Basha: Nuk ka vetting me Prengët e Roshët

Kryetari i opozitës deklaroi nga sheshi i lirisë se ekuacioni i frikës që Rama u kishte imponuar shqiptarëve përmes bandave të krimit tani ka ndryshuar dhe i frikësuari dhe më i izoluari nga ndërkombëtarët tani është Rama.
“U ka dhënë për detyrë të frikësojnë e të terrorizojnë qytetarët me qëllim që të prishë zgjedhjet e ardhshme. Të prishë zgjedhjet e ardhshme me qëllim që, përsëri ai me një grusht kriminelësh të mbeten në pushtet e të vazhdojnë t’i marrin frymën popullit. Të vazhdojnë ta përballin shumicën e shqiptarëve me dy alternativa, ose dëshpërim dhe ulje koke, ose largimin masiv nga vendi i tyre, nga shtëpitë dhe qytetet e tyre, nga tokat e tyre. Ky ishte ekuacioni deri më 18 shkurt. Deri më 18 shkurt, frika si një instrument zotërimi, mbizotëronte në popull dhe kokoshi 200 milionësh krekosej me arrogancën dhe harbutërinë e tij. E keni parë, prej datës 18 shkurt, nuk po gjen vrimë ku të fusë kokën. Ekuacioni ka ndryshuar, populli nuk ka më frikë. Populli e ka vrarë frikën, populli e ka kuptuar se nuk ka pse të ketë frikë nga një pakicë që përfaqëson llumin e shoqërisë, frika është përtej atyre mureve. Frika duhet të jetë e Edi Ramës dhe bandës së tij”, tha Basha.
Kryetari i opozitës u shpreh qartë dhe prerë se vetting me Prengët dhe Roshët nuk do të ketë dhe se vetting do të bëhet vetëm me qeverinë teknike. “Edi Rama dhe banda e tij është më e izoluar se kurrë, nuk e duan demokratët, nuk e duan socialistët, nuk e do Jugu, nuk e do Veriu. Nuk e duan as ndërkombëtarët, ata që zgjedhjet e lira dhe të ndershme i kanë vlerën më të patjetërsueshme për kombet e tyre. E kanë kuptuar, se beteja jonë nuk ka e nuk mund të ketë përfundim tjetër përveç fitores së qytetarëve të bashkuar, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin e Parlamentit dhe institucioneve, luftës kundër drogës dhe një drejtësi të vërtetë. Vetting me Armando Prengën, vetting me Elvis Rroshin nuk ka e nuk ka për të pasur. Por do të ketë me qeverisjen e re, me qeverisjen që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe që të nesërmen ne do të ulemi për t’i dhënë shqiptarëve vettingun, të cilin e votuam më 22 korrik, vettingun që garanton gjyqtarë dhe prokurorë të pastër e të pakapur, të cilët janë makthi i Edi Ramës”, tha Basha.
Ai u shpreh se arsyeja përse Rama po kërkon një drejtësi të kapur nga njerëzit e tij janë aferat e panumërta korruptive që me një drejtësi të vërtetë do ta vinin atë para përgjegjësisë. “I dridhen leqet e këmbëve kur mendon drejtësinë e pakapur, drejtësinë që nuk e merr dot në telefon ta shantazhojë e ta urdhërojë, atij dhe bandës në pushtet. I prishet gjumi nga vettingu i vërtetë. Prandaj do vetting fasadë, me shoqatat e vullnetarëve të Enverit që ka nxjerrë sot rrugëve të Tiranës. Vetting do të ketë një ditë pas qeverisë teknike, do të ketë vetting të vërtetë dhe drejtësi të vërtetë. Por, e para punë që duhet të kryhet është largimi i pakicës së bandave në pushtet me të cilat do të prishë dhe kapë zgjedhjet e shqiptarëve. Kjo është detyra, ky është vendimi i madh që na ka mbledhur këtu. Kjo është detyra e madhe që kemi marrë para shqiptarëve sot, para historisë sonë kombëtare, jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, po që këtej e tutje, shqiptarët nuk do të pranojnë më zgjedhje të diktuara nga krimi, zgjedhje të diktuara nga paratë e pista të drogës, zgjedhje të diktuara nga korrupsioni. Ose do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme ose zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur. Ne nuk do t’i lejojmë, nuk do t’i lejojmë zgjedhjet fasadë”, tha Basha.

Artikulli paraprakRilicencimi i hidrokarbureve do bllokojë furnizimin me naftë
Artikulli tjetërMesazhi nga CDU e Merkel: Merrni në dorë fatet e vendit