Basha mbledh sot krerët e degëve të PD për protestën

Kryetari i PD, Lulzim Basha do të mbledhë në selinë e PD të gjithë krerët e Partisë Demokratike në rrethe me qëllim diskutimin mbi protestën e ardhshme të opozitës si dhe mirëorganizimin e saj. Basha ka paralajmëruar se protesta e opozitës do të ketë përmasat e një revolte të fuqishme popullore, në të cilën do të ngrihet shqetësimi kryesor, ai i ngjitjes së krimit dhe drogës në pushtet si dhe varfërimit ekstrem të shqiptarëve. Si asnjëherë më parë, për këtë protestë do të mobilizohen në mënyrë të fuqishme të gjitha forcat aleate, por edhe më tej. Partia Demokratike si partia më e madhe e opozitës do të luajë rolin kryesor dhe peshën kryesore të organizimit dhe mobilizimit të qytetarëve. Dje, në një konferencë për mediat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zbuloi detaje në lidhje me aksionin opozitar, kur do të nisin protestat dhe si do të organizohen. “Diapazoni i protestës është shumë i madh, sepse dhe problemet janë të shumta. Do të bëjmë një organizim të protestës në mënyrë shumë dimensionale. Do të jetë një ndër protestat më të mëdha, nuk kemi vendosur akoma për datën, por që protesta do të vijojë. Do të kemi një lëvizje të mirëorganizuar, e cila do të përfundojë me realizimin e objektivit me sukses. Në fakt janë vet qytetarët dhe zemërimi i tyre ndaj Ramës dhe klikës në pushtet, të cilët po presin protestën e opozitës. Varfëria, papunësia, lufta e vështirë për mbijetesë për bukën e gojës përbën sot një motiv të fortë për t’iu bashkuar protestës së opozitës dhe për të ngritur zërin ndaj padrejtësive.

Artikulli paraprakDosja “Xibraka” e vëlla Olsit në takimin mes Merkel dhe Ramës
Artikulli tjetërProtesta për largimin e Ramës, thirrje për bashkim