Banorët e Mbrostarit protestë para Gjykatës së Fierit për lirimin e protestuesit

Banorët e Mbrostarit protestuan dje para Gjykatës së Fierit në mbështetje të protestuesit të arrestuar Zylyftar Delibashi, i cili doli para togave të zeza për masën e sigurisë. Banorët thanë se po protestojnë për lirimin e të moshuarit, ndërsa të enjten do kërkojnë takim me prefektin për të konfirmuar nëse është firmosur apo jo, vendimi për projektin e impiantit të përpunimit të plehrave. Pas vlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Fierit, 65-vjeçari Zylyftar Delibashi është lënë i lirë nga Gjykata e Fierit.
“Të lirohet ta marrim me vete. Ndërsa nesër kemi muhabet vetëm për prefektin. Na ka dhënë një fjalë, do me thënë për tre ditë do t’u vijë një përgjigje pozitive”, u shpreh një banore. Banorët thanë se do të vijojnë protestën kundër ndërtimit të fabrikës së përpunimit të plehrave. “Plehrat në Mbrostar, Jo! Këtë parullë kemi. Nuk është çështje politike, por është jetike”, u shpreh një banore.
Banorët u shprehën se presin një përgjigje nga prefekti për anulimin e vendimit të Bashkisë Fier për ndërtimin e impiantit të plehrave. “Të tepërt nuk jemi, edhe ne njerëz jemi. Kalamajtë tanë na dhimbsen ne, nëse nuk i dhimbsen atij. Nesër ne do shkojmë atje të na kthejë përgjigje”, u shpreh një banore.
Një ditë më parë banorët e Mbrostarit kanë protestuar, duke bllokuar rrugën nacionale. Me parulla në duar “Ndal plehrave”, “Duam jetën”, “Lironi protestuesit”, etj., banorët bllokuan sërish rrugën nacionale, ku si pasojë u krijuan radhë të gjata makinash. Forcat e policisë mbanin të rrethuar protestuesit, por nuk kanë ndërhyrë ndaj tyre.
Edhe pse qeveria me gojën e Prefektit deklaroi zyrtarisht për kthimin e vendimit të ndërtimit të impiantit të plehrave, banorët e Mbrostarit po e vazhdojnë betejën deri sa ta shohin të shkruar dhe të vulosur. Gjatë protestës së djeshme, banorët i kërkuan Prefektit të Fierit të mbajë fjalën e dhënë për anulimin e vendimit të ndërtimit të impiantit në fshatin e tyre.

Artikulli paraprakQeveria firmos TEC-in helmues për Korçën
Artikulli tjetërIsh-kryebashkiaku i Leskovikut: Policia hakmerret pse bëra denoncim për kërcënim me jetë