Banka rrit rezervat valutore duke blerë 26 milionë euro në treg

Banka e Shqipërisë dha dje informacion lidhur me ndërhyrjet në tregun e parasë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, ku raportoi se në total ka blerë rreth 36 milionë euro valutë, me synim rritjen e rezervave valutore.
Sipas njoftimit, në përputhje me vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare të datës 28.12.2016 për të blerë valutë nga bankat e nivelit të dytë gjatë vitit 2017, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë gjatë tremujorit të tretë ka zhvilluar 2 ankande. Në këto ankande janë blerë 22.6 mln euro, ndërsa në total, prej fillimit të vitit deri në fund të muajit shtator, janë blerë 35.6 mln euro.
Banka njoftoi se në tremujorin e tretë të vitit 2017, ndërhyrjet e saj në tregun e parasë konsistuan në operacionet e tregut të hapur për injektim likuiditeti. Në funksion të administrimit të portofolit të saj të Bonove të Thesarit, janë kryer në vijim edhe veprime në treg sekondar të letrave me vlerë.
Krahasimisht me tremujorin e dytë të vitit, likuiditeti i injektuar në sistemin bankar rezultoi rreth 6 mld lekë më i lartë, në rreth 38.5 mld lekë.
Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e saj kryesor – marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor – për injektim të përkohshëm të likuiditetit për mesatarisht 21.87 mld lekë, kundrejt 20.3 mld lekë në tremujorin e dytë të vitit 2017. Në kushtet e rritjes së mungesës së likuiditetit gjatë sezonit veror, u rinovuan për shuma më të larta edhe marrëveshjet e anasjellta të riblerjes me maturim deri në 3 muaj për mesatarisht 14.6 mld lekë, kundrejt 10.5 mld lekë gjatë tremujorit të mëparshëm.
Operacioni rregullues për injektim njëditor është përdorur në 3 raste për 1.2-3 mld lekë. Ky instrument është përdorur për të zbutur deficitin më të lartë të likuiditetit në sistem kundrejt pritjeve, më së shumti në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.

Artikulli paraprak7.7 miliardë lekë paradhënie inceneratorit në Fier
Artikulli tjetërNetanyahu: Do t’i gjejmë militantët që e vranë çiftin izraelit