Basha: Misioni im ta lëmë pas tranzicionin e karrigeve të salduara, të rreshtit të parë ku nuk lejohet askush tjetër, sepse aty ndajnë Shqipërinë si plaçkë

Rinia ka ditur ta përqafojë lirinë. Sa të rinj kemi sot anembanë Shqipërisë, të cilët me gjithë këto kushte të vështira, prapë se prapë nuk e kanë humbur shpresën tek vendi i tyre. Sa të tjerë kemi jashtë Shqipërisë, që nuk dallojnë fare as në aftësi, as në talent as në produktivitet nga bashkëmoshatarët e tyre të lindur dhe të rritur, siç i thonë me lugë floriri, apo në kushte shumë të mira në Angli, në Itali, në Gjermani, në Itali, në Greqi, në Francë, në Shtetet e Bashkuara. Pra, kjo do të thotë që në thelb nuk ka asgjë gabim me rininë shqiptare, përkundrazi, kur ia del në kushte kaq të vështira, imagjinoni po t’u jepen mundësitë. Çfarë mundësie mund t’i ofrojë politika rinisë? Në radhë të parë, mos të saldohet në karrige. Të lejojë qarkullimin e elitave, të lejojë që gjërat të ecin përpara. Pse saldohen pas karrigeve? Sepse lidhin interesat aty, interesat politike lidhen me interesat ekonomike, me interesat financiare. Mund ta ndajmë shoqërinë në dy lloje të ndryshme sipas mënyrës që vendosim. Sot dua ta ndaj në dy mënyra të cilat i kuptoni, për shkak të se me to ballafaqoheni çdo ditë. Një shoqëri ku ecën përpara për shkak të aftësive të tua Gisela, jo për shkak se kë njeh dhe vajza e kujt je. Kjo është shoqëri në të cilën i jepet mundësia të ecin përpara sipas aftësive të veta. Dhe ata që nuk i kanë këto aftësi, se jo çdokush i ka aftësitë të ecë përpara, për ta shoqëria kujdeset, nuk i lë prapa, nuk i lë në rrugë pa shtëpi, nuk i lë të hanë në kazanët e plehrave. Po shumica dërrmuese i kanë aftësitë të ecin përpara, për atë që janë, për atë që përfaqësojnë. Dhe këtë e garanton ligji, e garanton barazia para ligjit. Dhe për këtë përgjigjen politikanët. Të cilët, siç e keni parë në perëndim, edhe për një sanduiç që e kanë blerë me lekët e shtetit, japin dorëheqjen.

Dhe shoqëria tjetër, është shoqëria e patronazhit. Dhe kjo me siguri, ju kujton zgjedhjet dhe masakrën elektorale të 25 prillit, por patronazhi është shumë më i thellë se sa kaq. Është një koncept mesjetar, “unë jam mbreti, poshtë meje janë dukët, poshtë dukëve janë kontët, poshtë kontëve janë baronët”, secili prej tyre ekziston për shkak të shkallës që ka më sipër. Ai që është më sipër iu pret kokën, ose iu fal tokën. Ti nuk merr dot punë, po nuk u fut mik dikush tek unë, po s’qe vajza e dikujt që njoh, apo akoma më keq, siç e dimë fare mirë. E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën e studimit. Ky është sistemi, këto janë shoqëritë e patronazhit, të tutelazhit, të kodoshllëkut që ta themi haptazi. Po kodoshllëkut politik në këtë rast, i cili buron nga maja e deri poshtë. Se nuk mundet një zyrtar i thjesht, në Tiranë apo në Lezhë, apo në Vlorë, i policisë, apo i kadastrës, apo i Drejtorisë së Arsimit, të sillet si kodosh në qoftë se nuk sillet i pari i vendit si kodosh.

Përndryshe merr atë që meriton. Ndodh, po merr atë që meriton nga ligji. Si do ta bëjmë këtë ndarje? Si do ta bëjmë këtë ndarje, që njerëzit të ecin përpara në bazë të meritës? Si do ta bëjmë këtë ndarje, që shpresa e vetme për këtë vend, motivi im i vetëm për këtë betejë, që jeni ju, është rinia, janë të rinjtë, janë fëmijët tanë, të ketë sukses dhe të mos kthehemi prapë në qerthullin e tranzicionit, të karrigeve të salduara, të fundshpinave të politiaknëve të salduara në të njëjtin rresht të parë të karrigeve, ku nuk lejojnë askënd tjetër, sepse aty ndajnë bashkë Shqipërinë si plaçkë.

Artikulli paraprak“Politika nuk njeh karrige  të përjetshme”/ Basha me të rinjtë: Pse bëhet e gjithë kjo betejë? Në mënyrë që të qarkullohen elitat. Koncepti i politikës është ndryshimi…
Artikulli tjetërBasha: Vajzat dhe djemtë e FRPD janë zemra e misionit tonë për të sjellë ndryshimin që duan të gjithë shqiptarë.