Bale, klauzolë largimi 500 milionë euro

Real Madrid tashmë nuk përbën më risi në aplikimin e klauzolave të “çmendura”. Shpërthimi i Gareth Bale gjatë dy sezoneve të fundit i ka vënë në lëvizje drejtuesit e “Los Blancos”, të cilët kërkojnë ta bëjnë të paprekshëm uelsianin ndaj çdo tentative për ta larguar nga “Bernabeu”. Një klauzolë që askush nuk do të guxonte ta paguante edhe pse nuk përbën një rekord sepse vendin e parë e mban Cristiano Ronaldo me 1 miliard euro. Perez ka menduar që për sulmuesin britanik të vendosë çmimin e shitjes në vlerën 500 milionë euro, çka e bën praktikisht të pashitshëm sulmuesin. Klauzola do të aplikohet në kontratën e re që Bale do të nënshkruajë me Realin e Madridit deri në vitin 2021.
Nëse kjo klauzolë do të konfirmohej edhe nga klubi mbretëror, atëherë Bale do të parakalonte Lionel Messin, i cili është blinduar në katalonjë me gjysmën e çmimit të uellsianit. Me pak fjalë, Florentino Perez po përgatit një kafaz të artë për sulmuesin uellsian. 27-vjeçari i lindur në Cardiff u transferua te Reali në vitin 2013 pasi klubi spanjoll pagoi rreth 100 milionë për ta shkëputur nga Tottenhami dhe në harkun e tri viteve ai ka arritur të bindë drejtuesit “Los Blancos” pavarësisht ulje-ngritjeve në sezonin e parë.

Artikulli paraprakInteri turpërohet nga Be’er Sheva
Artikulli tjetërBefason Murinjo!