Basha dhe Selami përballë njëri-tjetrit më 13 korrik

Dy kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Eduard Selami do të prezantojnë së bashku platformat e tyre në një takim me bazën demokrate, duke shpalosur vizionin e tyre mbi drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme, sfidat dhe angazhimin për ta rikthyer atë në pushtet. Takimi i parë përballë njëri-tjetrit do të jetë në Tropojë, ku secili do të shpalosë platformën e tij elektorale se si do ta drejtojë partinë në rast fitoreje. Në një njoftim të PD-së së Tropojës, thuhet se takimi në fjalë do të mbahet në 13 korrik në Pallatin e Kulturës, në orën 13:00 në Bajram Curri. “Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike Dega Tropojë, PD-ja aktualisht ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të saj atë të zgjedhjes së Kryetarit të PDSH-së. Ju njoftoj dhe ju ftoj të bëheni pjesë e diskutimeve dhe vendimmarrjes së kësaj gare: Ditën e enjte dt.13.07.2017 ora 13:00 në Bajram Curri (Në sallën e Pallatit të Kulturës “Dardania”). Së bashku të dy kandidatët do të shpalosin platformën dhe vizionin e tyre për drejtimin e PD-së në mandatin në vazhdim: Misioni i demokratëve për europianizimin e PDSH-së dhe Shqipërisë vazhdon, së bashku për një PD dhe të djathtë të bashkuar, PD-ja ka nevojë për kontributin dhe ndihmën e gjithsecilit, të bashkuar mund t’ia dalim përballë kësaj oligarkie Rilindase që ka pushtuar të gjithë vendin. Ju ftoj të bëhemi pjesë e takimit të përbashkët të kandidatëve dhe të shprehim mendimet tona. Suksese!” thuhet në reagimin e Degës së PD, Tropojë.

Artikulli paraprakKomisioneri që u vra për votën, prehet në Varrezat e Dëshmorëve
Artikulli tjetërÇfarë duhet të korrigjohet në PD