Banesat me leje që nga viti 1960, banorët kërkojnë vlerësim

Lindita ÇELA

Banor i Shkozës prej 33 vitesh, ish-mësuesi i letërsisë, Osman Hysa ka dalë në protestë për të parandaluar prishjen e shtëpisë së tij- pasuria e vetme e një jete punë. 53-vjeçari me origjinë nga Puka i tha “BIRN” se, shtëpinë e kishte ndërtuar në vitin 1984 me një leje ndërtimi të dhënë nga ish-këshilli administrativ i ndërmarrjes “Gjergj Dimitrov” dhe prej më shumë se dy dekadash, ka pritur marrjen e lejes së legalizimit.
Por shpresat u shuan pak ditë më parë, kur në vend të lejes i mbërriti një letër nga ALUIZNI që e lajmëronte se shtëpia e tij ishte përjashtuar nga procesi i legalizimit.
“Kjo shkresë është me hile; nuk na thonë që do na shembin shtëpitë, por që jemi përjashtuar nga procesi i legalizimit. Unë kam vite këtu, si mund të jetë shtëpia ime e paligjshme? Kudo që shkojmë nuk na pret askush ndaj na ka mbetur protesta”, thotë i irrituar ai.
Osman Hysa është vetëm njëri prej 153 familjeve që rrezikojnë të mbeten pa strehë në zonën e Shkozës në Tiranë, për t’i hapur rrugën projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Prej katër ditësh, fadromat e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit janë shfaqur në zonë, ndërkohë që banorët protestojnë në kërkim të një zgjidhjeje, duke akuzuar institucionet për mungesë transparence dhe vendime të njëanshme, në dëm të interesave të tyre.
Protestuesit i thanë “BIRN” se shumica e shtëpive në zonë janë ndërtuar para viteve ’90 dhe se askush përgjatë viteve nuk i kishte informuar për projektet infrastrukturore. Ata pretendojnë se janë lënë qëllimisht jashtë procesit të legalizimit për t’u përjashtuar më pas nga programet e kompensimit të qeverisë.
Kryeministri Edi Rama e përforcoi këtë dyshim përmes një postimi në Facebook, ku deklaroi se, “ndërtimet pa leje në mes të një rruge kryesore në Tiranë duhet të prishen…”.
“Familjet këtë e dinë prej kohësh dhe s’ka asnjë shans as për ta dhe as për askënd tjetër që të legalizohen në mes të rrugëve e pastaj të shpronësohen me paratë e kopshteve, çerdheve, spitaleve, për të hapur rrugën që është e të gjithëve!”, deklaroi Rama në Facebook.
Kryeministri sugjeroi që Bashkia e Tiranës duhet t’u ofrojë bonuse qiraje si të pastrehë për banorët e Shkozës. I kontaktuar nga “BIRN”, zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës tha se, për këtë çështje është ngritur një grup pune që po vlerëson gjendjen ekonomiko-sociale të banorëve.
“Në bazë të këtij vlerësimi ekonomiko-social, banorëve u është ofruar bonusi i qirasë si të pastrehë ose dhe dhënia e kredisë së butë. Është në dorën e tyre të zgjedhin një nga këto oferta të Bashkisë”, tha Kalemi.
Por banorët protestues e kundërshtojnë me forcë këtë ofertë.
“Vetëm po shkelën mbi trupin tonë mund të na shembin shtëpinë, sepse unë kam ardhur këtu që në vitin 1960. Kam leje ndërtimi nga ish-komiteti ekzekutiv i asaj kohe pasi zona ishte përcaktuar vijë e verdhë ndërtimi”, tha Mimoza Çoku, një tjetër protestuese për “BIRN”.
Çoku sqaroi se më pas kishte bërë një shtesë shtëpie dhe në vitin 2011, sipas saj i kishte ardhur shkresa miratuese për legalizimin.
“Nuk kisha lekë për të paguar atëherë dhe tani më vjen shkresa tjetër, që nuk më miratohet. Kë shtet të besoj unë?!”, pyet Çoku.
Banorët pretendojnë se askush nuk i ka pritur dhe sqaruar për ndërtimin e Unazës së Madhe, edhe pse nën zë projekti përflitej që prej viteve ’90. Madje, disa prej banorëve janë njohur privatisht me projektin, por autoritetet i kanë qetësuar duke u dhënë siguri se nuk do të prekte shtëpitë e tyre.
“Për herë të parë jam njohur privatisht për ndërtimin e këtij projekti në vitin 2003. Në një nga zyrat urbanistike të Bashkisë së Tiranës pashë hartën dhe zyrtari i kohës më garantoi se projekti nuk do të bjerë mbi shtëpinë time”, tha Julian Mema për “BIRN”.
“Shtëpia ime është me leje ndërtimi të vitit 1991, por që asnjëherë nuk na është lejuar të bënim regjistrimin e pronës”, shtoi ai.
Në mungesë të një dere të hapur komunikimi me qeverinë, banorët e Shkozës iu drejtuan dy ditë më parë për ndihmë ambasadorëve Romana Vlahutin dhe Donald Lu.
“Çfarë kërkojmë ne është shumë e thjeshtë, të trajtohemi si qytetarë normalë të një vendi që pretendon të futet në Bashkimin Europian… Ne si banorë nuk jemi kundër zhvillimit urban të zonës, por as nuk pranojmë të hidhet poshtë gjithë djersa dhe mundi ynë prej vitesh të tëra”, shkruhet në letrën drejtuar ambasadorëve.

Banorët nuk kanë besim tek qeveria

Banorët nuk kanë më besim tek qeveria pasi po u shemb banesat për rehabilitimin e Lanës pa u dhënë asnjë lek si dëmshpërblim për shtëpitë e ndërtuara me mund e djersë. Me pankarta në duar, qindra banorë kanë marshuar drejt ambasadës së SHBA dhe të BE duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, pasi i kanë humbur shpresat tek institucionet e shtetit shqiptar.
Banorët u shprehën se nuk janë kundër rehabilitimit të Lanës, por kërkojnë njohjen e pronësisë dhe garantimin e dëmshpërblimeve. Ata i janë drejtuar me një letër ambasadorëve duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për zgjidhjen e këtij problemi. Në letrën dërguar ambasadorëve, banorët thonë se nuk janë informuar zyrtarisht mbi këtë situatë, por informacionin e kanë siguruar privatisht. “U bënë rreth 9 muaj që ka filluar projekti për rehabilitimin e lumit Lana që kalon pranë banesave tona. Nga zbatimi i projektit preken 153 banesa, duke pasur parasysh se në to banojnë mbi 300 familje, të cilat vetëm para disa ditësh, janë informuar për skualifikimin nga procesi i legalizimit edhe pse kanë aplikuar që nga viti 2006, bazuar mbi ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, duke shtuar këtu se një pjesë e mirë e banorëve janë të pajisur me leje ndërtimi nga institucionet shtetërore që në vitet 1960-1991 dhe kurrë nuk kanë mundur të marrin çertifikatën e pronësisë”.

Artikulli paraprakVeliaj, 17 shkolla me koncesion, 60 milionë euro në një vendim
Artikulli tjetërMasakra ekologjike në ligatinën e Durrësit