Banka Botërore: Shqiptarët më të keqpaguarit në rajon

Dihet tashmë fakti se, Shqipëria mbledh taksa më pak se të gjitha vendet e rajonit në raport me PBB-në dhe për rrjedhojë, ka shpenzimet më të ulëta në raport me PBB-në.
Mesatarja rajonale e shpenzimeve buxhetore është 40% e PBB-së, ndërsa e Shqipërisë më pak se 32%. Shqipëria ka shpenzimet sociale për pagesat sociale më të ulëtat në Rajon pas Kosovës, me rreth 10% e PBB dhe ka gjithashtu nivelin më të ulët të shpenzimeve të pagave për administratën me vetëm 5% të PBB-së, teksa ka shpenzimet kapitale relativisht të krahasueshme me rajonin me më shumë se 4% të PBB-së.
Nga të dhënat e fundit fiskale të azhornuara nga Banka Botërore, Shqipëria në raport me PBB ka shpenzime mjaft të ulëta për mbrojtjen sociale (pensione, pagesë papunësisë dhe asistence sociale) dhe për pagat e punonjëseve publikë. Të dhënat janë të azhornuara me të dhënat nga programet buxhetore të këtij viti që ka secili nga shtetet.
Nivelin më të lartë të shpenzimeve buxhetore për paga dhe pensione në rajon e ka Maqedonia me rreth 46% të totalit të shpenzimeve, ku rreth 12% shkojnë për pagesat e punonjësve në administratën publike dhe rreth 13% e PBB shkojnë për paga dhe pensione, pjesa tjetër më shumë se 10% shkojnë për shpenzimeve kapitale.
Maqedonia dhe Kosova këtë vit kanë azhornuar nivelet më të larta të shpenzimeve kapitale në raport me vendet e tjera.
Ndërsa në Bosnjë, shpenzimet publike dominohen nga pagesat për mbrojtjen sociale, të cilat janë më të lartat në rajon. Këtë vit, Bosnja paguan më shumë se 22% të shpenzimeve publike në raport me PBB për pensione, dhe pagesa të papunësisë, shpenzimet për pagat në administratën publike arrijnë në më pak se 5% të PBB-së.
Gjithashtu në Serbi shpenzimet buxhetore në raport me PBB-në dominohen nga pagesat e pensioneve dhe të papunësisë, të cilat këtë vit zunë 17% të PBB, teksa shpenzimet kapitale të Serbisë janë më të ulëtat në rajon në më pak se 4% të PBB dhe shpenzimet për pagat e administratës zënë rreth 8% të PBB-së.

Artikulli paraprakRex Tillerson: SHBA të përkushtuara ndaj sigurisë në Europë
Artikulli tjetërSi po rritet pabarazia 93% e popullsisë jetojnë në varfëri