veglat e tij, prapë abuzuan dhe tjetërsuan çdo hap të procesit. Ajo që ne kemi kërkuar prej ditës së pare, kanë qenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, garantimi i votës.

Sot kemi në krahun tonë edhe aleatët perëndimorë. Por përpara 30 Qershorit, ne nuk kishim një dokument të Bundestagut që njihte krizën politike dhe që kërkonte zgjidhjen e saj, nëpërmjet një reforme elektorale që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.

Thelbi i kërkesës kryesore të opozitës janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje që nesër me të njëjtin kusht që kemi pasur prej 16 Shkurtit- garantimin e lirisë së votës për shqiptarët. Këtë duhet ta bëjë një qeveri kujdestare, që ka vullnetin për të përmbushur rekomandimet e ODIHR dhe kushtet e Bundestagut’, ka deklaruar Basha për këtë dilemë.

Një nga dilemat publike më të mëdha të kohëve të fundit për të cilën kërkohet një përgjigje nga Lulzim Basha është edhe ekipi me të cilin do të shpalosë strategjinë qeverisëse në zgjedhjet e radhës dhe cilat do të jenë figurat, kryesore në kabinetin e tij.

Në intervistën për ‘Mapo’ Basha i jep përgjigje kësaj pyetje duke bërë profilin e tyre, por pa përmendur emra konkretë.

‘Partia Demokratike ka kapacitete njerëzore dhe intelektuale për të ndërtuar më shumë se një ekip qeverisës. Une jam krenar që drejtoj një parti që ka kaq shumë kapacitete si PD. Ekipi im janë demokratët në të gjithë vendin, janë njerëzit e ndershëm që e duan vendin e tyre, janë qytetarët që duan të japin kontributin e tyre për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa.

Ekipi im nuk do jenë kurrë hajdutët, të korruptuarit dhe kriminelët. Por djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, të mirë shkolluar dhe me integritet, që qeverisjen e shohin si shërbim ndaj njerëzve të zakonshëm dhe jo si mundësi për tu pasuruar vetë në mënyrë të paligjshme apo për të pasuruar një grusht njerëzish në kurriz të interesit të qytetarëve.

Unë ju garantoj që në qeverisjen e vendit do të jetë një ekip perëndimor që do bëjë ndryshimin e madh dhe rrënjësor të qeverisjes, nje qeverisje të njerëzve dhe për njerëzit’. Ka shpalosur strategjinë e tij kreu I PD.

Gjithashtu Basha ka treguar për herë të parë se në kuadër të forcimit të partisë aktualisht është në negociata edhe me figura të spikatura apo ish-anëtarë të thjeshtë të larguar për arsye të ndryshme nga kjo forcë politike.

‘PD ka qenë dhe do të mbetet një parti e hapur, ku cilido që dëshiron të japë kontribut, do t’i mundësohet kjo. Unë nuk kam larguar dhe nuk do të largoj kurrë nga PD asnjë demokrat, asnjë kontributor.

Secili prej tyre është aksionier në këtë parti dhe ka përgjegjësi përpara demokratëve të tjerë për të kontribuar në suksesin e Partisë Demokratike. Kam komunikim të vazhdueshëm me themelues të PartisëDemokratike, me ish-drejtues apo ish-deputetë, që vazhdojnë të kontribuojnë në parti përmes këshillave dhe aktivitetit të tyre.

Përfitoj nga eksperienca e tyre e çmuar për të bërë të mundur sa më shpejt ndryshimin që e dëshiron çdo shqiptar. Partisë Demokratike po i bashkohen çdo ditë të rinj e të reja të shkolluar brenda dhe jashtë vendit në universitetet më të mira te botës, po i bashkohen me një entuziazëm prekës gjimnazistë që duan të kontribuojnë në ndryshimin e madh që e pret vendin. Në PD kontribuesit më të mëdhenj janë dhe qëndrestarët e palëkundur dhe idealistë, të cilëve u kemi një borxh të madh mirënjohje’, ka thënë Basha për këtë çështje.

Artikulli paraprakDeklarata e fortë e Berishës: Nëse do të isha sot Kryeministër, vendi pranë anëtarësimit në BE. Po groposin eurot
Artikulli tjetërRevoltë në Mat, banorët në protestë kundër ndërtimit të HEC-it, përplasje me policinë