Banda vazhdon të sundojë në Kavajë, Ramës i duhet firma e Rroshit për pazaret e fundit

Partia Demokratike reagoi ashpër dje ndaj akteve të bandës së Elvis Rroshit dhe mos reagimit të autoriteteve përkatëse. Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD, Ivi Kaso në cilësinë e Sekretarit për Zgjedhjet në PD reagoi në lidhje me sulmin e dhunshëm të një qytetari në Kavajë nga njerëzit e Rroshit. “Edi Rama vazhdon ta mbajë të vërsulur ndaj qytetarëve bandën kriminale të Elvis Rroshit në Kavajë, i cili është ende kryetar Bashkie, edhe pse u zbulua dënimi i tij në Itali për përdhunim. Dje, banda e Rroshit ka sulmuar sërish një qytetar, i cili një muaj më parë denoncoi dhunën shtazarake që ushtroi ndaj tij, vëllai i Rroshit, drejtor i Ramës për OSHEE-në në Kavajë, në ambientet e institucionit ku qytetari Julian Kola, kishte shkuar për t’u ankuar mbi një faturim të padrejtë. Dje, e njëjta bandë, ka dhunuar sërish këtë qytetar, i cili denoncon publikisht se ushtari i Rroshit e ka goditur edhe brenda furgonit të policisë dhe më keq, edhe në komisariat, ku njerëz me uniformën e shtetit, e kanë kërcënuar që të tërhiqet, të mos bëjë kallëzim” u shpreh Kaso. Pak javë më parë, vijoi ai, kjo bandë e Rroshit, e armatosur, plagosi në mes të ditës qytetarë të pafajshëm dhe kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Megjithë, Kaso kujtoi se këto precedentë e këtë dhunë ndaj qytetarëve, megjithë këto akte skandaloze që tregojnë se kjo bandë është mbi ligjin, që ka në shërbim të saj policinë e gjithë zyrat e shtetit, sërish Edi Rama vazhdon ta mbajë e t’i japë pushtet kreut të këtyre banditëve, Elvis Rroshi. “Edhe pse e quajti botërisht të mbaruar shërbimin e Rroshit, kur u zbulua dënimi i tij në Itali për përdhunim, Rama në fakt po lejon e po përkrah të gjithë shërbimet kriminale të kësaj bande që sundon në Kavajë. Kush është motivi që e bën Ramën të mos ndahet dot nga këta kriminelë e nga kjo bandë e armatosur, me të cilët ndan pushtetin? A janë tenderat disa milionë euroshe që duhet të firmosë Elvis Rroshi, si ai i përroit të Leshniqës, para që oligarkia i ndan mes vedi? Apo është projekti fantazmë i Portit të Karpenit, ku pasuria kombëtare i jepet një firme të sajuar me 100 paund pasuri, e cila më pas e tregton sipas qejfit këtë aset të rëndësishëm të vendit? Çfarë po pret Edi Rama të shkarkojë nga detyra banditin e tij Rroshi? Përgjigjja është e thjeshtë: po pret shërbimet e fundit kriminale, ndarjen e parave dhe të pasurive kombëtare dhe për këtë i duhet edhe ca kohë firma e banditit Rroshi” tha Kaso. Julian Kola, një banor i Kavajës, i cili në fund të muajit qershor u dhunua nga vëllai i kreut të Bashkisë së Kavajës, ka rënë sërish pre e dhunës. Sipas “Panorama”, 56¬-vjeçari është sulmuar me grushte nga një person i afërt me Saimir Rroshin, vëllain e Elvis Rroshit, që mban detyrën e drejtorit të OSHEE-¬së në qytetin e Kavajës. Ai tregon se, ndërsa po shkonte për në shtëpi, pasi kishte pretë biletën për të udhëtuar drejt Italisë, në një lokal pranë shtëpisë e ka thirrur kamerieri, duke i thënë se po e kërkonte dikush. Kola, rrëfen se pasi hyri në lokal, Gëzim Xhameta që në Kavajë e njohin si Jaku, e ka ftuar për kafe. Vetëm pak minuta pasi është ulur, i riu i moshës rreth 35 vjeç, e ka goditur me grushte, duke e gjakosur, pasi iu drejtua me fjalët: “U bëre ti”. Policia ka shkuar në vendngjarje rreth 17 minuta pas lajmërimit nga Kola dhe ka marrë atë dhe agresorin në Komisariat. 57-¬vjeçari thotë se, Xhemeta e ka goditur edhe brenda makinës së Policisë. Madje, punonjësi i Policisë në Komisariatin e Kavajës, Kreshnik Mëlyshi gjatë marrjes në pyetje e ka kërcënuar Julianin, duke i thënë: “Do të fus në burg në qoftë se do të më biesh në dorë”. Sipas pretendimeve të Julianit, agresori është një “ushtar” i Elvis dhe Saimir Rroshit dhe banorët e tjerë i kanë treguar se ka rreth dy javë që Xhameta e ruante. Këtë incident, Kola e konsideron si “vazhdim” i dhunës së ushtruar në fund të muajit qershor, ngjarje për të cilën nuk pati asnjë përgjegjës.

Artikulli paraprakGreen–Bashës: Treguat lidership për drejtësinë, tani gati të qeverisni
Artikulli tjetërKorrupsioni 50 mijë euro, sekuestrohen llogaritë e bashkëshortit të gjyqtares