Banka Qendrore Europiane dhe kriza spanjolle

Andrea Del Monaco

Mario Draghi, President i BQE-së, mund të përdorë bazukën e tij, Quantitative Easing (Qe) për një moral suasion demokratik ndaj Kryeministrit spanjoll Rajoy: Qe-ja është programi i blerjeve që mban të ulët spread-in (Bonos-Bund), ashtu edhe përqindjet e interesit spanjoll. Pse është i nevojshëm një moral suasion? Le ta përmbledhim situatën. Carlos Puidgemont, Presidenti i Generalitat, i ka dërguar një përgjigje me faks Kryeministrit Rajoy: Puigdemont nuk sqaron nëse e ka shpallur apo jo pavarësinë e Katalonjës, i kërkon Rajoy të ndërpresë si represionin kundër qytetarisë katalanase, ashtu edhe represionin kundër qeverisë së tij nëpërmjet rrugëve gjyqësore; dëshiron 2 muaj dialog për të arritur një ndërmjetësim dhe propozon një mbledhje urgjente me të. Me 11, zëvendëskryeministrja spanjolle Soraya de Santamaria ka komentuar kështu: “Besoj se nuk është e vështirë të thuhet po ose jo”; të enjten, 19 tetor, në orën 10:00 skadon afati i ultimatumit të dytë dhe të fundit për Presidentin katalanas Carles Puigdemont: brenda kësaj ore duhet të ratifikojë ose të anulojë shpalljen e pavarësisë.
Kryeministri Rajoy i është përgjigjur me shkrim Puigdemont, duke i thënë se në rast se nuk do ta anulonte shpalljen e pavarësisë, do të ishte përgjegjësi i vetëm për zbatimin e Kushtetutës, duke ju referuar Nenit 155. Atëhere? Në rast se, Puigdemnont do ta konfirmonte shpalljen e pavarësisë së Katalonjës, Rajoy mund të dërgojë ushtrinë në Barcelonë për të marrë kontrollin e Generalitat katalanas. Çfarë do të bënte Bashkimi Europian? Do të vazhdonte ta mbante kokën nga ana tjetër? Nganjëherë më shumë sesa armët mund t’ia dalë financa. Mario Draghi mund t’i propozojë Këshillit Drejtues të BQE-së, pezullimin e Quantitative Easing për Spanjën. Nëpërmjet sa, çdo muaj BQE-ja u huazon 60 miliard euro bankave qendrore të shteteve që aderojnë në euro: çdo muaj 5 nga këta 60 miliardë i shkojnë Banco de España. Politikisht, mesazhi mund të ishte ky: “I dashur Rajoy, pasi nuk mund të lejojmë një represion manu militari në Bashkimin Europian demokratik, pasi një represion i tillë mund të acarojë separatizma të tjera, ulu në bisedime me Puigdemont dhe gjeji një zgjidhje paqësore çarjes Madrid–Barcelonë, përndryshe të ngremë spread-in Bonos-Bund. Do të thuhet: Bashkimi Europian nuk mund të futet në punët e brendshme të shteteve anëtare. E vërtetë në dukje, por në thelb false.
Me 11 tetor, Puigdemont ka pezulluar shpalljen e pavarësisë pikërisht prej telefonatave të ardhura nga Brukseli. Do të thuhet se BQE-ja është e pavarur dhe se merret vetëm me politikë monetare. Nuk është tamam kështu. Le të kujtojmë se çfarë ndodhi në Greqi në 2015. Me 25 qershor Komisioni Europian, BQE-ja dhe FMN-ja bën një propozim të tyrin lidhur me krizën e financave të shtetit helen. Me 27 qershor, Kryeministri grek Tsipras vendosi që t’ia nënshtrojë referendumit propozimin e Treshes. Duke devijuar nga pozicioni i neutralitetit, Presidenti Juncker ndërhyri, duke i ftuar grekët që të votojnë “po” në referendum. Ja pra një shembull i ndërhyrjes së Brukselit në punët e brendshme e një shteti anëtar. Nuk mbaron me kaq. Në fillim të 2015, bankat më të rëndësishme greke kaluan testin e falimentit të BQE-së. Një bankë qendrore ka detyrën që t’u japë likuiditet të pakufizuar bankave që nuk kanë likuiditet. BQE-ja e Mario Draghi e kreu një detyrim të tillë? Jo, fillimisht BQE-ja ja reduktoi progresivisht Greqisë furnizimin me likuiditet emergjence, ELA-n, Emergency Liquidity Assistance; më pas, më 1 korrik të 2015, BQE-ja ja bllokoi ELA-n.
