Basha: Lidhjet e Ramës me krimin në mijëra faqe të drejtësisë italiane

Drejtësia italiane, përgjimet e saj në dosjen Habilaj rrëzojnë çdo alibi të Ramës e çdo përpjekje të dëshpëruar të tij për të dalë i pastër nga çështja Tahiri dhe zbardhja e lidhjeve të tij me bandat e trafikun e drogës. Përmes një deklarate për mediat, kreu i PD, Lulzim Basha deklaroi se përpjekjet e Ramës për t’iu fshehur lidhjeve të tij me drogën janë të dështuara dhe se çdo akuzë e ngritur ndaj Tahirit për lidhjet me Habilajt si kreu i bandës së tyre të drogës janë të dokumentuara në mijëra fashikuj në dosjet e Antimafias italiane.
“Se cili është shteti i Edi Ramës, u pa qartë çdo ditë këto 4 vite, dhe e provuan në kurriz shumica e shqiptarëve. Sot shteti i tij i krimit është shpalosur dhe në mijëra faqe të drejtësisë italiane. Një shtet që funksionon i gjithi në shërbim të trafikantëve. Një shtet ku ministri i Brendshëm është shefi i madh i bandës. Një shteti, ku Rama vetë i bëhet pengesë drejtësisë, duke e mbrojtur Tahirin teksa bën gati gijotinën për të varfërit që skanë mundësi të paguajnë ujin”, tha Basha.
Në Shqipërinë e viteve të fundit, Rama instaloi dhunën dhe terrorin si model ndaj nënshtrimit të qytetarëve, duke çuar dhjetëra kryefamiljarë drejt vetëflijimin, duke lënë mijëra familje pa bukë e në mbijetesë, e duke i ofruar krimit dhe drogës gjithë pushtetin e mundshëm e duke mbajtur në këmbim prej tij karrigen e Kryeministrit.
“Edi Rama është i vetmi kryeministër që alternativë për qytetarët ka dhunën, presionin dhe burgun, ndërsa mbrojtjen, kujdesin dhe lehtësitë i ka për trafikantët me të cilët fiton dhe ndan pushtetin. Një kryeministër i përgjegjshëm s’do gjente qetësi derisa të krijonte mundësi për qytetarët e tij që s’paguajnë dot faturën e ujit. Ndërsa Rama i kërcënon me burg ata që nuk sigurojnë dot as bukën e gojës. Sigurisht që për ata që janë abuzuesit më të mëdhenj nuk do të ketë asnjë problem, siç ndodhi me aksionin famëkeq të energjisë, ku u shtynë drejt vetëvrasjes 12 kryefamiljarë, ndërsa oligarkët e lidhur me qeverinë vazhduan abuzime marramendëse me faturën e energjisë”, tha Basha.
Kreu i PD solli në vëmendje varfërimin e ekonomisë shqiptare si dhe largimin masiv të investitorëve të huaj, ashtu si edhe mungesën e lehtësimit të familjeve në nevojë me ndihmë ekonomike. Por ky tha Basha, i cili do të ishte modeli i shtetit për qytetarët nuk është modeli i Ramës, i cili sot bashkë me qeverinë e tij e kanë zhytur shtetin në krim dhe janë të kapur prej tij.
“Një kryeministër i përgjegjshëm do të orientonte investimet që hapin vende pune, do të ulte taksat për biznesin, do të rriste pagesën për familjet në ndihmë ekonomike dhe përmes buxhetit të shtetit, do të merrte përsipër faturën e energjisë dhe ujit për familjet në pamundësi ekonomike. Dhe ky do të ishte shteti për qytetarët, për hallet e përditshme të njerëzve. Por shteti i Edi Ramës është i gjithi në shërbim të tij dhe të kriminelëve të tij, ai i shkel me këmbë qytetarët, atij nuk i duhen qytetarët. Shteti i Ramës është i zhytur në krim dhe i kapur nga krimi”, tha kreu i PD.

Rama ndan pushtetin me kupolën mafioze

12 anëtarët e rinj të bandës i konsideroi dje kreu i PD, Lulzim Basha 12 prefektët e rinj të emëruar nga Rama përmes një show të përgatitur mediatik ku më parë u shkarkuan po në një vendim të vetëm të gjithë prefektët e mëparshëm. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Basha e ka cilësuar vendimin e Ramës si një mënyrë e ndarjes së pushtetit me kupolën mafioze. “Llustraxhiu doli sot me 12 shërbëtorë të rinj, në një përpjekje të dëshpëruar për ta çuar vëmendjen diku tjetër, i zënë siç është nga skandali i madh i narko-shtetit. Po çlidhje kanë ca të emëruar, që as nuk do të marrin frymë pa lejen e tij, kur pushtetin e vërtetë ai e ndan me kupolën mafioze e me oligarkët e tenderave. Siç janë punët, 12 prefektët janë 12 anëtarët e rinj të bandës. Ndoshta, ka prej tyre që nuk janë nisur me atë qëllim, por shpejt, do ta shohin veten si noterë e shërbëtorë të Habilajve e familjeve mafioze që janë realisht prefektët e Edi Ramës në 12 qarqet e vendit”, tha Basha në reagimin e tij.

Përsa kohë vendi do qeveriset nga Rama, investitorët e huaj larg Shqipërisë

Degradimin e ekonomisë dhe largimin e investitorëve të huaj, Basha e ka cilësuar si të dokumentuar më së miri nga raporti i fundit i Bankës Botërore “Doing Bussines”, sipas të cilit Shqipëria humbi 7 vende në lidhje me klimën e të bërit biznes. Përmes një reagimi për mediat, Basha renditi arsyet dhe mesazhin e qartë që i përcillet Shqipërisë përmes Bankës Botërore. Se për sa kohë që vendi do të qeveriset nga Rama, investitorët e huaj do t’i qëndrojnë larg Shqipërisë. “Banka Botërore konfirmon: Rritja e taksave po rrënon ekonominë shqiptare.
Shqipëria humbet 7 vende në vlerësimin e Raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2018”.
Faktori kryesor i këtij përkeqësimi është rritja e taksave dhe detyrimeve, duke humbur plot 28 vende për këtë arsye. Raporti shprehet se 37.3% e fitimit shkon për taksa dhe kontribute, ndërkohë që qeveria zvarrit pafundësisht rimbursimin e TVSH-së. Fqinjët tanë vazhdojnë të kenë një renditje më të mirë sesa Shqipëria, e cila renditet në vendin e 65. Maqedonia renditet në vendin e 11, Kosova në vendin e 40, Mali i Zi në vendin e 42, duke treguar përparësi krahasuar me Shqipërinë.
Edhe këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, mesazhi është shumë i qartë: Investitorët e huaj që duan të investojnë në Ballkan, e shohin Shqipërinë si zgjedhjen e fundit. Janë vendet fqinjë (Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi) të cilat do të jenë më të afta për të thithur investitoret e huaj”, shprehet Basha.

Artikulli paraprakAmendamenti i PD në ndihmë të 180 mijë familjeve, tekste falas për nxënësit deri në klasën e 9-të
Artikulli tjetërDelawie: Shtetet ta njohin Kosovën, pavarësia është e pakthyeshme