Basha: 7 maji në Kavajë, atak kardiak për republikën e vjetër

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është shprehur  para disa ditësh, duke iu referuar protestës së Kavajës, se data 7 maj do të jetë data e “atakut kardiak total të republikës së vjetër”. “Data 7 maj do të jetë data e atakut kardiak total të republikës së vjetër. Më 7 maj, në kryeqytetin e lirisë dhe të demokracisë, në Kavajën e fisnikërisë dhe të burrave dhe të grave trime, që u ngritën të parët – askush nuk e harron, të gjithë ju jemi mirënjohës – Kavaja është në këmbë, Kavaja është e vendosur. Por ndryshe nga 11 korriku i vitit 1990, që është shkruar me gërma të arta në historinë e demokracisë, më 7 maj, Kavaja nuk do të jetë vetëm, e gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën. E gjithë Shqipëria do të jetë në Kavajë dhe me Kavajën dhe të bashkuar do t’i japim grushtin vdekjeprurës republikës së vjetër. Qindra mijë shqiptarë të ndershëm, që do të bashkohen në Kavajë më datën 7 maj, në një bashkim gjigant dhe të paparë në 27 vite pluralizëm, se bashku me mijëra banorë të Kavajës dhe në ballë me rininë e Kavajës, do të pamundësojnë zgjedhjet farsë, votimin farsë të diktuar nga krimi. Do të pamundësojmë  rikthimin de juro dhe de facto të Kavajës në duart e Elvis Rroshit, që Kavaja e shporri me ligjin e dekriminalizimit, me ndihmën e qëndresës sonë të bashkuar, dhe së bashku me 7 maj, ne do t’i japim republikës së vjetër goditjen finale. Të vendosur dhe në paqe totale asnjë lule dhe asnjë fije bari nuk do të preket. Por asnjë qytetar i vetëm i Kavajës nuk do detyrohet nga krimi, nga droga dhe  republika e qeverisë së vjetër në një proces fasadë, në një farsë elektorale, sepse një proces të tillë nuk do të ketë, në 7 maj në Kavajë, dhe as në 18 qershor në Shqipëri”.

Artikulli paraprakAmbasadori i Zvicrës: Populli kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme
Artikulli tjetërFundi i një sesioni parlamentar!