Kështu që grekëve ju desh të mbanin radha në bankomatë për të tërhequr maksimumi 60 euro në ditë. Kujdes me datat! Katër ditë përpara 5 korrikut 2015, data e referendumit lidhur me propozimin e Treshes! Me pak fjalë, BQE-ja e mbante “Greqinë të varur në fije të perit”. Pavarësisht, me 5 korrik 2015 në referendum grekët do të votonin “jo” për masat e rreptësisë financiare të propozuara nga Treshja me 25 qershor, pasi vetë grekët kishin zënë radhën përpara bankomatëve për të tërhequr paratë e tyre, pasi ministri gjerman i Ekonomisë, Schauble e kishte konsideruar referendumin grek një sfidë ndaj dominimit teuton në Bashkimin Europian, Presidenti grek, Tsipras u shtrëngua që të pranojë masa rreptësie financiare edhe më të ashpra nga ato të propozuara me 25 qershor nga Treshja dhe të hedhura poshtë nga referendumi. Ja pre të demonstruara dy shembuj ndërhyrjeje të BQE-së dhe të Komisionit Europian në vendimet e brendshme të një shteti anëtar. Si mund të lidhet ndërhyrja e Brukselit në rastin grek me Katalonjën? Le ta shohim.
Nëse të enjten, datë 19, Presidenti katalanas Carles Puigdemont konfirmon shpalljen e pavarësisë, atëhere Kryeministri spanjoll Rajoy do të ketë dy opsione:
1) Sipas Nenit 155 të Kushtetutës spanjolle, mund ta pezullojë autonominë e Katalonjës dhe të mbajë zgjedhje të reja: për ta bërë është e mjaftueshme vota në Senat, ku Rajoy ka shumicën;
2) Sipas Nenit 116 të po kësaj Kushtetue, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Katalonjë: për ta bërë, është e nevojshme vota e Kongresit, ku Rajoy nuk e ka shumicën dhe duhet të kërkojë votën e socialistëve të Pedro Sanchez.
Me 5 tetor, ministri i Jashtëm spanjoll, Alfonso Dastis Madrid ka thënë në televizion se, nuk do të dërgojnë ushtrinë në Katalonjë: Dastis e ka quajtur një hipotezë të tillë si “fake news” të përhapura nga qeveria katalanase. Megjithatë, pasi Spanja ka pësuar tri luftëra civile në dy shekujt e fundit, një hedhje poshtë e tillë ngjan më shumë me një excusatio non petita, accusatio manifesta. Me 9 tetor Pablo Casado, zëvendëssekretar i Partisë Popullore të Rajoy, ka qenë shumë i qartë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Puidgemont: “Shpresojmë që nesër nuk do të shpallet asgjë, pasi kush e shpall do të përfundojë si ai që e shpalli 83 vite më parë”. Për kë aludon Casado? Për Lluis Companys. Siç e përcjell Manuel Tunon de Lara në vëllimin “Historia e Republikës dhe e Luftës Civile në Spanjë”, Companys, Presidente i Generalitat katalanas, me 6 tetor 1934 shpalli shtetin katalanas e republikës federale spanjolle: nuk ishte një shpallje pavarësie tout court, pasi parashikonte republikën federale dhe sepse drejtohej kundër “forcave promonarkiste dhe fashiste të gatshme që të tradhëtonin republikën”.
