Barra e taksave më e larta në Tiranë, punojnë gati 4 muaj për shtetin

Dje ishte dita e lirisë fiskale, raporton “Al-Tax”. Nga raporti midis detyrimeve tatimore të paguara në vitin 2015 me prodhimin e brendshëm të qarkut të vitit 2015, barra tatimore më e ulët është në Qarkun e Beratit me një tregues të barrës në nivelin 12,4%. Në vend të dytë është Qarku i Fierit me treguesin e barrës në nivelin 15,9%. Në vend të tretë është Qarku i Shkodrës me treguesin e barrës në nivelin 19,2%. Në këto qarqe edhe pse nuk ka patur politika tatimore specifike, shihet se administrimi i tatimeve nevojitet të mbajë një vëmendje të veçantë, duke marrë në analizë si elemntët e bazës për secilin nga tatimet, por edhe cilësinë e vlerësimeve tatimore dhe nivelin e kontrollit ndaj evazionit tatimor. Barra tatimore më e lartë është në Qarkun e Tiranës me 27,4%. Pas këtij qarku barrën më të lartë e mban Qarku i Elbasanit me 27,3% dhe më pas Qarku i Durrësit me nivelin e barrës tatimore në 27,2%. Ndërsa, qarqet e Gjirokastrës, Dibrës dhe Korçës mbajnë një barrë tatimore që lëviz me 0,1 pikë për qind midis njëri-tjetrit. Nga llogaritja e ditëve që konsumohen për të paguar barrën tatimore, rezulton se në varësi të nivelit të saj ndaj PBB-së, Dita e Lirisë Fiskale në 2016 në Ballkan vjen më shpejt në Kosovë dhe më vonë në Greqi. Dita e Lirisë Fiskale, ashtu si edhe në Ballkan edhe në Shqipëri është indeksi i lehtësimit të individit dhe biznesit nga barra e tatimeve dhe taksave. Dita e Lirisë Fiskale për vitin 2016 ishte dje në ditën e 28-të të muajit mars. Kjo datë na tregon ne shqiptarëve se na duhet të punojnë për buxhetin e shtetit të tyre deri afër fundit të dhjetëditëshit të tretë të muajit të tretë të vitit. Pas kësaj periudhe, puna dhe fitimet i përkasin individëve dhe pronarëve të biznesit, pasi konsiderohet se llogaritë e detyrimeve me buxhetin janë mbyllur pas afër tre muaj pune që janë konsumuar për t’i derdhur për shtetin si kontribut i produktit prej punës apo kapitalit. Liria Fiskale vjen fillimisht në Qarkun e Beratit. Banorët e kësaj zone e festojnë këtë ditë në mes të shkurtit 2016. Pas tyre janë banorët e Qarkut të Fierit, të cilët e festojnë Ditën e Lirisë Fiskale në fundin e muajit shkurt 2016. Banorët e Qarkut të Tiranës janë të fundit që mbyllin periudhën 4-mujore të festimit të lirisë fiskale. Data që u përket për ta festuar është 9 prill 2016, sipas “Al-Tax”.

Artikulli paraprakTrump: Europa nuk është më një vend i sigurtë
Artikulli tjetërSi u shtrembërua skema e kompensimit të TVSH-së prej 20% në bujqësi