Basha: Largimi i Ramës si akt i qytetarëve të lirë, jo si bashkimi i qelbësirave!

Kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar se, largimi i Ramës si akt i qytetarëve të lirë, jo si bashkimi i qelbësirave!
Nga fjala e Kryetarit të PD, Lulzim Basha, në Kuvendin Kombëtar të PD 
Prej të paktën një shekulli, politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve, politika ka qenë më shpesh pengesë se shtytje për përparim ka qenë më shpesh ndarje se sa bashkim, ka qenë një mjet në duart e disave për të grabitur dhe sunduar gjithë shqiptarët tjerë. Sot, ne kemi nevojë për një politikë perendimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta jo për parrulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk eshte e lehte por as e pamundur.
Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re. Ne duhet të krijojmë kushtet Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Hapja e rrugës për këtë kalim të madh, për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik. Ky është dhe do të jetë deri në fund qëllimi im kryesor dhe mbi të gjitha si drejtues i Partisë Demokratike.

Sot nga kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, në këtë përvjetor të atij dhjetori magjik dhe triumfues të historisë sonë, ju ftoj në këtë mision të madh kombëtar, në këtë mision për të shpëtuar Shqipërinë me të vetmen kurë që ka shpëtuar dhe çuar përpara kombet e përparuara mbi dhé: liri, demokraci dhe europianizëm.
Shqipëria e sotme, ashtu si Shqipëria e para 30 viteve, është ende prapa botës së zhvilluar, është ende larg potencialit tonë kombëtar, është ende një vend i prapambetur ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja shoqërore.
Vitet e fundit, vendi është zhytur në autokraci, po vuan nën sundimin e krimit dhe të korrupsionit, po lëngon në mjerim ekonomik dhe është e izoluar nga bota e politikës, ekonomisë, kulturës, dijes, shkencës dhe vlerave perendimore.
Është e vërtetë se korrupsioni nuk lindi këto pesë vitet e fundit. Është e vërtetë se krimi ka tentuar dhe ka mundur edhe më parë të ndikojë apo të ketë lidhje me qeverinë. Është e vërtetë se biznesmenët kanë synuar edhe më pare, jo pa sukses, të ndikojnë vendim-marrjen e qeverisë në favor të tyre. Por me qeverisjen e fundit socialiste të gjitha këto dukuri shkatërruese për demokacinë dhe zhvillimin, u ngritën në sistem. Projekti i ashtuquajtur i rilindjes në fakt ishte një projekt për institucionalizimin e krimit, të korrupsionit dhe kapjen e shtetit nga interesat private dhe kriminale. Sot politika, biznesi dhe media janë shkrirë në një.
Një grusht njerëzish të politikës, të biznesit të medias dhe të krimit kontrollojnë krejtësisht pushtetin politik, pushtetin ekonomik, pushtetin mediatik të vendit. Ajo që synon tani ky grup i kriminalizuar është të çimentojë kontrollin e vet mbi këto pushtete për dekadat e ardhshme duke duke futur në dorë dhe kontrolluar të gjitha burimeve ekonomike dhe natyrore të vendit.

Mineralet, pyjet, bregdeti, ujërat, parqet, trojet dhe pasuritë e tjera natyrore po privatizohen apo i jepen me koncesion këtij grupi për dekadat të tëra. E gjithë infrastruktura e vendit, shëndetësia, arsimi po i jepen këtij grupi njerëzish. Të gjitha këto operacione po financohen duke e zhytur Shqipërinë në borxh.
Miliarda euro borxh ka marrë qeveria socialiste që kur ka ardhur në pushtet, të cilët kanë përfunduar të gjitha në duart e këtij grushti të vogël njerëzish. Breza të tërë shqiptarësh do të paguajnë në të ardhme këto borxhe që kanë përfunduar në xhepat politikanëve dhe klientëve të tyre, nëse nuk e ndalim këtë projekt. Përmes pushtetit ekonomik dhe kontrollit të burimeve të vendit, Ky grup kriminal politik ekonomik dhe mediate, kërkon të kontrollojnë procesin politik për sot dhe për nesër ose me mirë të asgjesojë atë: • vullneti i shqiptarëve nuk do të ketë asnjë rëndësi dhe asnjë ndikim në punët e vendit • vota e tyre nuk do të vlejë veçse për t’u blerë pasi ky grup kriminal do ta mbajë pushtetin përmes parasë dhe dhunës.
Brenda 5 vitesh, përmes bashkëpunimit me krimin dhe grabitjes së pasurive të vendit, Edi Rama: • Shkatërroi procesin zgjedhor, • Shkatërroi procesin politik • Vuri nën kontroll ekonominë, median e pavarur • Vuri në gjumë shoqërinë civile Tani, ai po kërkon që këto “arritje” kriminale t’i përjetësojë.
Po kërkon që kjo të jetë gjendja e përhershme të Shqipërisë: • Pa demokraci • Pa ekonomi tregu • Pa media • Pa shoqëri civile • Pa drejtësi.

Unë e di se ka prej jush që kërkojnë që Partia Demorkatike të organizojë protesta për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë. Ka edhe në media dhe në publik zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide.
Është absolutisht e drejtë kushtetuese dhe liria e ccdo kujtqë të protestojë kundër qeverisë. Partia Demokratike mbështet dhe nxit çdo lloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse.
Është absolutisht detyrimi ynë t’i përkrahim, mbështesim dhe madje t’i prijmë këto protesta atëhere kur është e mundur. Këtë ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë kundër keqeverisjes, krimin dhe korrupsionin.
Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje.
Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh.
Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi.
Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet.
Kurajo është të punosh për ditë, çdo ditë, për të kërkuar llogari, drejtësi e ndryshim, për të bindur njerëzit për këtë ndryshim.
Dua ta them edhe një herë siç e kam thënë me mijëra herë: sa më parë të largohet nga pushteti Edi Rama aq më mirë do jetë për Shqipërinë. Sa më larg të jetë dita e largimit të tij, aq më zi do tw jetë për Shqipërinë. Me Edi Ramen nuk ka zhvillim, nuk ka mireqenie, nuk ka shtet, nuk ka Shqiperi!
Por unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën nuk ka nevojë për dhunë.
Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top.
Edi Rama rrëzohet:
Duke i rezistuar atij përditë
Duke kundërshtuar përditë keqqeverisjen e tij
Duke protestuar për ditë
Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Shkozës
Duke ju bashkuar protestës së qytetarëve të Unazës
Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve për Teatrin
Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Kukësit
Duke iu bashkuar protestës së qytetarëve të Himarës
Duke iu bashkuar protestës së studentëve
Duke iu bashkuar protestave të qytetarëve, biznesit të vogël, fermerëve, që po shpërthejnë ccdo ditë nën shembullin e kurajos së studentëve
Duke iu bashkuar çdo proteste, çdo ditë, kundër çdo padrejtësie
Rama rrëzohet:
Duke denoncuar krimet e tij përditë
Duke diskredituar ministrat e tij injorantë dhe hajdutë përditë
Duke demaskuar dhe braktisur klientët e tij hajdutë përditë.

Artikulli paraprakStudentët thirrje Ramës: Kujton se mund të na mashtrosh, plotëso 8 kërkesat pastaj dialog!
Artikulli tjetër“Jo vetëm largim i Ramës, por nxjerrje e tij para drejtësisë”