Një shpallje e tillë futej në brendësi të një greve të përgjithshme kombëtare (që përfshiu edhe Madridin, Valencian, Kordobën dhe Seviljen) e 4–5 tetorit kundër qeverisë së Alejandro Lerroux García. Spanja ishte një republikë shumë e re, vetëm 3-vjeçare pas përzënies së Mbretit Alfonsi i XII-të dhe fundit të diktaturës së Miguel Primo de Rivera. Qeveria madridase shpalli gjendjen e luftës dhe urdhëroi arrestimin e Companys e ministrave të tij. Mossos de Escuadra, policia katalanase, u rreshtua në mbrojtje të pallatit të qeverisë katalanase. Popullsia katalanase ngriti barrikada. Pas një nate përleshjesh, vdekjes së 38 civilëve e 8 ushtarakëve, mijëra arrestimeve, me 7 tetor 1934, Companys u arrestua dhe dënua me 30 vjet burg. Me fitoren e Frontit Popullor në 1936 Companys u lirua nga burgu dhe u bë sërish drejtuesi i Katalonjës në luftën civile. Falë mbështetjes së Mussolinit dhe Hitlerit, në marsin e 1939 Francisco Franco fitoi luftën civile dhe vendosi një diktaturë fashiste në Spanjë. Si shumë republikanë, Companys u arratis në Francë. Frankistët nuk e harruan. Me 13 gusht 1940, Gestapo e arrestoi Companys dhe e ekstradoi në Spanjë: pas një procesi të shpejtë u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me 15 tetor 1940.
Ngjarje të tilla historike evidentojnë sesa të rënda janë deklaratat e Pablo Casado, zëvendës i Rajoy. Casado ka saktësuar se u referohej ngjarjeve të 1934 dhe jo ekzekutimit frankist. Shpjegimi ka qenë më keq sesa heshtja: për Casado, Puigdemont meriton kështu të njëjtat 30 vite burg të dhëna Companys në 1934. Deri më tani, Bashkimi Europian ka kthyer kokën nga ana tjetër në planin zyrtar. Ndërkohë, banka dhe shumëkombëshe të rëndësishme të vendosura në Katalonjë po i transferojnë selitë e tyre jashtë saj. Pse? Ndoshta i frikësohen daljes së Katalonjës nga Bashkimi Europian dhe nga euro. Apo ndoshta një pjesë e kapitalit financiar dhe biznesor do t’i detyrojë katalanasit që t’i braktisin qasjet e tyre indipendentiste. Fatkeqësisht, aty ku nuk ka funksionuar represioni i Guardia Civil ditën e referendumit, mund të funksionojë në fakt largimi i kapitaleve. Dhe atëhere, nëse financa mund të funksionojë më shumë se tanket, vetë financa mund të përdoret në mënyrë demokratike. Mund të ndërhyjë autoriteti i vetëm europian me pushtet të vërtetë: BQE-ja. Domethënë, në rastin tragjik ku Madridi do të dërgonte tanket në Barcelonë, Mario Draghi mund të pezullojë Qe-në për Spanjën: çdo muaj BQE-ja i huazon 5.3 miliard Bankës Qendrore të Spanjës, e cila nga ana e saj me këto para blen “bonos”, titujt e borxhit sovran spanjoll të pranishme në bankat spanjolle. Ndoshta pa likuiditetin për bankat e tij, Rajoy do të ulet në një tavolinë me Puigdemont.

(Andrea Del Monaco është ekspert fondesh europiane. Shkruan dhe përmbledh projekte për të marrë pjesë në tenderat e Komisionit Europian)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakJuventus kërkon Weigl
Artikulli tjetërSkënderbeu me 3 mungesa