Banka e Shqipërisë ka blerë deri 24 mln euro në 7 muajt e parë të vitit

Banka e Shqipërisë, në deklaratën për ndërhyrjet në tregun e parasë në tremujorin e parë 2017, ka bërë të ditur se ajo ka blerë tre herë valutë në tregun e brendshëm gjatë pjesës së parë të vitit 2017, me synim rritjen e rezervës valutore. Sipas kalendarit të Bankës, ajo ka ndërhyrë në treg në datat 10 prill, 11 qershor dhe 20 korrik. Nuk bëhet e ditur shuma që është blerë çdo herë, por në planifikimin e fillimvitit synohej të blihet nga 3-8 milionë euro për çdo datë. Shuma maksimale që mund të jetë blerë arrin në këtë mënyrë deri në 24 mln euro. Banka pritet të bëjë edhe katër ndërhyrje të tjera deri në fund të vitit, përkatësisht në datat 11 gusht, 20 tetor, 17 nëntor dhe 15 dhjetor, ku shuma e synuar për t’u blerë sërish luhatet nga 3 deri në 8 milionë euro.
Këtë vit Banka ka pasur avantazhin që të blejë rezervën valutore më lirë, sidomos atë në monedhën e përbashkët, teksa euro është këmbyer mesatarisht mes 132 dhe 135 lekëve. Në datat e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për të blerë valutë, nuk është konstatuar mbiçmim i euros për shkak të rritjes së kërkesës nga institucioni monetar qendror. Në fund të vitit 2016, sipas statistikave të BSH-së, rezervat valutore ishin 2.94 miliardë euro, të nevojshme për të mbuluar 7.2 muaj importe.
Krahas ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valuator, Banka e Shqipërisë njoftoi se në tremujorin e parë 2017, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e parasë konsistojnë në operacionet e tregut të hapur dhe veprimet me qëllim administrimin e portofolit të saj të bonove të thesarit. Krahasuar me tremujorin e fundit 2016, këtë tremujor, nevoja e sistemit bankar për likuiditet u reduktua me rreth 1 miliard lekë, duke u injektuar në total mesatarisht 30 miliardë lekë. Në funksion të operacioneve të tregut të hapur, Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, për injektim të përkohshëm të likuiditetit për mesatarisht 20.9 miliardë lekë kundrejt 23.6 miliardë lekëve në tremujorin e katërt të 2016-ës. Por, me qëllim menaxhimin më të mirë të likuiditetit të sistemit, gjatë kësaj periudhe u rinovuan injektimet e gjata për shuma më të larta, për mesatarisht 9.4 miliardë lekë kundrejt 6.5 miliardë lekëve gjatë tremujorit të mëparshëm.
Operacioni rregullues për injektim njëditor është përdorur në 2 raste për 1.4-1.5 miliardë lekë, për të akomoduar nevojën e bankave për likuiditet në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar në muajin mars. Depozita njëditore është përdorur në mënyrë konstante për shumat 1.7-6.7 miliardë lekë, me tendencë rënëse drejt fundit të periudhës deri në 4 miliardë lekë. Ndërkohë, kredia njëditore është përdorur në vetëm 3 raste në ditët e fundit kundrejt 7 rasteve gjatë tremujorit të mëparshëm, me shuma nga 0.08-3 miliardë lekë në 0.8-2.7 miliardë lekë, njoftoi BSH.

Artikulli paraprakBasha: Opozitë të fortë, 20 mijë të larguar në dy muaj
Artikulli tjetërBanka Botërore dyshime për zbatimin e kredisë 150 milionë dollarë për energjinë