Basha: Nuk ndalemi, betejë për lirinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për lirinë. Menjëherë pas arrestimeve të dhunshme të protestuesve nga policia dhe shoqërimi barbar i tyre në komisariat, Basha është nisur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Basha i kërkoi autoriteteve të Prokurorisë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të pafajshëm, si dhe ish-deputetin demokrat, aktualisht kreun e Degës së PD nr. 5, Ndriçim Babasin.
“Ju informoj se sapo kam takuar dhe biseduar me miqtë dhe vëllezërit tanë duke filluar dhe përfshirë kryetarin e Degës nr. 5, Çim Babasin. Kam kërkuar nga autoritetet e Prokurorisë shqiptare të rivendosin ligjin, të vendosin para përgjegjësisë ligjore xhelatët, njerëzit që përlyen uniformën e shtetit, të cilët përlyen uniformën e ligjit, duke vepruar si banditë në mes të ditës në Tiranë dhe po kështu të japin drejtësinë e merituar për të gjithë ata që dhunuan protestuesit e pafajshëm në ditën e sotme dhe ju garantoj se do të vazhdojmë të luftojmë deri në përmbushjen e këtij kushti të drejtë. Kush mendon se me dhunë, frikë, me terror do ta ndalë një popull që të luftojë për vlerat e vërteta, për vlerat e lirisë dhe demokracisë, e ka gabim. Shqiptarët e kanë provuar një herë e do ta provojnë përsëri. Dita e madhe e pranverës së demokracisë po afron. Nuk e ndalon dot Edi Rama. Nuk e ndalon dot krimi. Nuk e ndalon dot oligarkia”, u shpreh Basha.
Basha falënderoi të gjithë protestuesit për mbështetjen dhe faktin që nuk shkurajohen nga dhuna shtazarake, por siç tha ai, “provojmë se jemi ne alternativë, jemi ne Europa, jemi ne e drejta, jemi ne ligji, jemi ne Kushtetuta, jemi ne ata që shqiptarët iu besojnë e do t’u besojnë së shpejti me votë të lirë për ta shporrur këtë regjim”.

Ai theksoi se ngjarja e djeshme provoi se regjimi i Edi Ramës është një regjim antikushtetues dhe antiligjor. “Është një regjim i krimit dhe i dhunës. Sot u provua se Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, qytetarët shqiptarë janë në anën e ligjit, janë në anën e së drejtës, janë në anën e Kushtetutës dhe sot shteti ligjor, shteti i së drejtës jemi ne, krimi dhe regjimi oligarkik është përballë nesh. Me një përpjekje për t’iu kundërvënë një të drejte elementare, të drejtës së protestës, një përpjekje për t’i shërbyer antiligjit, duke përdorur dhunën e zhveshur dhe shtazarake, kundër grave dhe vajzave, të rinjve, të rejave dhe të moshuarave, sot regjimi i Edi Ramës mobilizoi efektivë të policisë në kundërshtim me ligjin, të armatosur deri në dhëmbë, pa shenjat e tyre të identifikimit, për të ushtruar dhunë mbi protestuesit, një pjesë e të cilëve ka përfunduar në spitalet e Tiranës”, tha Basha.
Kreu i PD paralajmëroi se ky regjim i ka orët e numëruara dhe se opozita bashkë me qytetarët do të rezistojnë derisa të fitojnë në betejën e tyre kundër krimit në pushtet. “Këta mendojnë se me anë të dhunës, me anë të frikës do të mund të instalojnë regjimin oligarkik në Shqipëri dhe të zhbëjnë ëndrrën demokratike 25-vjeçare të shqiptarëve. Këta mendojnë se me anë të dhunës dhe përndjekjes policore mund të vazhdojnë të mbushin xhepat e tyre me milionat që iu marrin shqiptarëve që rraskapiten nga mëngjesi deri në darkë, me vende pune që paguhen keq apo që kërkojnë prej muajsh e vitesh vende pune e nuk gjejnë, për të ushqyer fëmijët e tyre. Këta kujtojnë se do të detyrojnë shqiptarët të marrin rrugën e emigracionit, rrugën e eksodit nga dëshpërimi e në këtë mënyrë ta kthejnë Shqipërinë në kopshtin e sundimit të oligarkëve. Ne jemi sot këtu për t’i thënë që kjo nuk ka për të ndodhur, që oligarkia nuk ka për të triumfuar, se ne do të qëndrojmë, luftojmë dhe rezistojmë për shtetin ligjor, për demokracinë dhe ne së bashku me të gjithë qytetarët shqiptarë do të fitojmë”, u shpreh ai.
Basha tha se askush nuk do mund të pengojë dot të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. “Ky regjim bandit i ka orët e numëruara. Ky regjim që tregoi sot fytyrën e tij të vërtetë, para Europës, para Amerikës dhe para qytetarëve shqiptarë, duhet ta dijë se po sot ka filluar numërimi mbrapsht për të.
Ne nuk ndalemi, ne nuk sprapsemi, ne do të qëndrojmë fort gjithmonë e më shumë të bashkuar në qëllimin tonë në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të ligjit. Edhe sot këtu në këtë Drejtori të Policisë të Tiranës ne ishim ligji, ne ishim Kushtetuta dhe përballë kishim fytyrën antiligjore të regjimit të Edi Ramës, të njeriut që drekon e darkon me shullazët, të cilët bëjnë ligjit në komisariatet dhe drejtoritë e policisë, ndërkohë që qytetarët që ushtrojnë të drejtën e tyre legjitime për protestë grabiten në mes të ditës nga maskat dhe burgosen në mënyrë të paligjshme”, u shpreh kreu i PD.

Artikulli paraprakTiranitë kanë vetëm një fat, përmbysjen
Artikulli tjetërTirana është e qytetarëve, jo e arrogancës së pushtetarëve